Reformën në drejtësi e bënë amerikanët, Rama fton francezët për ta korrigjuar

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris për të marrë pjesë në samitin e koalicionit të vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga presidenti francez, Emanuel Macron. Para mbajtjes së Samitit, Rama ka zhvilluar takime me politikanë francezë, mes të cilëve edhe Ministrin e Drejtësisë, Gerald Darmian.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i Qeverisë shqiptare ndau disa foto nga takimi me Darmian, teksa në shënimin shoqërues nuk përjashton mundësinë që francezët të analizojnë me ekspertë problematikat e politikave penale në Shqipëri, si dhe të ndihmojnë në hartimin e kodit të ri penal.

“U takuam me ministrin e Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin, për të folur lidhur me pjesëmarrjen e partnerëve francezë, në grupin e reflektimit mbi problematikat e politikës penale në Shqipëri dhe konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standartet e me praktikat më të mira europiane”, shkruan Rama.

Një prej problematikave penale, që Ministria e Drejtësisë dhe përfaqësues të qeverisë e mazhorancës socialiste kanë theksuar këto kohë janë edhe masat e larta të arrestit me burg për individët e akuzuar për një vepër penale, por të padënuar nga gjykatat.