Bashkimi Evropian ka vënë kusht të qartë për Shqipërinë që të pranojë zgjidhjen e çështjes së kufijve detarë me Greqinë, një çështje që mbetet e pazgjidhur prej shumë vitesh dhe që përfundoi në Hagë pasi marrëveshja e dy shteteve u rrëzua nga Gjykata jonë Kushtetuese.
Kushti gjendet në dokumentin për Kornizën Negociuese të pranimit të Shqipërisë në BE, të miratuar në 19 korrik në konferencën e parë ndërqeveritare midis BE dhe qeverisë së Shqipërisë.
Në kapitullin “Parimet udhëheqëse të negociatave”, faqe 11, pika 5, neni 3, thuhet: “Angazhimi i Shqipërisë për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kufitare sipas parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve, në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Konventën e OKB-së mbi Ligjin e Detit, përfshirë nëse është e nevojshme, juridiksionin e detyrueshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
Ky fakt nuk u bë i ditur nga qeveria shqiptare gjatë ditëve të kaluara ku u promovua fort çelja e negociatave.
Më herët, më 4 korrik, Edi Rama zhvilloi një vizitë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku foli edhe për çështjen e hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai pohoi se ende nuk ka dakordësi mes dy vendeve për të çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Shqipëria i qëndron idesë se paraqitja e çështjes së zonave detare me Greqinë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për t’u zgjidhur në bazë të parimeve ligjore, i shërben interesit të të dy palëve.
Por, përpara se të hedhim këtë hap, duhet të arrijmë marrëveshjen e nevojshme për ta çuar këtë çështje në GJND dhe kjo marrëveshje ende nuk është arritur.
Siç mund ta dini, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një procedurë dakordësie ndërmjet avokatëve dhe ekspertëve teknikë të secilës palë. Ekipet tona respektive pranë ministrive përkatëse janë duke punuar dhe ne mbetemi të angazhuar për të ecur në këtë drejtim”, tha Rama.
Më 19 korrik 2022 BE hapi negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kjo erdhi pas një vendimi të Këshillit më 25 mars 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit, i cili u miratua nga anëtarët e Këshillit Evropian më 26 mars 2020, si dhe pas miratimit nga Këshilli më 18 korrik 2022 të Kornizës Negociative për negociatat me Shqipërinë, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.