“Shqipëria në BE në 2027”, Gonzato: Mund të arrihet nëse pùnoni. Liria e medias? Nuk ka progres

Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, tha se plani për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave mes Shqipërisë dhe unionin brenda vitit 2027 mund të arrihet nëse vendi “përvesh mëngët”.

“Plani  për anëtarësim në fund të vitit 2027 është ambicioz, por mund të arrihet nëse punoni.

Shqipëria mund t’ia dalë t’i çelë të gjithë kapitujt deri në fund të 2025-s”, tha Gonzato teksa i dorëzoi kryeministrit Rama progresraportin e Komisionit Europian për vitin 2024.

Megjithatë, ai tha se klima politike në vend po pengon ecurinë në drejtimin e duhur. “Sa i përket kriterit politik, raporti vlerëson funksionin e institucioneve si pjesërisht të kënaqshme, kryesisht për shkak të polaritetit politik”, tha ai.

Ambasadori i delegacionit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij u shpreh se sa i përket lirisë së shprehjes, komisioni ka vënë re se nuk ka pasur asnjë progres në këtë fushë.

Ambasadori tha se duhet që të punohet në këtë drejtim.  

“Një tjetër fushë e rëndësishme, është liria e shprehjes dhe për fat të keq komisioni nuk vëren asnjë progres në këtë fushë dhe sa i përket çështjeve afatgjata që kanë qenë shqetësuese sidomos mbivendosja e interesave të medias, biznesit dhe politikës dhe kushtet e problematike të punës së gazetarëve.  Shpresoj që çelja e grupkapitullit të parë të negociatave të jetë një mundësi e mirë për autoritetet shqiptare që të realizojnë këto reforma”, tha ai.