Skandali në Kosovë / Ekstremisti fetar që dërgonte luftëtarë për ISIS në Siri, “part-time” spiun edhe për Serbinë

Hysri Selimi është arrestuar në Kosovë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.

Selimi, është emër i njohur për autoritetet kosovare për përfshirjen e tij të mëhershme në aktivitete terroriste.

Sipas Insajderit, nga burime brenda institucioneve të sigurisë, janë konfirmuar dyshimet për përfshirjen e Serbisë në përhapjen e rrymave radikale fetare në Kosovë, duke iu referuar arrestimit të Selimit.

Burime brenda AKI-së kanë bërë të ditur për Insajderin se institucionet e sigurisë posedojnë prova të shumta materiale.

Operacioni për arrestimin e Selimit është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda si dhe me asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

AKI ka arritur të identifikojë pesë persona të arrestuar përgjatë këtij viti që kanë lidhje me BIA-n serbe.

Në mesin e personave të arrestuar për bashkëpunim me inteligjencën serbe në maj të vitit të kaluar ishin Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.

Ndërkaq në qershor të vitit 2024 u arrestua Aleksandar Vlajiq dhe Jelena Gjukanoviq dhe në mars të 2025-ës, të cilët kishin qëllim rezistencën e armatosur në veri, përkatësisht mbledhjen e informacioneve dhe ndikimin në organizata ndërkombëtare.

I arrestuari Hysri Selimi ishte gjykuar nga drejtësia kosovare për veprën e terrorizmit dhe se kishte qenë pjesë e organizatës ISIS.

I njëjti bashkë me anëtarët e tjerë të familjes kishin lëshuar Kosovën, me destinacion Sirinë, në mënyrë që t’i bashkoheshin ISIS-it.

Hysri Selimi nga fshati Bresalc i Komunës së Gjilanit ishte i njohur nën dyshimin për lidhje me ISIS-n, derisa sipas aktakuzës së asaj kohe Selimi ishte angazhuar në byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë me nga 100 USD në muaj.

Në vitin 2022, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër  tij për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Ai akuzohej se me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte lëshuar territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ai kishte udhëtuar për në Stamboll-Turqi dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste ‘’ISIS’’ e cila në këto vende ka qenë duke luftuar ku edhe është angazhuar si pjesëtarë i ‘’ISIS-it’’, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ‘’ISIS-it’’, është financuar nga ‘’ISIS’’ me shumën e të hollave prej nga 100 dollar në muaj duke bashkëpunuar edhe me eprorë dhe luftëtarë të ‘’ISIS-it’’.

Sipas prokurorisë, i njëjti në këtë organizatë terroriste ka qenë i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur, dhe për këtë funksion është financuar nga ISIS me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.

Hysri Selimi ishte riatdhesuar në Kosovë më datë 28.05.2022.