Partia e Lirisë ka kërkuar zyrtarisht rinumërimin e votave në Bashkinë Kavajë, ku Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM) siguroi një fitore me 2899 vota më shumë se Partia Socialiste.
Kërkesa është depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, i cili deklaroi:
“Të rinumërohen të gjithë fletët e votimit në Bashkinë Kavajë. Dyshime të arsyeshme për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave. Kërkesa jonë është në funksion të transparencës dhe legjitimitetit të rezultatit përfundimtar.”
Ndërkohë, disa kandidatë të ASHM-së në Tiranë kanë shprehur dyshime për manipulime në numërimin e votave dhe kanë dorëzuar kërkesa zyrtare pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për rinumërim të votave preferenciale.
KAS, ku shumicën e përbëjnë përfaqësues të Partisë Demokratike, rrëzoi ankesat e katër kandidatëve të PD-së, duke argumentuar se Kodi Zgjedhor nuk e lejon kërkesën individuale të kandidatëve, përveçse përmes partisë.
Për këtë çështje, kryetari i PD-së, Sali Berisha, sqaroi se kandidatët kanë ndjekur një rrugë të këshilluar, por që duhet të veprojnë në përputhje me platformën e partisë dhe jo individualisht:
“Ata vepruan sipas ligjit, pasi Kodi Zgjedhor e ndalon që kandidatët të kërkojnë rinumërim individualisht. Nëse partia ka kërkuar paligjshmërinë e zgjedhjeve, kjo shqyrtohet e para dhe më pas paraqiten një nga një kërkesat e kandidatëve. Ka pasur vetëm një keqkuptim nga ana e tyre. Çdo kandidat që mendon se i duhet transparenca, do të mbështetet nga partia, por duhet të respektojë këtë platformë të përcaktuar.”
Berisha theksoi se përfaqësuesit e PD-së në KAS kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë votuar për një akt që ligjërisht është i pavlefshëm. Ai siguroi se kërkesat e kandidatëve do të paraqiten në mënyrë të organizuar dhe ligjore nga përfaqësuesit e partisë në KQZ.