Një raport i fundit nga OBSH ka zbuluar se 1 në 3 persona në të gjithë botën preken nga probleme neurologjike.
Këto probleme në përgjithësi prekin trurin, palcën kurrizore ose muskujt dhe mund të çojnë në çrregullime të lëvizjes ose ndryshime në emocione dhe sjellje.
Por mjekët specialistë thonë se ky problem nuk është vetëm jashtë vendit, por edhe në Shqipëri.
Sipas tyre trendi në rritje për këto probleme vjen për dy arsye.
“Rritja progresive e rasteve lidhet me dy këndvështrime, jetëgjatësia është rritur tashmë dhe ka dhe ndryshim të mënyrës së jetesës dhe kjo e shton sëmundshmërinë. Janë të gjitha grupmoshat të prekura, grupmoshat e reja kanë qenë prezentë në këtë sëmundje, kuptohet që kontingjenti më i rrezikuar janë mosha e tretë personat mbi 60 vjeç sepse edhe sëmundjet bashkëshoqëruese janë më të shprehura tek to.
Por goditjet cerebrale janë më shpeshtat.
“Stroke, aksidentet vaskulare cerebrale ishemike apo hemorragjike ngelet në vend të parë të sëmundjeve për shtim dhe rrezikshmëri. Është patologjia me e rrezikshme, pastaj janë krizat epileptike, sëmundjet e dëmtimit të shtyllës kurrizore”.
Apeli kryesor i mjekëve është mosneglizhenca e shenjave të para që shfaqin këto probleme.
“Shenjat janë të karakterit të ndryshëm, ato që duhen vlerësuar menjëherë janë çrregullimet e të folurit, paaftësia për të komanduar apo ndjerë siç duhet anësitë, vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit, çrregullime të shikimit”.
Të dhënat tregojnë se edhe vdekjet e parakohshme të shkaktuara nga problemet neurologjike janë rritur me 18% që nga viti 1990.