E trishtë! Në kohën e vendin e gabuar, ky ishte çifti Basha që u gjet në mes të ate/ntatit màfioz në Dobraç (Foto)

Çifti Flutura dhe Bashkim Basha u gjendën në vendin dhe kohën e gabuar gjatë atentatit mafioz një ditë më parë në lagjen Dobraç të Shkodrës.

Çifti ishte duke udhëtuar me motor, kur u përplasën nga makina ku gjendeshin Hamza Licit dhe Arlind Bushati drejt të cilëve po qëllohej me breshëri automatiku.

Makina tip Benz me të cilën po udhëtonin përplasi çiftin pas humbjes së kontrollit.
Gruaja humbi jetën në vend nga përplasja e fortë, ndërsa burri ndodhet ende në spital, në gjendje kritike për jetën.

Hamza Lici gjithashtu ndërroi jetë në vend, kurse Arlind Bushati disa orë më pas në spital, pasi mori një plumb në kokë.

Si ndodhi ngjarja?

Numri i viktimave nga masakra në Shkodër shkoi në tre me vdekjen e Arlind Bushatit, djalit të ish-kandidatit për deputet në këtë bashki, Xhemal Bushati.

Një makinë në lëvizje me autorë ende të paidentifikuar qëlloi në armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.

Lici ndërroi jetë, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë.

Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.

Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.

Përpara disa ditësh Arlind Bushati denoncoi në polici një atentat të dështuar ndaj tij në qendër të qytetit të Shkodrës.

Ai po qëndronte jashtë një lokali kur dy të rinj iu afruan me motor dhe i drejtuan armën, por dyshohet se arma u është bllokuar.

Në këtë masakër me tre viktima, e vdekur mbeti edhe një kalimtare e cila po udhëtonte më motor së bashku me bashkëshortin.

Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur.

Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ka ndërruar jetë, ndërsa Bashkim Basha vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, aktualisht i vetmi i plagosur nga ngjarja.

Një makinë tip Land Rover model i ri e djegur është gjetur në fshatin Grudë e re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes. Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat.

Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tre pistoleta.

Dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve në Shkodër, Bajrat dhe Licët.

Deri më tani disa persona janë shoqëruar në komisariat, ndërsa ende nuk ka një autor.