Një rrjet i sofistikuar kontrabande karburanti është zbuluar dhe shkatërruar nga autoritetet greke, pas një operacioni të gjerë policor që çoi në arrestimin e 22 personave. Sipas informacioneve zyrtare, grupi kriminal importonte karburant të falsifikuar nga Rumania e Bullgaria dhe e shpërndante atë nëpër pika karburanti të kontrolluara prej tyre në Greqi.
Policia greke zbuloi një zonë magazinimi në Sindos, ku bëhej transferimi dhe manipulimi i karburantit. Dyshohet se rrjeti përdorte tretës kimikë, të sjellë kryesisht nga Rumania dhe Bullgaria, për të përzier karburantin, i cili më pas shitej në treg si produkt i rregullt.
Gjithashtu, hetimet zbuluan manipulime të sofistikuara në disa pompa karburanti, ku përmes softuerëve të modifikuar, sasia reale e karburantit që hidhej në automjete ishte më e vogël nga ajo që shënohej në pompat e furnizimit. Kjo skemë mashtruese u përdor për të fituar në mënyrë të paligjshme nga klientët e painformuar.
Nga 22 arrestimet e kryera:
13 janë në rajonin e Atikës (Athinë),
3 në Selanik,
2 në Trikala,
2 në Igumenicë,
1 në Volos,
1 në Spartë.
Gjatë operacionit, policia konfiskoi qindra mijëra euro cash, të dyshuara si fitime të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Të arrestuarit pritet të përballen me akuza për:
Kontrabandë karburanti,
Evazion fiskal,
Mashtrim konsumatorësh,
Manipulim të sistemeve të matjes në pompat e karburantit.
Hetimet janë ende në vijim, ndërsa autoritetet po përpiqen të identifikojnë të gjithë rrjetin dhe rrugët e shpërndarjes së karburantit ‘mashtrues’ në territorin grek.