Studentja nga Kosova që u gjet e pajetë në Tetovë, dyshohet se…

Gjatë mbrëmjes së të mërkurës, qyteti i Tetovës u trondit nga një ngjarje e rëndë. Një studente e Fakultetit të Mjekësisë u raportua se ka rënë nga kati i katërt i një ndërtese, duke humbur jetën në vendngjarje.

Vetëm më pas u bë e ditur se viktima është Daorsa Spahija, 24-vjeçare nga Gjakova, e cila po studionte në Tetovë.

Burime të afërta të Insajderi me autoritetet në Tetovë bëjnë me dije se 24-vjeçarja dyshohet se është shtyrë të kryejë vetëvrasje.

Sipas këtyre burimeve, i dyshuar për rastin është djali i një biznesmeni të njohur në Maqedoni, E. Sejdiu, biri i B. Sejdiut nga Kumanova.

Ndërkohë, sipas portalit IndeksOnline, burimet e tyre kanë pohuar se në banesën e të dyshuarit është gjetur telefoni i viktimës me mesazhe kërcënuese ndaj saj, si dhe një armë zjarri.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet nesër (e premte), në orën 14:00, në varrezat e qytetit në Gjakovë.

Drejtuesit të një kompanie farmaceutike i bie të fikët gjatë konferencës së Trump (VIDEO)

Një moment dramatik ka ndodhur në Zyrën Ovale të enjten pasdite gjatë një konference të Presidentit të SHBA, Donald Trump për çështjen e uljes së mëdha të çmimeve që kompanitë farmaceutike “Novo Nordisk” dhe “Eli Lilly” do të ofrojnë për produktet e humbjes së peshës duke kontribuar në luftën kundër obezitetit.

Në momentin që po fliste David Rix, CEO i kompanisë “Eli Lilly”, pamjet treguan Gordon Findlay, një drejtues të kompanisë farmaceutike “Novo Nordisk” që humbi ndjenjat dhe u rrëzua pranë presidentit amerikan.

Zyrtarët në vendngjarje arritën ta mbanin Findley, i cili është shefi për tregun amerikan të kompanisë “Novo Nordisk”.

Stafi largoi personat dhe mediat nga Zyra Ovale ndërsa transmetimi u ndërpre. Mediat amerikane konfirmojnë se ai mori ndihmë të menjëhershme mjekësore, megjithëse gjendja e tij pas incidentit nuk është ende e qartë.

Më herët gjatë konferencës Donald Trump njoftoi marrëveshjen me kompanitë farmaceutike që synojnë uljen e çmimeve të ilaçeve për humbje peshe, duke e ulur koston në 150 dollarë në muaj për disa pacientë.

“Rama ka blerë Benz të ri të blinduar”, akuzat e Berishës në Kuvend: Thotë ma bleu partia “500 mijë euro”!

Kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj kreut të qeverisë, Edi Rama, se bleu një Benz të ri të blinduar.

“Ka blerë dy Benz dhe një veturë tjetër që thotë me bleu partia 500 mijë euro”, u shpreh Berisha.

Ai u kërkoi qyetarëve që të dalin në protesta, duke theksuar se “dosjet janë bërë sa Mali i Dajtit”, ndërsa shtoi se Belinda Balluku meriton të gjitha dënimet për tunelin e Llogarasë.

“Dosjet janë sa Mali i Dajtit, duhet të dalim në shesh. Auditi s’mund ta kontrollojë Edi Ramën, se i gjen Benz-in. Ka blerë Benz të ri të blinduar. Ju kujtohet kur 20 vite më parë blemë një Benz për delegacionet, se e kërkonin ata kur vinin.

Se kisha parë asnjëherë me sy, vetëm kur hipnin miqtë, Çfarë bëri kur erdhi në pushtet, thirri punonjësin e i tha “Do thuash e ka përdorur Berisha Benz-in”, jo tha “S’e ka përdorur asnjëherë”. E pushoi nga puna, doli se Benz ishte në parkun e delegacioneve, dhe jo i imi, në Kryeministri.

Kurse tani bllokon auditin, ka blerë dy Benz dhe një veturë tjetër që thotë me bleu partia 500 mijë euro, ka vilën 75 m dhe miliarda të depozituara, tuneli i Llogarasë është vepër e tij dhe tani ta paraqesë si shere me palën turke, jo vjedhje e mirëfilltë e tij. Belinda Balluku meriton të gjitha dënimet”, tha Berisha.

Pas 70 vitesh heshtje, ish-Mbreti i Spanjës rrëfen se ka vrarë vëllain e tij

Ish-mbreti në ekzil i Spanjës, Juan Carlos I, ka zbuluar për herë të parë se si ka vrarë vëllain e tij më të vogël kur ishin adoleshentë.

Ish-monarku, i cili tani jeton në Dubai, ka botuar këtë javë kujtimet e tij me 500 faqe, në të cilat shkruan për vdekjen e Alfonsos pothuajse 70 vjet më parë.

Juan Carlos u rrëfen lexuesve se për dekada “nuk më pëlqente të flisja për këtë, dhe kjo është hera e parë që e bëj”.

Në librin, i cili është botuar në Francë me titullin “Juan Carlos I d’Espagne: Réconciliation”, 87-vjeçari kërkon të pajtohet me djalin e tij, Mbretin Felipe VI të Spanjës, dhe të përballet me kujtimet e dhimbshme nga e kaluara.

Ai tregon incidentin traumatizues që ndodhi në fëmijërinë e tij, kur vëllezërit po “luanin” me një pistoletë në shtëpinë e familjes në Portugali, në vitin 1956. “Nuk do ta marrë veten kurrë nga kjo tragjedi. Rëndësia e saj do të më shoqërojë përgjithmonë”, shkruan Juan Carlos.

Episodi është rrëfyer në një kapitull prej vetëm dy faqesh me titull “Tragjedia”, ku ish-mbreti shpjegon se karikatori i pistoletës ishte hequr, ndaj ai kishte menduar se ajo nuk përbënte rrezik.

“E kishim hequr karikatorin. Nuk kishim asnjë ide që kishte mbetur një plumb në tytë. Një e shtënë u dëgjua në ajër, plumbi u përplas dhe goditi vëllain tim drejt e në ballë. Ai vdiq në krahët e babait tonë”, shkruan ai.

Në atë kohë, nuk u hap asnjë hetim gjyqësor për rrethanat e aksidentit me armë zjarri.

Juan Carlos, atëherë 18 vjeç, dhe Alfonso, 14 vjeç, po luanin me një pistoletë automatike Star Bonifacio Echeverria, që i përkiste vëllait më të vogël.

Pasi ishin vetëm në dhomë, gjithmonë ka mbetur e paqartë se si u vra Alfonso.

Njëra nga rrobaqepëset e princeshës María de las Mercedes ka pohuar në atë kohë se Juan Carlos e kishte drejtuar pistoletën drejt Alfonsos dhe kishte qëlluar pa e ditur që ajo ishte e mbushur.

Por burime të tjera kanë thënë se plumbi kishte rënë pas një përplasjeje ose se dera kishte goditur krahun e ish-mbretit, duke bërë që ai ta qëllonte vëllain pa dashje.

Një tjetër histori thotë se Juan Carlos, i cili ishte kthyer në shtëpi për Pashkë nga shkolla e tij ushtarake e rreptë, po pastronte një revole që ia kishte dhuruar Francisco Franco kur qëlloi vëllain e tij. 

Galeria fotografike (

1 / 5

)

Thellohet skandali/ Një agjent shitje fitoi 7.5 milionë euro me kompaninë Via Konstruksion për punime në tunelin e Llogarasë

Emisioni Investigativ ‘Plug’ zbardhi detaje të rënda nga afera e ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Nga të dhënat e investigimit, rezulton se Belinda Balluku anuloi tenderin e parë për Tunelin e Llogarasë duke rihapur një tjetër garë katër muaj më pas, këtë herë duke shtuar kostot e ndërtimit të tuneli me 50 milionë euro.

Gara për hapjen e tunelit u bë pikërisht pasi drejtuesit më të lartë të qeverisë zhvilluan një takim me drejtues të kompanive turke, që më pas u shpallën fituese në tenderin e tunelit të LLogarasë.

Në takimin e zhvilluar në kryeqytetin turk me përfaqësuesit e kompanisë merrnin pjesë Kryeministri Rama, Ministrja përgjegjëse për infrastrukturën Belinda Balluku dhe vetë ish-zvkryeministri Ahmetaj.

Takimi është zhvillua në datën 3 qershor në Ankara, ndërsa 21 ditë më pas, është bërë dhe rishpallja e tenderit me vlerë të fondit limit prej 190 milionë eurosh.

Përpara mbajtjes së tenderit kyresor, është zhvilluar një tjetër tender, që sipas investigimit rezulton të jetë një skandal më vete. Më datën 20 qershor 2022, qeveria zhvillon tenderin për studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të tunelit të Llogarasë.

Ky tender kishte vlerën e fondit limit prej 7.4 milionë eurosh me tvsh. Projekti që do t’i hapte rrugë edhe tenderit ka kushtuar 7. 4 milionë euro, por që në start, edhe mbi tenderin e përzgjedhjes së studios projektuese hidhen hije të forta dyshimi.

Në garë morën pjesë disa kompani, ndërsa në të paktën dy raste, dy nga kompanitë pjesëmarrëse ishin në shkelje të ligjit, pasi krijuan dy bashkime operatorësh. Në përfundim, fitues u shpallën bashkimi i pesë operatorëve që ofroi vlerën më të lartë të tenderit, ndërsa disa  prej kompanive që u futën në garë u shtuan gjatë rrugës pasi nuk ishin pjesë e garës në tenderin fillestar.

Skandali kryesor qëndron pikërisht te tenderi kryesor, ai me vlerë 190 milionë euro për ndërtimine  Tunelit të Llogarsë.

Kompanitë turke Interkar-ASL, që fituan këtë tender, nuk përmbushnin disa nga kriteret e dokumenteve standarde të tenderit. Gjithashtu, njësoj si në rastin e inceneratorit të Tiranës, kompanitë e tunelit të llogarasë, u regjistruan në Shqipëri vetëm në momentin që lidhën kontratën, apo vetëm një javë nga nisja zyrtare e punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Dhe sikur të mos mjaftonin këto, Tuneli i Llogarasë nisi të ndërtohej pa u miratua leja e ndërtimit, e deri në miratimin e kësaj të fundit, ministria disbursoi 15 milionë euro për kompanitë turke. Nga ana tjetër, leja e ndërtimit nuk u zbrdh kurrë deri në 28 maj të vitit 2025, cfarë nënkupton se të gjitha punimet u kryen pa leje ndërtimi.

Por skandalet e kësaj afere nuk përfundojnë këtu. Gjatë investigimit, u gjet një tjetër kompani nënkontraktore e cila ka kryer një ndër proceset me thelbësore. Germimin për hapjen e tunelit është pikërisht Via koncstruksion.

Kjo kompani, u themelua në vitin 2021 nga një i ri që kishte punuar si agjent shitjesh, ndërsa për punimet në ndërtimin e tunelit të LLogarsë ai mori 7.5 milionë euro.

Për këtë kompani ngrihen hije të forta dyshimi se mund të jetë përdorur për qarkullimin e parave, ndërsa i mbetet SPAK të hetojë.

Por jo vetëm kjo. Në projektin fillestar, siç e shikoni në ekran vec ndërtimit të tunelit prej 6 kilometrash, ishin parashikuar edhe dy ura në dy daljet e tij, për të cilat ishin detajuar edhe kostot.

Por në fund, njëra nga këto dy urat, që projektuesit e kishin parashikuar si urë të varur e me një këmbë, që krijonte efekte panoramike, është zhdukur dhe në finale as nuk është ndërtuar, ndërkohë që ishte një prej zërave më të kushtueshëm të këtij projekti.

Pas gllabërimit të 190 milionë eurove, siç në çdo procedurë të këtij projekti, Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë harruar edhe një element tepër të rëndësishëm, kolaudimin e Tunelit të Llogarasë.

Këto punime nuk janë koaluduar pasi nuk ka ekzistuar një kolaudator që të kryente vlerësimin, e për pasojë, çdo shqiptar që do të kalojë në të duhet të lusë zotin që vjedhja e 190 milionë eurove të jetë e keqja më e madhe për të. /Emisioni Plug

21-vjeçari humbi jetën gjatë punës në Tiranë, ja çfarë dyshohet

Juris Becaj është 21-vjeçari që humbi jetën në vendin e punës në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, rreth orës 06:30 në një fabrikë në Bathore.

I ndjeri kishte pësuar arrest kardiak, dhe pavarësisht ndihmës së mjekëve, i njëjti nuk mundi të shpëtonte.

Në drejtimin e Prokurorisë po kryhen hetime për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Ushtria e tretë më e madhe e NATO-s, Polonia gati të trajnojë edhe 400 mijë vullnetarë

Polonia do të prezantojë një program të ri trajnimi ushtarak këtë muaj si pjesë e një plani më të gjerë për të trajnuar rreth 400,000 njerëz në vitin 2026, tha Ministria e Mbrojtjes të enjten.

E nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, Polonia tani shpenzon më shumë nga PBB-ja e saj për mbrojtje sesa çdo anëtar tjetër i NATO-s. Ajo është rritur në ushtrinë e tretë më të madhe të aleancës, me 216,000 personel, dhe planifikon të zgjerojë forcat e saj me gati një të tretën gjatë dekadës së ardhshme.

I quajtur nga Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz si “trajnimi më i madh i mbrojtjes në historinë polake”, programi “Në Gatishmëri” do të jetë vullnetar dhe i hapur për të gjithë qytetarët – nga nxënësit e shkollës deri te të rriturit që punojnë, kompanitë dhe të moshuarit.

Programi do të ofrojë një kurs bazë sigurie, trajnim mbijetese, udhëzime mjekësore dhe klasa kibernetike.

“Vetëm në nëntor dhe dhjetor (…) do të trajnojmë rreth 20,000 persona në trajnim individual, por numri i përgjithshëm…, në aspektin e të gjitha formave të trajnimit, është rreth 100,000 persona”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes Cezary Tomczyk në një konferencë.

Ministria planifikon vitin e ardhshëm të trajnojë afërsisht 400,000 persona “individualisht, në grupe, si pjesë e ‘Edukimit me Ushtrinë’, trajnimit rezervist dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak vullnetar”, shtoi Tomczyk.

Goditje për Rusinë, Azerbajxhani do e përshtasë ushtrinë me standardet e NATO-s

Azerbajxhani ka vendosur ta përshtasë ushtrinë e saj me standardet e NATO-s, një vendim që shumë ekspertë e kanë interpretuar si një goditje për Rusinë.

Më parë, ushtria azerbajxhanase përdorte kryesisht armë sovjetike dhe ruse. Kalimi në standardet e NATO-s do të thotë se në të ardhmen do të ketë blerje armësh nga anëtarët e NATO-s si SHBA, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, heqje graduale e pajisjeve të prodhuara në Rusi dhe trajnim personeli mbi sistemet perëndimore

“Baku bashkëpunon ngushtë me ushtrinë turke dhe ministritë e mbrojtjes të vendeve të tjera të NATO-s. Azerbajxhani e ka arritur qëllimin e tij kryesor që nga çlirimi i tokave të tij nga pushtimi”, tha Ilham Aliyev ndërsa priste një delegacion të NATO-s.

Në gusht, mes përkeqësimit të marrëdhënieve me Rusinë, Aliyev deklaroi se Azerbajxhani duhet të jetë gjithmonë gati për luftë. “Nëse ndonjë mendje e sëmurë guxon të kryejë ndonjë provokim kundër Azerbajxhanit, do të pendohet përsëri”, deklaroi ai.

Protestë kundër ligjit për gjinitë para Parlamentit, Pano i drejtohet Kos: Nuk është detyrim për BE-në, 21 vende nuk e kanë

Një protestë kundër ligjit që njeh më shumë se një gjini, dhe që pritet të votohet sot nga ligjvënësit, është duke u mbajtur para Parlamentit.

Protestuesit shprehen se ky ligj sulmon familjen tradicionale, duke prezantuar gjini të reja të paqëna, që kanë për qëllim konfuzionin dhe degradimin e rinisë shqiptare.

Ndër të pranishmit në protestë ishte edhe Lindita Pano, bashkëshortja aktiviste e pastorit Akil Pano.

Gazetarja e Top News e pyeti zonjën Pano lidhur me reagimin që komisioneria e BE-së për zgjerimin, Marta Kos kishte patur pak çaste më herët, duke thënë se ligji është një detyrim që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt BE-së.

Por Pano tha se kjo nuk është e vërtetë. “Nuk është e vërtetë. Askush nuk të detyron. Ne jemi një vend sovran që kemi traditat tona. 21 vende të Bashkimit Europian nuk e kanë këtë ligj”, u shpreh Pano.

Deklaratat ndaj Gonzatos, PS kërkon përjashtimin e Berishës për 30 ditë. Kreu i PD-së: Nuk kam bërë asnjë fyerje

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin me 30 ditë nga parlamenti të Sali Berishës.

Shkak sipas kreut të grupit parlamentar të socialistëve u bënë deklaratat e kreut të demokratëve ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzatos.

“Zoti kryetar i parlamentit i jemi drejtuar komisionit të etikës për të kërkuar përjashtimin për 30 ditë të deputetit Sali Berisha”, tha Balla.

Kryetari i PD-së mohoi akuzat dhe tha se nuk ka bërë asnjë fyerje dhe ka shprehur mendimin dhe bindjet e tij.

“Kam kërkuar nga ky parlament dhe jashtë këtij parlamenti nga ambasadori të na tregojë cilën direktivë sepse ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Cila direktivë e BE-së përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore?”, tha Berisha.