“Pse fliten tani ato gjëra që duheshin thënë për ty kur ishe mes nesh”/ Hajdari tregon bisedë e rrallë me Gert Bogdanin

Miq, kolegë, familjarë e qindra qytetarë ditën e djeshme i dhanë lamtumirën e fundit një politikani, djali, bashkëshorti dhe babi të mirë, Gerti Bogdanit. Për të gjithë Gerti ishte njeriu me medalje ari, si në mësime e kualifikimet e tij, por edhe në jetë, mes shokësh e kolegësh, në familje e kudo ku shkonte.

Në këto vite të jetës së tij Gerti zgjodhi që të ndiqte rrugën e politikanit të drejtë, të ishte për qytetarët, të mendonte për ta dhe jo për veten. E ky virtyt i tij si duket nuk e lejoi që të ngjitej më lart në strukturat e Partisë Demokratike, kështu është shprehur së fundmi Rudina Hajdari. Hajdari ka zgjedhur sot të reagojë për ikjen e parakohshme të ish-deputetit. Përmes rreshtave ajo, si shumë të tjerë, ka treguar se sa djal i mirë ishte Gerti, fjalë të cilat ashtu si dhe ish-deputetja thekson duhet që t’ia thoshin në sy kur ishte ende gjallë.

Hajdari ka sjellë dhe një moment me ish-deputetin, kohë kur ai u përfshi në Primaret dhe prisnin jashtë selisë ish-kryeministrin Sali Berisha, por që fatkeqësisht nuk arriti të fitonte dhe këtë rezultat zhgënjyes ish-deputetja thotë se ia tha kolegut para se të zhvilloheshin zgjedhjet.

“Më kujtohet një moment kur qëndronim në radhë për të takuar Berishën, gjatë kohës kur Gerti ishte në primare në Tiranë. I thashë: “Gert, ti nuk do të fitosh, e di këtë, apo po përpiqesh thjesht të legjitimosh një garë të fortë?” Ai më pyeti pse mendoja kështu. I thashë se dukej sikur kjo ishte një nismë e tij dhe jo një ide e mbështetur nga lart. Ai u duk i befasuar nga sinqeriteti im, por nuk më kundërshtoi. Kur erdhi momenti për të takuar Berishën, ai më lejoi të hyja e para, duke treguar një xhentilesë të vërtetë. Por ndërsa qëndroja para Berishës, mendova për të gjithë ne që prisnim jashtë – të gjithë të përkushtuar për të dëshmuar se PD-ja ende kishte njerëz me edukim, staturë dhe përkushtim për të çuar përpara këtë forcë politike”, shkruan Hajdari.

Postimi i plotë:

Dhimbja e humbjes së jetës na përul dhe na përball me realitetin në formën e tij më të kthjellët. Kjo dhimbje, veçanërisht kur dikush largohet në kulmin e jetës, është aq e thellë dhe e rëndë sa na shtyn të reflektojmë me ndershmëri dhe seriozitet. Sepse përndryshe, do të ishte një padrejtësi ndaj kujtimit të atij personi. Nëse do mund të flisja sot me Gertin do u bëja një pyetje që besoj e kanë shumë njerëz; Me respekt të plotë për ty, më trego si është e mundur që një figurë si ti, me një karrierë kaq të pasur, nuk arriti të depërtojë në strukturat më të larta të PD-së?

Si ka mundësi që vetëm tani fliten ato gjëra që duhej të ishin thënë për ty kur ishe ende mes nesh?

Më kujtohet një moment kur qëndronim në radhë për të takuar Berishën, gjatë kohës kur Gerti ishte në primare në Tiranë. I thashë: “Gert, ti nuk do të fitosh, e di këtë, apo po përpiqesh thjesht të legjitimosh një garë të fortë?” Ai më pyeti pse mendoja kështu. I thashë se dukej sikur kjo ishte një nismë e tij dhe jo një ide e mbështetur nga lart. Ai u duk i befasuar nga sinqeriteti im, por nuk më kundërshtoi. Kur erdhi momenti për të takuar Berishën, ai më lejoi të hyja e para, duke treguar një xhentilesë të vërtetë. Por ndërsa qëndroja para Berishës, mendova për të gjithë ne që prisnim jashtë – të gjithë të përkushtuar për të dëshmuar se PD-ja ende kishte njerëz me edukim, staturë dhe përkushtim për të çuar përpara këtë forcë politike.

Gerti ishte një djalë nga Tirana, me një familje model dhe me ideale altruiste. Ne besonim fort se meritokracia nuk mund të injorohej aq lehtë. Ishim të bindur se gjykimi i drejtë do t’i jepte secilit atë që meritonte. Por e vërteta është se në Shqipëri ende nuk ekziston një sistem vlerash të mirëfillta. Ndoshta na duhet të reflektojmë si shoqëri, që secili të kuptojë peshën e vet dhe të dijë se, po të kishim një sistem të vërtetë meritokracie, Shqipëria do të ishte ndryshe.

Ne nuk kishim asgjë në dorë për jetën e Gertit, por mund të punojmë të mbajmë në jetë modelin e tij. Atë të ndershmërisë, meritokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

Këtë mund ta bëjmë si shoqëri!