Ora Zero për Teheranin! Mund të evakuohet nëse nuk bie shi deri në fund të vitit

Teherani mund të evakuohet për shkak të mungesës së ujit, nëse nuk bie shi deri në fund të vitit, paralajmëroi presidenti Masoud Pezheskian në një fjalim televiziv.

Irani po përballet me thatësirën më të keqe në dekada këtë vit. Në Teheran, fenomeni është “i paparë në një shekull”, tha një zyrtar lokal.

“Nëse nuk bie shi, do të na duhet të fillojmë racionimin e ujit në Teheran rreth fundit të nëntorit ose fillimit të dhjetorit”, tha presidenti në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror.

“Nëse nuk bie shi deri atëherë, do të kemi mungesë uji dhe do të na duhet të evakuojmë Teheranin”, vazhdoi ai, pa dhënë detaje se si mund të ndodhë kjo në një metropol me dhjetë milionë banorë.

Drejtori i kompanisë së ujit të kryeqytetit, Behzad Parsha, tha të dielën e kaluar se qyteti mund të mbetet pa ujë të pijshëm brenda dy javësh. Diga Amir Kabir, një nga pesë që furnizon Teheranin me ujë të pijshëm, përmban “vetëm 14 milionë metra kub ujë, ose 8% të kapacitetit të saj”, tha ai, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA.

Konsumi i ujit ulet

Të mërkurën, drejtori rajonal i kompanisë së ujit, Mohsen Ardakani, tha në televizionin shtetëror se banorët e Teheranit e kishin ulur konsumin e ujit me 10% në gjashtë muajt e fundit. “Nëse arrijmë 20%, do të jemi në gjendje ta mbajmë situatën të qëndrueshme për një ose dy muaj, derisa të bjerë shi”, tha ai.

Klima në Teheran është e thatë dhe e nxehtë në verë. Vjeshta ndonjëherë sjell shi, ndërsa dimrat mund të jenë të ashpër, me reshje të dendura dëbore. Për arsye ekonomike, furnizimi me ujë është ndërprerë në shumë lagje të qytetit kohët e fundit, siç ndodhte shpesh gjatë verës, raportuan mediat lokale. Në korrik dhe gusht, gjatë një vale të nxehti, dy ditë u shpallën ditë feste për të kursyer ujë dhe energji.

Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, sasia e reshjeve në Iran këtë vit ka rënë në 152 milimetra, ose 40% e mesatares gjatë 57 viteve të fundit. Në disa provinca, sasia e reshjeve është ulur me 50-80%, tha Mohammad Reza Kavanpour, kreu i Institutit të Kërkimeve të Ujit, duke paralajmëruar se vendi “duhet të përgatitet për një situatë kritike”.