“Nuk është momenti i duhur, kemi të djathtën ekstreme që po na fryn në qafë. Çdo bisedë për hyrjen e Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkim është një dhuratë për… Le Pen”
Presidenti francez Emmanuel Macron po pengon procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, përfshirë edhe anëtarësimin e Shqipërisë.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Politico, Macron – dikur promotori i një Europe të bashkuar dhe mbështetës i vendeve të Ballkanit Perëndimor – ka ndryshuar qëndrim për shkak të presioneve të brendshme politike.
Frika nga rritja e ndikimit të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen dhe protestat e mundshme të fermerëve francezë e kanë bërë presidentin të hezitojë të mbështesë hyrjen e vendeve të reja në BE.
Një aleat i afërt i tij madje pranon se “çdo bisedë për hyrjen e Shqipërisë apo Malit të Zi në Bashkim është dhuratë për Le Pen”, duke e paraqitur Macronin si pengesë të re të integrimit europian — një kthesë e fortë për liderin që dikur shihej si vizionari i Europës.
Të gjitha këto evidentohen te një artikull i gjerë i revistës prestigjioze Politico Europe, artikull i cili ka tronditur skenën politike franceze dhe atë europiane, duke zbuluar se presidenti Emmanuel Macron po përdor çështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian — përfshirë anëtarësimin e Shqipërisë — si armë politike për të shmangur rritjen e ekstremit të djathtë në vendin e tij.
Sipas burimeve diplomatike të përfshira në shkrim, Macron dikur konsiderohej “vizionari i Europës”, por sot është kthyer në pengesë për projektet më të mëdha të BE-së. Artikulli thekson se frika nga reagimet e brendshme, veçanërisht nga fermerët dhe votuesit euroskeptikë, e ka bërë presidentin francez të zbusë mbështetjen për anëtarësimin e vendeve si Shqipëria dhe Mali i Zi, me qëllim që të mos i japë terren politik kundërshtares së tij, Marine Le Pen.
Kështu emri i Shqipërisë del në pah në një kontekst të pazakontë — si “rrezik elektoral” për presidentin francez Emmanuel Macron.
Ndërsa Bashkimi Europian diskuton hapjen e rrugës për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetë Macron, dikur ndër mbështetësit më të fortë të zgjerimit, është tërhequr pas. Aleatët e tij pranojnë se frika nga rritja e ekstremit të djathtë në Francë dhe reagimet e brendshme, sidomos nga fermerët, e kanë bërë presidentin të shmangë çdo vendim që lidhet me vende si Shqipëria, Mali i Zi apo Ukraina.
“Çdo bisedë për hyrjen e Shqipërisë apo Malit të Zi në Bashkim është dhuratë për Le Pen,” u shpreh një nga bashkëpunëtorët e afërt të Macronit, duke nënvizuar se për momentin politika e brendshme ka mbytur ambiciet e tij europiane.
ARTIKULLI I PLOTË:
Perëndon dielli mbi Macronin si “vizionari kryesor” i Europës
Problemet e brendshme të presidentit francez kanë zbehur ambiciet e tij dhe kanë dobësuar ndikimin e tij në Bashkimin Europian
Nga Clea Caulcutt, Nicholas Vinocur, Giorgio Leali dhe Tim Ross
PARIS — Emmanuel Macron do të mbërrijë të enjten në Bruksel për një samit të rëndësishëm të Këshillit Europian me një reputacion të ndryshuar: nga “njeriu i ideve” të kontinentit, është kthyer në “prishës feste”.
Ndërsa udhëheqësit e BE-së mblidhen për të hartuar strategji përballë krizave ekzistenciale – nga ngritja e së djathtës ekstreme deri te parandalimi i një marrëveshjeje të dëmshme Trump-Putin për Ukrainën – ata nuk mund të mbështeten më tek idetë madhështore të Macronit.
Bisedat me 10 diplomatë dhe zyrtarë të BE-së, të gjithë në anonim për të folur hapur, tregojnë se problemet e brendshme dhe fiksimi i presidentit francez me trashëgiminë e tij e kanë kthyer nga motor i progresit në pengesë për të.
Propozimi i presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, për një “mur dronësh” që do të mbronte qiellin europian nga mjetet ajrore ruse?
Sipas Macronit – jorealist.
Ideja e presidentit të Këshillit Europian, António Costa, për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE duke hequr nevojën për unanimitet?
Jo. Franca nuk heq dorë nga e drejta e vetos.
E famshmja “ta bëjmë planetin tonë sërish të madh”?
Ndoshta një ditë. Por tani nuk është koha për direktivën e kujdesit të korporatave që kërkon nga kompanitë të monitorojnë furnitorët e tyre globalë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të mjedisit. As për objektivat klimatike të vitit 2040.
Në muajt e fundit, Macron është bërë më i kujdesshëm, duke shmangur çdo propozim që mund të shkaktojë reagim në Francë dhe duke u treguar më i ndjeshëm ndaj ideve që nuk i kontrollon vetë. Franca është përqendruar më shumë në shkurtimin e burokracisë.
Kohët e fundit, presidenti francez ka shtyrë për më shumë kontrolle ndaj migracionit, më pak rregulla, kufizim të përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët dhe lehtësira për industrinë e makinave në objektivat mjedisorë — gjëra që pak kanë të bëjnë me “ëndrrën europiane”.
“Ky Macron është gllabëruar nga problemet e brendshme,” tha një diplomat i BE-së. “Nuk është më kampioni europian që njihnim dikur.”
Jo më i njëjti “Man(u)”
Kur bëhet fjalë për ndryshimet që ka parë BE-ja në dekadën e fundit, ndikimi dhe largpamësia e Macronit janë të pamohueshme. Në fjalimin e tij në Sorbonë më 2017, ai kërkoi një Europë më të fortë që të mos varej nga partnerët e jashtëm, as për mallra e as për mbrojtje.
Thirrja e tij atëherë ra në vesh të shurdhër. Por sot, Komisioni Europian dhe liderët e tjerë të BE-së flasin me të njëjtën gjuhë – për “autonomi strategjike”, për t’u larguar nga varësia ndaj Kinës dhe për të forcuar mbrojtjen europiane përballë agresionit rus dhe tërheqjes ushtarake amerikane.
Macron fitoi nofkën “think-tanker-i i BE-së”, dhe vërshimi i tij me ide e reforma e përcaktoi periudhën e tij të parë si lider ndërkombëtar.
Por në tetor 2025 është e qartë se politika e brendshme dhe trashëgimia personale peshojnë më shumë se vizionet e dikurshme.
Merrni si shembull zgjerimin e BE-së.
Macron shihej si mbështetës i hyrjes së vendeve të reja për ta bërë bllokun më të fortë ekonomikisht e gjeopolitikisht. Ai krijoi në 2022 Komunitetin Politik Europian si “dhomë pritjeje” për kandidatët e ardhshëm dhe një vit më vonë u zotua t’i pranonte “sa më shpejt të ishte e mundur”.
Prandaj, shumë nga aleatët e tij nuk e kuptuan pse Franca kundërshtoi propozimin e Costas për të hequr veton e Viktor Orbánit në disa pjesë të procesit të anëtarësimit. Një deputet i grupit Renew e quajti vendimin “në kundërshtim të plotë” me angazhimet e mëparshme të Macronit. “Është një gabim themelor,” tha ai.
Një aleat i afërt i Macronit tha se presidenti thjesht nuk ka më kapital politik për të shtyrë disa nga ambiciet e veta, veçanërisht ato që ushqejnë euroskeptikët dhe të djathtën ekstreme të Marine Le Pen. “Nuk është momenti i duhur, e djathta ekstreme na fryn në qafë,” u shpreh ai.
“Çdo bisedë për hyrjen e Shqipërisë apo Malit të Zi në Bashkim është dhuratë për Le Pen,” shtoi ai, duke theksuar se fermerët francezë do të ishin të parët që do të protestonin edhe kundër hyrjes së Ukrainës, një gjigant bujqësor.
Ndikimi në rënie
Ndikimi i Francës në Bruksel ka qenë viktimë e kaosit të brendshëm. Macron ka ndërruar pesë kryeministra në më pak se dy vjet dhe ishte gati të kërkonte një të gjashtë pas dorëheqjes së Sébastien Lecornu-t, qeveria e të cilit zgjati vetëm 14 orë. Më pas e riktheu në detyrë, duke shmangur përkohësisht krizën.
Edhe pse qeveritë franceze kanë ndarë ide të ngjashme për çështjet e BE-së, rënia e tyre e njëpasnjëshme e ka lënë Francën gjithnjë e më pak ndikim në Bruksel.
“Nëse ke një qeveri që nuk funksionon për gati një vit e gjysmë, kjo të ul ndikimin në vendimmarrje,” tha një diplomat i BE-së nga një vend tjetër.
Kjo paqëndrueshmëri e vështirëson punën në takimet ministrore dhe pengon përgatitjen e dokumenteve të politikave kombëtare që zakonisht përcaktojnë agjendën.
Ndërsa Macron afrohet drejt fundit të mandatit, mund të ketë ende vizione madhore për Europën, por aftësia e tij për t’i kthyer në realitet është zbehur.
Edhe nëse arrin ndonjë “shpëtim të madh” dhe gjen mënyrën për të mbajtur një qeveri të qëndrueshme me buxhet të miratuar, e vërteta e hidhur për diplomatët dhe zyrtarët në Bruksel është se ndikimi i tij është dobësuar seriozisht. Dhe projekti i tij madhor pro-europian ka marrë fund.
Diplomatët e huaj tashmë flasin për Macronin në të shkuarën dhe për “trashëgiminë e tij”, edhe pse ai nuk largohet nga posti para vitit 2027.
“Ishte diçka e veçantë,” i tha njëri prej tyre POLITICO-s.
Kontribut: Victor Goury-Laffont