Ηije DΥSHIMI mbi 4,3 MILIΟN eurοt shtesë të rrugës Korçë-Ersekë!

Shtatë muaj pas shembjes së rrugës Korçë-Ersekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ndryshoi kontratën duke i shtuar 4,3 milionë euro të tjera projektit.

Kryeministri Edi Rama pretendon se riparimi i rrugës u bë me shpenzimet e kompanisë, ndërkohë që ekspertët përmes dokumenteve zyrtare, argumentojnë të kundërtën.

Pasditen e 18 shkurtit, rruga e re Korçë-Ersekë u shemb.

Teksa kolonjarët prisnin përurimin e saj, rruga u nda në mes në vendin e quajtur Qafa e Qarrit, duke e bërë aksin të pakalueshëm.

Qeveria e kaloi në heshtje shembjen masive të rrugës që prodhoi reagime nga komuniteti si dhe akuza nga opozita.

Deri në muajin qershor, Autorieti Rrugor Shqiptar refuzonte të bënte të ditur shkakun e shembjes së rrugës.

Pas një sërë komunikimesh përmes koordinatorit për të drejtën e informimit, ARRSH  këmbëngulte se ishte në proces vlerësimi mbi riparimin e defektit, ndaj nuk mund të ndante përgjigje shteruese. Faji mbetej jetim.

Përcaktimi i shkakut të shembjes do të ndante ‘shapin nga sheqeri’, pasi gjetja e ‘fajtorit’ lidhej direkt me faturën e dëmit.

Kush do të paguante për riparimin e rrugës- firma apo qytetarët?

U deshën shtatë muaj që qeveria të fliste për rrugën. Të dielën e 13 tetorit, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet e tij sociale një video të rrugës së përfunduar.

 ‘U vunë shumë kuje e u hodh shumë baltë për një rrëshqitje të rrugës gjatë punimeve, e cila u rindërtua me shpenzimet e bëra tërësisht nga firma. Qesh mirë kush qesh i fundit’, shkruante kryeministri.

FAKT

Një muaj më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ndryshoi kontratën me A.N.K -kompaninë ndërtuese të rrugës Korçë-Ersekë duke i dhënë 4,3 milionë euro të tjera pa TVSH. Me këtë shtesë, ndërtimi i lotit të dytë të rrugës arrin vlerën e 26 milionë eurove pa llogaritur 20% e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Autoriteti Rrugor rendit katër arsye që diktuan ndryshimin e kontratës për herë të dytë brenda vitit.

Rishikim i projektit të urës mbi përroin e Selenicës

Rishikim i projektit në lidhje me përmirësimin e tabanit të rrugës

Ndryshime të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me faktin në terren

Ndryshime të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me preventivin

Asnjë nga këto arsye nuk lidhet direkt me shembjen që ndodhi në pjesën e parë të lotit të dytë.

4,3 milionë eurot shtesë, Autoriteti Rrugor thotë se i përkasin segmentit tjetër të rrugës- pjesës së dytë të lotit të dytë.

Por djalli fshihet në detaje. Rishikimi i projektit në lidhje me përmirësimin e tabanit të rrugës, sipas inxhinier Romeo Nazarkos, vërteton se shtesa e fondit është bërë për të mbuluar ndër të tjera edhe dëmin financiar të shembjes.

‘Duke u nisur nga buletini i tenderit, por edhe nga historiku i kësaj rruge me procedura fiktive si në projektm dhe tenderim por edhe në mbikqyrje të punimeve, konstatohet se në këtë shtesë tenderi janë maskuar dhe punime që kanë shërbyer për rregullimin e pjesës së shembur.’ – argumenton Nazarko.

Një element tjetër që vërteton që kjo shumë ka sherbyer dhe për pjesën e shembur është dhe vendodhja e përcaktuar në faqen 127, ku shprehet që “objekti realizohet në afersi të një zone të banuar (fshati Mollas)’, shton inxhinieri, duke nxjerr në pah faktin që dëmtimi i rrugës ishte në hyrje të fshatit Mollas.

‘Një element që gjithashtu tregon fiktivitetin e këtyre punimeve është shuma prej 19% nga 20% që lejohet shtesë fondi, një përqindje afer kufirit maksimal, pa e argumentuar pse është 19% dhe nuk është 15%.’– përfundon ai.

Rruga Korçë – Ersekë është gjithsej 35 kilometër e gjatë, standard normal i kategorisë C, me vetëm një korsi.

Ndërtimi i aksit u nda në dy lote. Loti i parë me gjatësi 18 kilometra u bë gjatë qeverisjes demokrate me kosto totale 15 milionë euro.

Ndërsa loti i dytë me gjatësi 17 kilometra u tenderua nga qeveria aktuale me një vlerë fillestare 5 miliardë lekësh ose gati 48 milionë euro.

Por këtë vit, faturës së kripur iu shtuan gjithsej 9,4 milionë euro përmes dy procedurash modifikimi të kontratës.

Me këto ndryshime, kosto totale e rrugës 72,4 milionë euro pa TVSH. Rruga Korçë-Ersekë duhet të përfundonte në qershor të 2023.

Por afati u shty me një vit dhe teksa pritej inagurimi, një pjesë e rrugës u ‘shkërmoq’. Çështja është depozituar në SPAK nga një avokat korccar, ndërsa afati i ri për përurimin e rrugës është çështje javësh.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se ‘rrëshqitja e rrugës gjatë punimeve, u rindërtua me shpenzimet e bëra tërësisht nga firma’ e kategorizojmë si gjysmë të vërtetë./Faktoje