Shënoi golin historik ndaj Serbisë, shitet me çmim marramendës fanella që mbajti veshur Rey Manaj

Fanella që mbajti veshur Rey Manaj në fitoren e madhe me Serbinë është blerë në ankand për 3100 euro.

Fanella mban edhe firmën e sulmuesit lushnjar, i cili me golin e tij i dha 3 pikët Kombëtares dhe shansin real për të arritur në “playoff”-in e Botërorit 2026.

Gjithsesi, kjo nuk është fanella më e shtrenjtë e Kombëtares e shitur në ankand. Rekordin e mban fanella e Nedim Bajramit (rreth 5800 euro) e veshur në ndeshjen ku i shënoi gol Italisë në “Euro 2024”.

Rey Manaj po kalon një periudhë mjaft pozitive, duke konfirmuar formën e lartë si me Kombëtaren, ashtu edhe me skuadrën e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas golit të rëndësishëm kundër Serbisë, sulmuesi shqiptar ka gjetur rrjetën edhe në kampionat me fanellën e Al Sharjah.

Në takimin e javës së 6-të ndaj Al Dhafra, Manaj shënoi një gol të bukur në fundin e pjesës së parë.

Ai mori një top në krahun e majtë të zonës dhe me një goditje të fuqishme me të njëjtën këmbë mposhti portierin kundërshtar, duke dyfishuar avantazhin për skuadrën e tij.

Ky është goli i dytë i Manajt në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe.