Presidenti i Sri Lankës , Gotabaya Rajapaksa, u largua nga rezidenca e tij zyrtare në Colombo sot, disa minuta përpara se mijëra protestues të sulmonin atë, në një nga protestat më të mëdha antiqeveritare të vendit në muajt e fundit.
Disa protestues, duke mbajtur flamuj të Sri Lankës dhe të veshur me helmeta, sulmuan rezidencën e presidentit Gotabaya Rajapaksa , sipas imazheve të transmetuara nga stacioni televiziv lokal NewsFirst.
Siç raporton rrjeti televiziv privat Sirasa TV, një turmë protestuesish ka sulmuar pallatin presidencial , i cili deri më tani ruhej rreptësisht.
Një burim i Mbrojtjes tha se Rajapaksa mbetet presidenti i Sri Lankës dhe se është zhvendosur në një vend të sigurt, ku ai mbrohet nga ushtria.
Më herët, mijëra njerëz ishin dyndur në lagjen Colombo ku ndodhen ndërtesat qeveritare, duke brohoritur parulla kundër presidentit dhe duke thyer disa barrikada policie derisa arritën në rezidencën e tij.
Policia shtiu në ajër, por nuk ishte në gjendje të ndalonte turmën, e cila rrethoi pallatin presidencial, tha një dëshmitar okular.
Sri Lanka po vuan nga kriza më e keqe ekonomike në historinë e saj.
Vendi është përballur me një mungesë të madhe valutore, e cila nuk e lejon të importojë sasi të mjaftueshme ushqimore, karburante, ilaçe dhe mallra të tjera të nevojshme.
Ishulli prej 22 milionë banorësh, pranë Indisë, jeton prej muajsh me ritmet e ndërprerjeve ditore të energjisë, radhëve të pafundme në pikat e karburanteve, racionimit të ushqimeve, inflacionit rekord që ka arritur në 70%.
Protestat paqësore prej disa javësh, kanë pasur në qendër dorëheqjen e presidentit Gotabaya Rajapaksa , të cilin shumë qytetarë, edhe si ish-mbështetës të tij, e akuzojnë për keqmenaxhim.
Pas shpërthimit të protestave, të gjithë anëtarët e familjes Rajapaksa që morën pjesë në qeveri dhanë dorëheqjen, me përjashtim të presidentit të vendit./abc