SHBA nuk përjashton përdorimin e forcës për Groenlandën, por çfarë ndodh nëse një shtet i NATO-s sulmon një shtet aleat?

Shtëpia e Bardhë nuk ka përjashtuar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të përdorin forcën për të marrë kontrollin e Groenlandës, territor autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës.

Si Danimarka, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë vende anëtare të NATO-s, çka e bën këtë skenar veçanërisht të ndjeshëm në aspektin e sigurisë ndërkombëtare.

1- Çfarë do të ndodhte nëse një shtet i NATO-s do të sulmonte një tjetër?

Një situatë e tillë nuk parashikohet nga NATO-ja. Aleanca, e themeluar në vitin 1949, është ndërtuar si një organizatë mbrojtëse për të garantuar sigurinë kolektive të vendeve anëtare. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka deklaruar se “nëse Shtetet e Bashkuara do të zgjidhnin të sulmonin një vend tjetër të NATO-s, atëherë gjithçka do të merrte fund, përfshirë vetë NATO-n dhe arkitekturën e sigurisë që është ndërtuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.

2-  A parashikohet në traktatin themelues i NATO-s një sulm mes aleatëve?

Jo. Traktati i NATO-s nuk parashikon as mundësinë që një vend anëtar të sulmojë një tjetër, as procedura për përjashtimin e një shteti. Neni 1 i Traktatit përcakton se palët angazhohen, në përputhje me Kartën e OKB-së, të zgjidhin me mjete paqësore çdo mosmarrëveshje ndërkombëtare dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës në mënyra që bien ndesh me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

3- Çfarë parashikon neni 5 i NATO-s?

Neni 5 është themeli i Aleancës Atlantike. Ai përcakton se një “sulm i armatosur” kundër një ose më shumë vendeve anëtare në Evropë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve, duke aktivizuar mbrojtjen kolektive. Komandanti suprem i NATO-s është gjithmonë një gjeneral amerikan dhe mbrojtja e Evropës është ngushtësisht e integruar me atë të Amerikës së Veriut.

4- A është i vetë-mjaftueshëm shtylla europiane e NATO-s?

Jo. Kontributi kryesor financiar dhe ushtarak në NATO vjen nga Shtetet e Bashkuara. Në samitin e NATO-s të mbajtur në Hagë në qershorin e kaluar, 32 vendet anëtare u angazhuan, nën presionin e presidentit amerikan Donald Trump, të rrisin shpenzimet për mbrojtjen deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Sipas vlerësimeve të NATO-s, shpenzimet e mbrojtjes të SHBA-së në vitin 2025 arritën në rreth 980 miliardë dollarë, krahasuar me 99 miliardë korona daneze (rreth 15,5 miliardë dollarë).

5- A parashikon Bashkimi Europian mbrojtje të ndërsjellë mes shteteve anëtare?

Nga 27 vendet e Bashkimit Europian, Austria, Irlanda, Malta dhe Qiproja nuk janë pjesë e NATO-s. Neni 42.7 i Traktatit të Lisbonës përcakton se, në rast se një shtet anëtar i BE-së sulmohet ushtarakisht në territorin e tij, shtetet e tjera anëtare janë të detyruara t’i ofrojnë ndihmë dhe asistencë.