Shqiptarja shpallet më e bukura në Amerikë, drithëron skenën me këngën e Skënderbeut

amantha Shkreli Sarelli, një shqiptare me origjinë nga Kosova, është kurorëzuar me titullin prestigjioz “The Miss Globe USA 2025”, duke përfaqësuar me krenari komunitetin shqiptar në një nga skenat më të mëdha ndërkombëtare të bukurisë. Në mbrëmjen e talent-show-t të “Miss Globe”, Samantha befasoi publikun duke interpretuar këngën patriotike “Trim mbi trima Gjergj Kastrioti”, një dedikim për prindërit e saj dhe gjithë diasporën shqiptare.

E emocionuar nga momenti, Samantha u shpreh se e kishte përgatitur performancën që nga muaji maj me ndihmën e trajneres së saj muzikore, Nika Veseli. Ajo tha se zgjodhi këtë këngë sepse kërkonte diçka me kuptim të thellë, që reflektonte lidhjen e saj me rrënjët shqiptare dhe krenarinë për figurën historike të Skënderbeut. “Kjo këngë flet për Skënderbeun, i cili luftoi për popullin shqiptar dhe është arsyeja pse Shqipëria ekziston ende,” shkroi ajo në postimin që shoqëron videon e performancës.

Edhe pse nuk kishte kënduar kurrë më parë në shqip apo a capella, Samantha tha se e kaloi këtë sfidë falë mbështetjes së trajneres së saj dhe forcës që e gjeti tek vetja. Në fund, ajo shprehu mirënjohje të thellë për familjen, miqtë dhe të gjithë shqiptarët që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, duke shtuar se do të jetë gjithmonë falënderuese ndaj Amerikës për mundësinë që i dha një vajze emigrantësh të përfaqësojë ëndrrën amerikane me shpirt shqiptar.

Video Player