Parlamenti grek ka miratuar të enjten një projektligj të debatueshëm që lejon punëdhënësit e sektorit privat të zgjasin orarin ditor të punës deri në 13 orë, nga kufiri i mëparshëm prej 8 orësh. Vendimi është miratuar mes protestave masive të punëtorëve dhe sindikatave, që e cilësojnë këtë nismë si një “goditje të rëndë ndaj të drejtave të punës”.
Sipas qeverisë konservatore greke, ligji synon të “bëjë tregun e punës më fleksibël dhe më efektiv”, duke u dhënë kompanive më shumë hapësirë për të menaxhuar kërkesat e tregut. Por, kundërshtarët e tij paralajmërojnë se pasojat do të jenë të rënda për jetën sociale dhe ekonomike të punëtorëve, në një periudhë kur kriza e kostos së jetesës po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetet familjare.
“Kur pjesa tjetër e Evropës po diskuton për uljen e orëve të punës, në Greqi ne i zgjatojmë ato,” – deklaroi për BBC baristi 41-vjeçar Themis Lytras, i cili rrëfeu se qiraja e tij është dyfishuar në vetëm dy vjet.
Në javët e fundit, Athina dhe qytetet e tjera të mëdha janë përfshirë nga dy greva të përgjithshme, të organizuara nga sindikatat e punëtorëve, të cilat akuzojnë qeverinë se po e kthen Greqinë “në një laborator të lodhjes dhe shfrytëzimit modern”.
Sipas të dhënave të Bashkimit Europian, Greqia ka tashmë një ndër oraret më të gjata javore të punës në Evropë, me një mesatare prej rreth 40 orësh në javë, më e larta në Eurozonë. Për sindikatat, zgjatja e ditës së punës në 13 orë është jo vetëm në kundërshtim me trendet europiane, por edhe një regres social në një vend që po përpiqet ende të rikuperohet nga pasojat e krizës financiare dhe inflacionit.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se ligje të tilla mund të nxisin emigracionin e mëtejshëm të të rinjve grekë, të cilët kërkojnë kushte më të mira pune dhe paga më dinjitoze në vendet e tjera të BE-së.