Kosova prodhon dronin e parë, Kurti përuron “Skifterin”: Po ndërtojmë të ardhmen e industrisë së mbrojtjes
Gjilani është bërë sot qendra e një zhvillimi të rëndësishëm për industrinë e mbrojtjes në Kosovë, ku kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përuruar dronin e parë të prodhuar në vend, të quajtur “Skifteri”.
Ky dron është ndërtuar nga kompania vendore “Future Minds Academy”, e cila operon në qytetin e Gjilanit. Në një postim në Facebook, Kurti e cilësoi këtë arritje si një hap të madh drejt zhvillimit të kapaciteteve teknologjike dhe të mbrojtjes në Kosovë.
“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronët civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR.
‘Made in Gjilan’ përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h.”, shkruan Kurti.
Kryeministri theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për këto iniciativa, duke premtuar përkrahje si në nivel qendror ashtu edhe lokal.
“Në mbrojtje e siguri kemi investuar duke blerë nga shtetet tona mike dhe partnere dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger. Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri.”, shtoi ai.
Me përurimin e “Skifterit”, Kosova ka hyrë në fazën e prodhimit të dronëve luftarakë, duke synuar pavarësi teknologjike dhe ngritje të kapaciteteve vendore.