“U konfliktua me Ramën”, gazetari: Grupi që eliminoi Ervis Martinajn është i paprekshëm

Gazetari i njohur Artan Hoxha ka deklaruar se zhdukja e Ervis Martinajt lidhet me përplasjen e tij me pushtetin.

Sipas Hoxhës, i ftuar në “Euronews Albania”, fundi i “mbretit të lojërave të fatit” erdhi pasi ai u konfliktua drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama.

“Kryeministri u përfshi vetë në atë ngjarje, nga të rrallat raste. Ai tha publikisht se e dinte kush ishte drejtori i lojërave të fatit dhe madje ‘i dinte targën’. Kjo ndodhi pas përfshirjes së Ervis Martinajt në fushatë në mbështetje të opozitës, dhe prandaj Rama e etiketoi,” – deklaroi Hoxha.

Gazetari shtoi se pas eliminimit të Martinajt, grupi që qëndron pas këtij atentati është fuqizuar ndjeshëm dhe sot ka marrë “superfuqi”, falë lidhjeve me njerëz të pushtetit.

“Shikoni ngjarjet e fundit që po ndodhin në Shqipëri. E njëjta dorë që pasi ka bërë eliminimin e Ervis Martinajt, tani ka marrë një ngjitje të menjëhershme dhe prandaj sot është shumë aktive dhe e rrezikshme.

Kemi një hierarki tjetër në botën e krimit të organizuar dhe po ashtu një hierarki tjetër në botën e atyre që quhen vrasës që janë rritur nga ajo kohë, ata që patën sukses në atë ngjarje. Asnjë nga ajo skuadër nuk është arrestuar.

Aleanca që realizoi vrasjen është shumë e fortë dhe në pushtet në të gjitha. S’mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse s’ke me këta lart.“-tha Hoxha.