Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington DC në datat 15-17 maj 2025, ku u takua me përfaqësues të lartë të institucioneve amerikane të sigurisë dhe inteligjencës. Vizita u përqendrua në zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas një komunikate zyrtare të SHISH, gjatë qëndrimit në SHBA, Hyseni zhvilloi takime me përfaqësues të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare (ODNI), Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Ndër takimet më të rëndësishme ishte ai me Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, me të cilën u diskutuan sfidat dhe mundësitë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës. Të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për garantimin e sigurisë kombëtare dhe rajonale.
Në takimin me Drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, u nënvizua bashkëpunimi i frytshëm mes dy agjencive, si dhe u dakordësua zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e inteligjencës dhe forcimi i kapaciteteve të SHISH.
Po ashtu, gjatë takimeve u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet më të fundit në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. SHISH theksoi se kontributi i Shqipërisë në garantimin e stabilitetit në Ballkan u vlerësua maksimalisht nga partnerët amerikanë, ndërsa agjencia shqiptare u cilësua si një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm.
Vizita u cilësua si dëshmi e angazhimit të ndërsjellë për rritjen e bashkëpunimit strategjik përmes shkëmbimit të informacionit cilësor dhe të saktë, duke kontribuar në forcimin e sigurisë rajonale dhe globale.