Mazhoranca socialiste në Kuvend ka miratuar në Komisionin e Ligjeve rezolutën për Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke i kërkuar këtij institucioni të rishikojë mënyrën se si kërkon masat e sigurisë ndaj personave nën hetim dhe subjektet ndaj të cilave lëshon urdhër-arreste.
Rezoluta, e miratuar vetëm me votat e socialistëve dhe me kundërshtimin e deputetëve demokratë, përmban një sërë kërkesash dhe udhëzimesh ndaj SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Në dokument theksohet nevoja për:
> “Unifikimin dhe standardizimin e metodologjisë së hetimit, në lidhje me marrjen e provave dhe masat e sigurisë, bazuar në vendimet e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ-së”.
Në të njëjtën rezolutë, Kuvendi kërkon rritjen e efikasitetit të BKH-së, përmes plotësimit të vakancave dhe sigurimit të logjistikës së nevojshme për funksionimin e plotë të strukturës.
Një tjetër pikë e rëndësishme e dokumentit është ngritja e një grupi pune të përbashkët me Prokurorinë e Përgjithshme, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, për të hartuar një analizë mbi grupet aktive të krimit të organizuar dhe strategjinë për luftimin e tyre brenda dhe jashtë vendit.
Në lidhje me zgjedhjet, Kuvendi i kërkon SPAK-ut të zhvillon një analizë mbi punën e Task Forcës Hetimore për zgjedhjet e 11 majit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ, për të vlerësuar efektivitetin e masave të marra dhe për të forcuar luftën kundër krimeve zgjedhore në proceset e ardhshme.
Rezoluta i bën thirrje gjithashtu SPAK-ut të avancojë me sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar dhe të përdorë teknologjitë e avancuara për gjurmimin e rrjeteve financiare dhe hetimet mbi krimet kibernetike dhe pastrimin e parave, përfshirë edhe kriptovalutat.
Ndërkohë, opozita e ka kundërshtuar ashpër dokumentin, duke u mbështetur në raportin e fundit të OSBE-ODIHR, i cili sipas saj ngre kritika të forta për institucionet e drejtësisë. Deputetët demokrat e cilësuan raportin si “një pasqyrë të situatës katastrofale në sistemin e drejtësisë”, ndërsa përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e quajti rezolutën për SPAK “një tallje”.
Nga ana tjetër, deputetët socialistë e mbrojtën dokumentin, duke theksuar se SPAK është përmendur pozitivisht në raport, ndryshe nga institucionet e tjera të drejtësisë.