Hetimet në Greqi kanë zbuluar një skenar kriminal të nivelit të lartë, ku një grup shqiptaro-grek po përgatitej të ekzekutonte një nga figurat më të fuqishme të botës së natës në Pire, të njohur nga mediat si “kumbari i madh”.
Sipas burimeve greke, grupi ishte vetëm disa ditë larg finalizimit të atentatit ndaj këtij emri të rëndësishëm të krimit, i cili kontrollonte territor, sigurinë e klubeve të natës dhe rrjetet e karburanteve. Objektivi ishte një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i mafiozit Mihalis Zambounis, i vrarë në fillim të vitit 2024. Pas shpërbërjes së rrjetit, ai u kthye në një lojtar të pavarur, gjë që solli konflikt të hapur me grupin e drejtuar nga Dhimitër Meci (“Dimos”), 45 vjeç, shqiptar me histori të gjatë kriminale.
Hetuesit thonë se marrëdhënia mes tyre ka qenë dikur e afërt. Por me rritjen e ndikimit të “kumbarit të madh”, “Dimos” dhe grupi i tij vendosën që ta eliminonin.
Policia ka zbuluar se banda kishte mbaruar fazën e survejimit, duke përdorur kamera të fshehta, vëzhgim 24-orësh dhe mjete të specializuara. Atentati pritej të kryhej gjatë festave të Krishtlindjeve me armë automatike. Një Kallashnikov i gatshëm për përdorim u gjet në një bazë të tyre në Marina Zeas.
Arrestimet dhe të dyshuarit
Deri tani janë arrestuar tre shqiptarë dhe tre grekë, përfshirë një femër, ndërsa një shqiptar i katërt është ende në kërkim.
Në pranga kanë rënë: – Dhimitër Meci alias Dimitrios Metsis, 45 vjeç, nga Labova e Poshtme, Gjirokastër – Andrea Brokeri, 32 vjeç, nga Himara – Fatjon Prendi, 39 vjeç, nga Lezha Në kërkim: – Vasil Theohari, 31 vjeç, nga Krongji i Finiqit
Ata akuzohen për atentatin e 16 majit 2025 kundër automjetit të blinduar të grekut Jani Lala, ku u qëllua rreth 50 herë, por pa e prekur objektivin. Grupi kishte instaluar një kamerë të fshehtë në panelin e një furgoni të parkuar përballë karburantit të Lalës, duke monitoruar lëvizjet e tij në kohë reale.
Dy javë më vonë, ata tentuan sërish të përgjonin Lalën në një tjetër pikë karburanti, por furgoni u identifikua nga një punonjës, duke çuar në zbulimin e pajisjeve të fshehta. Sipas policisë, të njëjtët persona dyshohen edhe për zjarrvënien në një karburant në Argyroupoli, më 23 shkurt.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet greke thonë se kanë parandaluar një prej atentateve më të bujshme të krimit të organizuar në vitet e fundit.