Βerisha, Meta e Rama janë bαshkë… Po iku njëri, ikin të tre!

Nga Sokol Pepushaj

Treshja Berisha, Meta, Rama, janë bashkë… Po iku njëri, ikin të tre. Koha i trimëron, i ngurtëson, i bymen, i tmerron. Edhe ata e dinë se do të duhet ta kalojnë jetën në burg, se njerëzia i urren, se Bota i identifikon si peshkaqenë e oktapodë.

Nuk mund të thuash se Ilir Meta nuk është “Peshk i Madh”, as se nuk po vallëzon përmbi akullnajat e “Foltores” e “Rilindjes”.

Të gjithë liderët, politikanët e pushtetarët, janë bashkë, ecin nëpër misterin estetik të padukshmërisë, “gdhendin” portretin e thyer të lidershipit antiamerikan në zemër të Europës.

Piktori ka shumë skica vizatimi për liderin e opozitës, por doktori ka më shumë simbole të pakapshme nga budallenjtë që fshihen nëpër defterët e partive, të njohura si ‘qitapët’ e hurit e litarit.

Kjo është “ezheja” e “zemërimit” të Britanisë së Madhe me “Peshqit e Mëdhenj” që njëlloj si Amerika, nuk do t’i lejojë në territorin e vet.

Kemi hyrë në zonën e “zjarrit”.

Prandaj parlamenti është bosh, si tek inceneratorët që përditë vidhen miliona dollarë në emra të tjerë, por SPAK nuk kupton kush i jep as kush i merr. SPAK-u, përveçse nuk kupton, është edhe shurdh. Sidomos diplomatët e huaj nuk i dëgjon fare. Ngjan se këta Spakasit më shumë se ligjit i besojnë fallit.

Edi Rama bën magji…

Të vetët, edhe SPAK-un, i ka në rresht, si ushtarët. Kurse opozitën e ka bërë o budallaçkë, o pasanike. 140 meshkuj e femra që qelbin nga aroma e parfumeve, mbushin plot boshllëk ekonominë, drejtësinë, sigurinë kombëtare e qytetare.

Ligjvënësit shtiren sikur janë nisur drejt BE-së dhe kanë marrë “bukën” me vete, por në “trastë” nuk kanë as fjalën më të thjeshtë, të nisë hetimi nga Edi Rama e deri tek më varfanjaku, Pandeli ‘Dhëmballa’ me 5 milion euro në Qipro.

Miliona dollarë kanë të tërë, po reagime nga të vjedhurit nuk gjen. Madje, janë vetë hajdutët që i kanë dalë për zot reformës në Drejtësi. Këta janë prijësit e betejave antikorrupsion; Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama e Fatmir Mediu, Ky i fundit, vogëlush përpara të tjerëve dhe është milioner enigmatik, me status të dënuari në Itali dhe lavdi në betejat e botës arabe me amerikanët në Irak, ku me Shkëlzen Berishën kanë shitur fishekë kinezë e kanë tallur prapanicën edhe me atë filmin e hollywood-it që flet për tregti armësh për llogari të SHBA, duke abuzuar,  mbyllur kontrata shumë milionë dollarëshe e duke jetuar si sheikë.

Se kemi sheikë të urryer, kemi gjuhë të dashur me audiencën.

Është fakt kokëfortë.

Për gjithsecilin kriminel e hajdut që arrestohet apo do të arrestohet, me një klikim të thjeshtë, dosjen e keni të “gatshme” diku mes rreshtave të Pamfletit.

Mund të shprehemi pra, se nuk do të vjedhë Edi Rama e të burgoset Lefter Koka, nuk do mbushë thasët me flori Ilir Meta, nuk do të ngrejë zërin si Lugat mes shpirtrave të këqij Sali Berisha, nuk do të mund të luajë bixhoz me miliona dollarë Fatos Nano, shqiptarët nuk do mbajnë në darkë barkun me duar e të nesërmen të duartrokasin ata që u japin pilaf në këmbim të votave.

Po me cilën “komandë” ndërrohen “stacionet”?

“Stacionet” e të nesërmes, janë ndërruar. Këta nuk e duan BE-në, se janë në tjetër drejtim, në kulmin e vjedhjes, në vrapimin më dinamik, në podin më të lartë antiamerikan, në kapërcyellin Yuri Kim, ku papritmas u rrëzuan për të mos u ngritur kurrë më. Në këtë “stacion” shqiptarët janë “ulur” e nuk lëvizin pa ua dëgjuar mendimin ambasadorja Yuri Kim se Berisha, Meta e Rama janë bashkë, po rindërtojnë lidershipin antiamerikan./Pamfleti