Gjykata e Lartë riorganizohet për dosjen e Saimir Tahirit, prokuroria kërkon një dënim prej 12 vitesh burg

Gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela do të ketë një relator të ri. Gjyqtari Sokol Binaj është tërhequr dhe Gjykata e Lartë ka bërë rishpërndarjen e dosjes, e cila tashmë do të drejtohet nga gjyqtari Genti Shala.

Arsyeja e dorëheqjes së gjyqtarit Binaj lidhet me faktin se ai ka qenë më herët pjesë e shqyrtimit të disa kërkesave gjyqësore të paraqitura nga Saimir Tahiri, në kohën kur ushtronte detyrën në ish-Apelin për Krime të Rënda. Për të shmangur çdo konflikt interesi apo dyshim mbi paanshmërinë, ai ka vendosur të tërhiqet nga çështja.

Procesi në Gjykatën e Lartë është iniciuar pas rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila kundërshton vendimet e mëparshme të gjykatave më të ulëta.

SPAK nuk është dakord me faktin që Saimir Tahiri është dënuar vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe kërkon që ish-ministri të shpallet fajtor edhe për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Për këto akuza, prokuroria kërkon një dënim prej 12 vitesh burg.

Fillimisht, ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte shpallur fajtor ish-ministrinpër shpërdorim detyre, duke e dënuar me 5 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 3.4 vite, ndërsa në vendimin përfundimtar u vendos pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vënia e tij në shërbim prove.

Ky vendim u ankimua nga të dyja palët, si nga SPAK ashtu edhe nga vetë Saimir Tahiri. Apeli i GJKKO-së e rrëzoi vendimin për pezullimin e dënimit, duke lënë në fuqi dënimin me 3.4 vite burg.

Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, ish-ministri socialist u lirua nga burgu me vendim të Gjykatës së Elbasanit, për shkak të rrethanave familjare dhe kushteve të parashikuara në ligj, pa e përfunduar plotësisht ekzekutimin e dënimit.

Aktualisht, në Gjykatën e Lartë pritet jo vetëm caktimi i datës së seancës gjyqësore, por edhe përzgjedhja e dy anëtarëve të tjerë të trupës gjykuese, të cilët së bashku me relatorin Genti Shala do të shqyrtojnë si rekursin e SPAK, ashtu edhe atë të paraqitur nga Saimir Tahiri, i cili kërkon pafajësinë e plotë.