Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një komenti të një ndjekësi në rubrikën “Sy m’ Sy” në Facebook, ku akuzohej për propagandë të shëmtuar dhe për të “shitur mend” mbi arritjet në Tiranë.
Në koment, ndjekësi e kritikoi Ramën duke thënë: “Propagandë e shëmtuar, njerëzit besojnë sikur keni ulur qiellin në tokë, kadale bre burrë… ke 0000 meritë në këtë punë. Njerëzit të mandatuan që të kryeje detyrën, jo të na shesësh mend. Boll me hise syve”.
Për këtë, kryeministri Rama u përgjigj duke theksuar se ai po kryen detyrën e tij si udhëheqës i vendit, duke e krahasuar punën e tij me periudhën kur opozita ishte në pushtet. Ai theksoi se ai nuk ka ulur qiellin në tokë, por me bindje theksoi: “Tiranën nga varri e kam ngritur dhe këtë nuk ma heq dot askush!”
Në përgjigjen e tij, Rama nuk ka ngurruar të ironizojë opozitën e asaj periudhe, duke kujtuar se në kohën kur ai drejtonte Tiranën, as sahati i kryeqytetit nuk funksiononte.