Anëtari i Rithemelimit, Fatbardh Kadilli ka komentuar vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të shpallur ‘non grata’ disa individë shqiptarë për të cilët ka prova se janë të lidhur me krimin dhe korrupsionin.
Kadilli tha se shpallja ‘non grata’ e Sali Berishës edhe nga Mbretërisë së Bashkuar nuk do të ketë ndonjë efekt të madh.
Ndonëse nuk janë dhënë emra, u përfol se mes tyre është edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili u shpall ‘non grata’ edhe nga SHBA. Në një intervistë, Fatbardh Kadilli tha se i gjithë çbalancimi që qeveria ka ish ministra të arrestuar dhe shënjestrohet Berisha ka ndikuar jo për mirë në klimën brenda PD duke sjellë edhe përçarjen e opozitës.
“Nuk kemi pse e lidhim me Berishën. Është për një grup njerëzish, është qëndrim zyrtar nga Mbretëria e Bashkuar që i ngjan qëndrimit të SHBA. Kjo është një qasje e re, kohët e fundit përdoret si instrument, mund të përdoret nesër edhe nga BE për politikanët. Përsa kohë nuk kemi konfirmim, nuk e dimë kush është.
Nëse parimisht çdo demokrat shprehet kundër korrupsionit, kur vjen puna tek Berisha, çdo demokrat e ndjen veten viktimë bashkë me Berishën. Nëse flasim për korrupsion, kemi qeverinë. Një qeveri e akuzuar për korrupsion me ministra në burg, shohim që shënjestra të jetë diku tjetër. Ky lloj balancimi e ka ndikuar jo për mirë në klimën brenda PD. Nuk ka prodhuar një projekt politik që kapërcen PD vetveten. Nuk pres që kjo të sjellë ndryshim. Kur nuk pati në momentin e parë, nuk do të ketë ndonjë efekt të madh as në momentin e dytë. Zhvillimet e PD prekin Shqipërinë, jo thjesht çfarë bëjnë ndërkombëtarët”, tha Kadilli.
Ndër të tjera, Kadilli nuk la pa thënë kritikat e tij për Bashën e Berishën. Sipas tij, opozita nuk arriti të krijonte një alternativë përballë pushtetit as kur ishte bashkë, as tani kur janë ndarë.
“Çështjen non grata nuk e kam përdorur asnjëherë si levë politike. Sic kam pasur kritika për Bashën dhe kam për Berishën është se PD ka nevojë për projekt të ri politik. Opozita edhe kur ishte bashkë edhe tani që janë veç e veç, janë të pamjaftueshme për të krijuar një alternativë përballë pushtetit”, tha Kadilli.
Kujtojmë më 19 maj 2021 Sali Berisha u shpall ‘Non Grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me akuza të forta se gjatë kohës që ishte kryeministër është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike, minim i demokracisë dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve. Bashkë me Sali Berishën DASH u ndaloi hyrjen në SHBA edhe Liri Berishës, Shkëlzen Berishës dhe Argita Malltezit.