“Bijtë dhe bijat e Britanisë duhet të jenë gati për luftë”, Londra përgatitet për luftë me Rusinë

Kreu i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë një paralajmërim të fortë për rrezikun në rritje që paraqet Rusia, duke deklaruar se ekziston mundësia reale që Moska të sulmojë Britaninë.

Sipas Sky News, Sir Richard Knighton tha se “bijtë dhe bijat” e vendit duhet të jenë të përgatitur për të luftuar, nëse situata e kërkon një gjë të tillë.

Në një ndërhyrje jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë, Knighton theksoi se forca ushtarake ruse është në rritje dhe se ushtria e Rusisë është tashmë e “kalitur nga beteja”, pas gati katër vitesh lufte të plotë në Ukrainë.

Sipas tij, kjo e bën kërcënimin më serioz se kurrë më parë gjatë karrierës së tij ushtarake.

“Situata është më e rrezikshme se sa e kam njohur ndonjëherë gjatë karrierës sime, dhe çmimi i paqes po rritet”, deklaroi ai.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes theksoi se forcat e armatosura britanike, së bashku me aleatët e NATO-s, do të jenë gjithmonë linja e parë e mbrojtjes, por paralajmëroi se kjo nuk mjafton.

Ai bëri thirrje për një qasje të të gjithë shoqërisë, që shkon përtej ushtrisë.

“Duhet të jemi të ndershëm me familjet dhe me çdo familje në Mbretërinë e Bashkuar për atë që do të thotë të jesh i përgatitur për një sërë kërcënimesh reale dhe fizike”, u shpreh Knighton.

Ai tha se vendi duhet të investojë jo vetëm në forcimin e ushtrisë, por edhe në rindërtimin e kapaciteteve industriale të mbrojtjes, zhvillimin e aftësive profesionale, forcimin e institucioneve dhe rritjen e rezistencës së shoqërisë dhe infrastrukturës kritike.

Duke iu referuar deklaratave të homologut të tij francez, gjeneralit Fabien Mandon, Knighton tha se pajtohej me idenë se vendet evropiane duhet të jenë të përgatitura edhe për sakrifica njerëzore në rast lufte. “Bij dhe bija. Kolegë. Veteranë… të gjithë do të kenë një rol për të luajtur – për të ndërtuar, për të shërbyer dhe, nëse është e nevojshme, për të luftuar”, tha ai.