I FUNDIT/ NATO bëhet gαti për të ndërhyrë në υeri të Kosovës, reagon BE

Është ulur përkohësisht tensioni në veri të Kosovës pasi qeveria Kurti shtuy me një muaj implementimin e masave të reciprocitetit me Serbinë.

Kushti i shtyrjes ishte heqja e barrikadave nga serbët në veri me qëllim vijimin e lëvizjes normalisht në këtë zonë.

Duke filluar nga mbrëmë pas mesnate, duke qenë se serbët nuk kishin hequr barrikadat, Policia e Kosovës ka pajisur të gjithë serbët që u futën në Kosovë me nje dokument ku shkruhet emri, mbiemri si edhe numri i ID-së, të cilin serbët duhet ta mbajnë me vete edhe pasi të rikthehen në pikën e kalimit doganor.

Tensioni u ul me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan në Kosovë, ndërkohë që NATO paralajmëroi se do të ndërhynte nëse cënohej stabiliteti në rajon.

Kryeministri Rama reagoi vetëm sot në lidhje me situatën në Kosovë duke theksuar se qeveria serbe nuk ka pse të mbështesë strukturat paralele në veri të Kosovë.

Lexoni më poshtë të gjitha zhvillimet e mbrëmshme dhe të sotme në Kosovë:

14:15 – Çfarë do të ndodhë tani në veri të Kosovës? Kurti: Gjithçka varet nga Beogradi
Barrikadat në veri të vendit kanë nisur të hiqen, por kryeministri Albin Kurti thotë se nuk mund të parashikohet se cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme në atë pjesë të vendit.

Kurti në një konferencë për media tha se konflikti është strehë për bandat kriminale në veri, ndërsa tha se beson se institucionet e vendit nuk do ta lajojnë destabilizimin e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Bandat kriminale janë jashtë ligjit dhe konflikti është strehë për ta. Ne disa gjëra mund t’i parashikojmë, disa nuk mundemi. Sepse ka edhe gjëra të tilla që nuk planifikohen fare në Kosovë, vetëm ekzekutohen në Kosovë. Por me organet tona të rendit dhe sigurisë, me bashkëpunimin tonë me partnerët ndërkombëtarë, unë besoj që nuk do të lejojmë destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim në baza etnike apo fetare”, tha ai.

Kurti tha se vullneti nga Qeveria është i mirë, por zhvillimet e radhës varen vetëm nga Beogradi, strukturat e të cilit tha se po nxiten për të krijuar trazira në Kosovë.

“Ne e kemi vullnetin e mirë. A do të ketë zhvillime agresive e të dhunshme të veri të Kosovës nuk varet nga Policia e Kosovës, nuk varet nga ministri i Brendshëm, nuk varet nga kryeministri. Unë do të thosha që nuk varet as nga qytetarët atje, por varet vetëm nga ato struktura që po financohen nga Beogradi dhe po nxiten prej tij për të bërë trazira në Kosovë”, tha kryeministri.

14:14 – Dalin pamjet, çfarë po ndodh tani në Jarinjë
Rruga që çon për një Jarinjë tashmë është zhbllokuar, mirëpo pika kufitare mbetet e mbyllur për qarkullim. Kjo pasi serbët filluan bllokimin e rrugëve në drejtim të Jarinjës e Bërnjakut, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit

Gazetari i t7, Genc Godanci, nga vendi i ngjarjes, raporton se pika kufitare vazhdon të jetë e mbyllur, derisa në të anët e kufirit ka njerëz që presin ta kalojnë atë.

Ai raporton që situata është e qetë. Aty ka vetëm doganierë, ndërsa asnjë polic nuk është parë afër pikës kufitare. /GazetaExpress/

13:20 – Rama ftoi Kosovën në “Ballkanin e Hapur” pas tensioneve në veri, reagon Meta: Serbia mbylli kufijtë, ky mbylli gojën
Kryetari i Komitetit Organizativ të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama gjatë konferencës me homologun e tij spanjoll Pedro Sanchez.

Rama tha se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës treguan se pse ajo duhet të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, duke shtuar se rrugët janë lufta ose paqja.

Meta deklaroi se teksa Serbia mbylli kufijtë “Rama mbylli gojën”, ndërsa theksoi se Beogradi tashmë duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Nuk e besoj të jetë bërë një deklaratë e tillë se nuk e kam ndjekur konferencën. Këtu jam së bashku edhe me zv/kryetarin Nesho, i cili është edhe njohës i aktualitetit.

Por është e qartë që Serbia dhe Kosova kanë firmosur një marrëveshje. Është e qartë që Serbia do të zbatojë vetëm marrëvehsjet që i interesojnë asaj dhe do t’i shmanget përgjegjësive nga marrëveshjet që ka nënshkruar në Bruksel, me qëllim që të favorizojë një situatë jashtë kontrollit në veri të Kosovës. Se ccfarë është Ballkani i Hapur është e qartë. Serbia mbylli kufijtë, ky tjetri mbylli gojën dje. Se çfarë synon Ballkani i Hapur e ka thënë shumë qartë presidenti i Malit të Zi. Është koha që Serbia të vërë sanksione ndaj Rusisë dhe jo të vendosë bllokada, sepse është një vend që duhet të përmbushë detyrimet ndaj BE. Kjo është një sjellje destruktive, destabiluzeuese e përsëritur. Nuk e di si mund të guxojë dikush të bëhet avokat i saj në mes të Tiranës. Partia e Lirisë është për bashkëpunimin të ngushtë

paqe në rajon, por çdo marrëdhënie vasaliteti është e papranueshme”, tha Meta.

11:20 – “Mbaje me vete”! Ky është dokumenti që Policia e Kosovës u jep serbëve si masë reciprociteti me Serbinë, fillon heqja e barrikadave“
Qeveria e Kosovës vendosi që të shtyjë në 1 shtator impelementimin e masave të reciprocitetit me Serbinë pas tensioneve në veri, të cilat pasuan me kërkesën e ambasadorit amerikan në Prishtinë me kushtin që strukturat paralele serbe të heqin barrikadat e vendosura nëpër rrugë.

Nëse serbët nuk heqin barrikadat, policia e Kosovës do të vijojë të pajisë personat që futen nga Serbia në Kosovë me një dokument ku shënohen të dhëna si emër, mbiemër, datëlindja si edhe numri i pasaportës, e cila duhet të mbahet nga udhëtari deri në momentin e kthimit në pikën e kalimit doganor.

Kështu, Kosova reagon ndaj faktit që Serbia nuk njeh dokumentet e këtij shteti. Nisur nga vendimi, policia e Kosovës ka pajisur që mbrëmë pas mesnate të gjithë ata që kanë kaluar me dokumente dhe targa serbe për në Kosovë me këtë dokument.

Nga ana tjetër, raportohet se serbët kanë filluar heqjen e barrikadave në disa zona në veri.

11:16 – “Kosova të vijë në Ballkanin e Hapur”, Rama: Marrëdhënia miqësore me Vuçiçin nuk më pengon të ndahem ku s’jam dakord
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për tensionet në veri të Kosovës gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez.

I pyetur nga gazetarët, nëse ajo që ndodhi tregon pse Kosova nuk duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, Rama tha se është pikërisht e kundërta.

Ndër të tjera ai shprehu mbështetjen për qeverinë e Kosovës dhe tha se morën vendimin e duhur me zbatimin e marrëveshjes e më pas shtyrjen e saj me 30 ditë.

“Unë jam në të drejtën time t’ju them që e kundërta është e vërtetë. Ngjarja e djeshme është pasqyrë e vështirësis së thellë që ka në këtë marrëdhënie dhe siç e thashë, ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës, bazuar në marrëvehsjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është vetëm e drejtë dhe detyrë e qervisë së Kosovës. Në këtë pikë unë e mbështes 100% qeverinë e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës që marrëveshja të zbatohet.

E përgëzoj kryeministrin dhe autoritetin e Kosovës për vetëpërmbajtjen dhe që dëgjuan aleatët jo që shtyjnë marrëveshjen, por për të sqaruar.

Këto situata nuk tregojnë që Ballkani i Hapur është i panevojshëm apo është i gabuar. Nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit, dialogut, është e panevojshme, këto situata tregojnë pse duhet Ballkani i Hapur. Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të vijë e të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur. Kur gjërat shkojnë në thikë ka dy rrugë. Njëra e kthimit mbrapa dhe e luftës, nga e cila nuk fiton askush, rruga tjetër është ndërtimi i paqes.

Na duhet të punojmë edhe më kokëfortësisht për paqen, për të ndërtuar rrugë ndërveprimesh që na japin mundësinë të kuptojmë që nuk jemi dy palë qenie, ca nerëz e ca alienë. Jemi njerëz dhe kemi detyrim që t’u lëmë paqen fëmijëve tanë.

Me presidentin e Serbisë, marrëdhënia miqësore nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord. Spanja ka arsyet e veta që ta lexojmë ashtu siç e lexon marrëdhënien me Kosovn, por nuk e pengon të jetë për liberalizimin e vizave. Ashtu sikundër kjo nuk është një shprehje mosrespekti për mënyrën si ne shqiptarët e shikojmë këtë çështje.

Për mua qeveria e Kosovës ka bërë gjënë e duhur, ka mbështetjen tonë, edhe për shtyrjen e reciprocitetit. Fqinjët nuk i zgjedhim, këta kemi.
Nëse do kishim fqinjë tjerë mund të ishim më të, mërzitshme, fqinjët nuk i zgjedhim.
Serbia është aty, Kosova është aty, nuk shkon asgjëkundi. Historia do më japi të drejtë mua, jo juve.”, tha Rama.

11:07 – Majko paralajmëron Serbinë: Agresion i pashpallur ndaj Kosovës
Ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka reaguar ashpër ndaj provokimeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës duke theksuar se bëhet fjalë për një agresion të pashpallur.
Duke mos ia përmendur emrin, Majko thotë se Vuçiçi kërkon ndryshime te shpejta në Ballkan duke bërë politikën e Rusisë, por kjo mund të dalë më keq për Serbinë.

“Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande”, shkruan Majko në formë paralajmërimi për Serbinë.

“Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande”, shkruan Majko në formë paralajmërimi për Serbinë.

10:41 –Rama reagon për herë të parë për tensionet në veri të Kosovës, thirrja që ka për Vuçiçin
Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij spanjoll Pedro Sanchez po mbajnë konferencën e përbashkët në Kryeministri.

Gjatë konferencës, Rama reagoi për herë të partë për tensionet në veri të Kosovës.

Ai tha se Kosova ka të drejtë të zbatojë marrëveshjet e reciprocitetit dhe i bëri thirrje presidencës serbe që mos të justifikojë veprimet e grupeve të caktuara në veri të Kosovës.

“Kemi folur për Kosovën, dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm për arsye qe lidhen me vetë Spanjën dhe nuk kanë të bëjnë me asnjëlloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj së drejtës së tyre, por ne kemi diskutuar aq më tepër në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar. Ne e përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshje. I bëj thirrje autoriteteve në Beogard që të mos ushqejnë me asnjëlloj justifikimi apo alibie grupe të caktuara në veri të Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, tha Rama.

07:59 – BBC jehonë situatës në veri të Kosovës: Shtyrja e vendimit për targat solli tensione, KFOR gati të ndërhyjë
Prestigjiozja britanike BBC, i ka dedikuar një artikull situatës së tensionuar në veri të Kosovës për shkak të shtyrjes së rregullave të reja të targave të makinave.

Artikulli i BBC:

Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e rregullave të reja që do t’i detyronin njerëzit në zonat me shumicë etnike serbe të ndërrojnë targat e tyre të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Rregullat do të hynin në fuqi në mesnatën e së hënës. Por të dielën serbët etnikë në veri bllokuan rrugët dhe njerëz të armatosur qëlluan me armë në shenjë proteste.

Zbatimi i rregullave është shtyrë për një muaj pas konsultimeve me SHBA-në dhe BE-në.

Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në shkurt 2008, pas vitesh të marrëdhënieve të tensionuara mes banorëve të saj serbë dhe kryesisht shqiptarë.

Ajo është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por Serbia, e mbështetur nga aleati i saj Rusia, refuzon ta bëjë këtë, ashtu si shumica e serbëve etnikë brenda Kosovës.

Rreth 50,000 njerëz që jetojnë në zonat me shumicë serbe të veriut përdorin targa të lëshuara nga autoritetet serbe dhe refuzojnë të njohin institucionet e Kosovës.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të futur rregulla të reja, duke përfshirë zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, çoi në përplasje.

NATO e përshkroi situatën si “të tensionuar” pasi qindra serbë etnikë parkuan kamionë, cisterna dhe automjete të tjera pranë dy pikave kryesore kufitare me Serbinë në shenjë proteste ndaj rregullave të reja, duke detyruar policinë të mbyllë dy vendkalimet.

Misioni i udhëhequr nga aleanca në Kosovë, KFOR, tha se ishte i përgatitur të ndërhynte “nëse rrezikohet stabiliteti”.

Pati gjithashtu raportime për të shtëna nga njerëz të armatosur, megjithëse policia e Kosovës tha se nuk kishte marrë raporte për ndonjë të lënduar.

Rritja e tensioneve çoi në konsultime me ambasadorët e SHBA dhe BE.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier tha se i kërkoi qeverisë së Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit të targave për 30 ditë “sepse duket se ka pasur keqinformim dhe keqkuptim rreth vendimit”.

Kosova më pas ra dakord të shtyjë rregullat e reja për 30 ditë.

Kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e mirëpriti njoftimin në një postim në Twitter dhe tha se ai pret që të gjitha pengesat të hiqen menjëherë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha gjithashtu se ai priste që tensionet të “de-përshkallëzohen” pas shtyrjes së rregullave.

Protesta të ngjashme u zhvilluan vitin e kaluar për propozimet për ndryshimin e rregullave të targave.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë pavarësisht se të dyja palët janë zotuar të angazhohen në dialogun e sponsorizuar nga BE-ja në përpjekje për të zgjidhur çështjet e vjetra.

07:05 – Tensionet në veri të Kosovës, Borrell: Barrikadat të hiqen menjëherë, çështjet të adresohen përmes dialogut
Pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, ka reaguar shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Ai ka mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës për shtyrjen e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia deri më 1 shtator dhe ka thënë se pret që bllokadat e vendosura nga serbët në veri të largohen menjëherë. Përmes një postimi në Twitter, Borrel e cilëson normalizimin e marrëdhënieve me rëndësi të madhe për rrugën drejt integrimit në Be të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Borrell: Mirëpresim vendimin e Kosovës për shtyrjen e afatit deri më 1 shtator. Presim që të gjitha pengesat të hiqen menjëherë. Çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për rrugët e tyre të integrimit në BE.

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit, kjo pasi serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Shtyrja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.

Lexo edhe: Situata në Kosovë, ministri i Brendshëm: Në pikat kufitare po lëshohet dokumenti për hyrje-dalje
Policia konfirmoi se në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u keqtrajtuan në kufi. Në disa vende policia tha se është shtënë edhe ndaj njësiteve policore, por që nuk ka asnjë të lënduar.

Në këtë situatë, dy pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje u bllokuan. Prandaj Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i udhëzoi bashkatdhetarët që t’i përdorin pikëkalimet e tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.

31 korrik

23:28 – Situata në veri, KFOR: Do të ndërhyjmë nëse rrezikohet stabiliteti i Kosovës
Pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës ka reaguar edhe KFOR.

Përmes një postimi në twitter KFOR thekson se nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës ata do të ndërhyjnë.

KFOR thekson se po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999.

Postimi i plotë:

PRISHTINË – Gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999. Misioni ynë i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës. KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren dhe komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin serb të Mbrojtjes.

NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat. Është e rëndësishme që kjo të vazhdojë. Kjo është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale. Nuk do të ketë perspektiva reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pa respekt të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dialogu konstruktiv është kyç për stabilitetin rajonal.

KFOR-i do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt në Kosovë gjatë gjithë kohës, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.

21:30 – Serbët qëllojnë me armë në veri, reagon policia e Kosovës
Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar më tej mbrëmjen e së dielës.

Policia kosovare raporton se gjatë mbrëmjes në veri të vendit ka patur të shtëna me armë në drejtim të forcave të policisë, por që fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme.

“Ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur”, thuhet mes tjerash në njoftim të Policisë.

20:00 – Deputeti serb bën thirrje për luftë: Serbisë do t’i duhet të denazifikojë Ballkanin
Marrëveshja e reciprocitetit për njohjen e targave e cila do të sjellë njohjen e targave, që hyn në fuqi në 1 gusht (këtë të hënë), ka bërë që situata në veri të Kosovës të përshkallëzohet, pasi serbët nuk bien dakord.

Ndërkohë që edhe më e rëndë bëhet situata pasi një deputet i parlamentit serb ka bërë thirrje për luftë.

Me anë të një postimi në twitter, Vladimir Gjukanoviç, një deputet në Asamblenë Kombëtare të Serbisë nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, shkruan se ai beson se Serbia mund të detyrohet të përfshihet në “denazifikimin” e Ballkanit.

“Më duket se Serbia do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit. Do të doja të gaboja”, ka shkruar Gjukanoviç.

Termi “denazifikim” u përdor nga Rusia si një nga pretekset për pushtimin ushtarak të Ukrainës.