Greqia i është përgjigjur Turqisë, duke thënë se Athina zyrtare nuk njeh asnjë minoritet etnik, por vetëm fetar, ndonëse është një ndër shtetet më multietnike të Evropës.
Përgjigja ka ardhur pasi Ministria e Jashtme e Turqisë uroi në Tëitter përvjetorin e 98-të të “Unionit të Turqve në Ksanthi” të Greqisë, aty ku jozyrtarisht njihet se jeton një minoritet turk.
Greqia ka ripërmendur Traktatin e Lozanës, teksti i marrëveshjes së vitit 1923 që përcaktoi kufijtë e Greqisë, Bullgarisë dhe Turqisë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, duke thënë se “qartë se i referohet në mënyrë eksplicite një pakice fetare dhe jo etnike në Traki”.
“Shteti grek respekton plotësisht besimet fetare dhe veçoritë kulturore të pakicës myslimane në Traki. Ai rezervon për qytetarët grekë, anëtarët e pakicës, barazi të plotë dhe shtetësi”, tha Ministria e Jashtme greke në një njoftim për shtyp.
Sipas studiuesve por edhe dëshmive të vetë atyre që jetojnë në Greqi, vendi fqinj ka në përbërje etni shqiptarësh, të njohur si arvanitas, arumunë, pondët e azisë, pakica sllave dhe turke ndër të tjera. Megjithatë asnjëherë zyrtarisht nuk i ka njohur duke u mohuar kështu të drejtat dhe duke i asimiluar brenda etnisë së madhe të quajtur grekë.
Nga ana tjetër, edh Turqia refuzon të njohë një numër të madh minoritetesh etnike, duke përfshirë atë të shqiptarëve, numri i të cilëve llogaritet se shkon disa milionë. E ndërsa Shqipëria së fundmi kaloi një ligj që i lejon çdokujt të deklarohet dhe identifikohet me cilindo minoritet që ka dëshirë.