Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për përmbytjet masive që kanë prekur disa zona të qytetit. Organi i akuzës i ka nisur hetimet për veprën penale të shkatërrimit të pronës, pasi ka dyshime se situata të jetë shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të hidrovorit që ka shkaktuar 19 milionë euro.
Tenderi për hidrovorin është fituar nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe Vëllezërit Hysa. Kompania Adriatik zotërohet në masën 50% nga Petrit Kovaçi, i cili është babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve.
Sipas të dhënave publike, Petrit Kovaçi ka lidhje familjare me Ceno Klosin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe aktualisht deputet i qarkut Fier. Ndërkohë, Spartak Kovaçi është pjesë e rrethit të personave të afërt me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Ndërsa kompania 2T zotërohet në masën 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës dhe më herët drejtues i Gardës së Republikës.
Nga hetimet paraprake rezulton se përmbytjet dyshohet se kanë sjellë si pasojë edhe humbjen e jetës së shtetasit A.H., punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Sipas informacioneve, ai ka shkuar në zonën e përmbytur për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe vërshimet e ujit, por dyshohet se është marrë nga rrjedha e fortë e ujit, duke humbur jetën.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme masive, ndërkohë që sot u konfirmua edhe një viktimë, një punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Në këto rrethana, Prokuroria vlerëson se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Po ashtu, në bazë të dëmeve të konsiderueshme të evidentuara deri më tani në infrastrukturën publike dhe pronën private, ekzistojnë dyshime të arsyeshme edhe për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 153 dhe 161 të Kodit Penal.