Një debat i fortë dhe akuza të rënda janë hedhur në emisionin “Review” në Euronews Albania, ku e ftuar ishte transgjinorja Luana Myrto.
Në një rrëfim të drejtpërdrejtë, Myrto tha se është ndjerë e manipuluar dhe e keqpërdorur nga përfaqësues të komunitetit LGBT+, duke pretenduar se pas premtimeve për mbështetje, ajo është përballur me mashtrime, kërcënime dhe presion psikologjik.
“Më morën nga familja, LGBT-ja pra, më futi te streha. Isha me 10-ta në nota, në gjimnaz dhe më premtuan se do më fusnin në shkollë dhe më lanë…Shqetësimi im ishte se unë doja të vazhdoja shkollën dhe më premtuan se do të vazhdoja shkollën, dhe më premtuan se do të vazhdonim shkollën dhe më morën dhe më cuan te kjo streha e LGBT nën moshë. Familja ishte e varfër nuk më mundësonte vazhdimim e shkollës. Ka ndodhur në vitin 2018, isha 14 vjeç. Do kisha trokitur diku tjetër dhe jo te këta më kupton. Do kisha dëgjuar më shumë familjen. Isha pa suport, sepse këta këto gjejnë, këtu fillon. Që i kapin këto në rrjetat e tyre. Je në trupin e gabuar, ne nuk të shohim grua ty, deri sa ti të marrësh hormone dhe të gjithë ato që punon si punonjëse seksi për shkak të këtyre, i linin mbrapa dere dhe fusnin vetëm ato që ishin produkt i ri. I merrnin nga 16 vjeç, 14 vjeç, 13 vjeç.”-u shpreh ajo.
Sipas saj, qëllimi i vërtetë i disa anëtarëve të këtij komuniteti ishte përfitimi financiar në emër të mbrojtjes së personave LGBT, ndërsa në realitet, sipas saj, shumë prej tyre përfundonin të pambrojtur dhe të braktisur.
“Na premtonin që do na blinin telefon, që do na siguronin kushte më të mira, por as rroba të përdorura nuk na jepnin! Më lanë në mëshirë të fatit dhe nëse do kisha qëndruar atje, do shkoja drejt prostitucionit, ashtu siç kanë bërë me shumë të tjera,” – shtoi ajo me tone të forta emocionale.
Myrto deklaroi se më vonë ka zgjedhur të largohet dhe të transferohet në një tjetër shoqatë, duke pohuar se e ka marrë këtë vendim për të shpëtuar nga një sistem që, sipas saj, shfrytëzon personat vulnerabël për përfitime ekonomike e politike.
“Ata marrin miliarda në emër të mbrojtjes së komunitetit, por nuk ngrejnë asnjë institucion real që të ndihmojë njerëzit që janë vërtet në nevojë. Këta njerëz duhet të jenë pas hekurave,” – përfundoi Myrto.
Nga ana tjetër, në deklaratën nga shoqata LGBT, thuhet se Myrto e ka bërë vetë situatën e saj publike duke mohuar faktin se ajo është marrë nga prindërit. Shoqata nënvizon se Luana u strehua në qendër me pëlqimin e saj, dhe më tej thuhet se rasti u trajtua me prioritet dhe u vendosën masa emergjente mbrojtëse nga Shërbimi Social Shtetëror për Luana Myrton.
“Deklaratë PËR OPINIONIN PUBLIK
Në emisionin “Review” në Euronews Albania, të transmetuar më 8 nëntor 2025, Znj. Luana Myrto, e prezantuar si aktiviste transgjinore, ka bërë disa akuza në drejtim të shërbimit të Qendrës “Streha”.
Luana, në gjendjen civile është e regjistruar si E. Myrtollari, i datëlindjes XX/07/1999. Duke qenë se ajo e ka bërë vetë situatën e saj publike, ne kemi detyrimin të sqarojmë opinionin publik mbi rrethanat dhe procedurat ligjore të ndjekura për menaxhimin e rastit.
Luana, ka përfituar nga shërbimet e Strehës në tre periudha të ndryshme: në vitin 2015, në vitin 2018 dhe në vitin 2020.
Ndryshe nga sa është deklaruar në media, Luana nuk është “marrë” nga familja dhe futur në qendër, por vendosja e saj në shërbim ka qenë rezultat i një vendimi të institucioneve shtetërore për mbrojtje emergjente, në koordinim me strukturat përkatëse, përkatësisht Shërbimi Social Shtetëror Durrës dhe më pas nga Qendra e Specializuar “ARSIS”, pasi në atë kohë ishte 16 vjeç dhe në situatë të lartë rreziku.
Në atë periudhë, vlerësimi zyrtar i kryer nga institucionet shtetërore identifikoi një rrezik real për shfrytëzim dhe trafikim, për shkak të qëndrimit jashtë mjedisit të sigurt familjar dhe kontakteve me të rritur që mund të cenonin mirëqenien e saj. Për këtë arsye, rasti u trajtua me prioritet dhe u vendosën masa emergjente mbrojtëse nga Shërbimi Social Shtetëror, pasi nëna e saj hoqi dorë nga përgjegjësia prindërore dhe kujdestaria ligjore, duke firmosur formalisht përpara një noteri publik.
Me referim nga strukturat shtetërore dhe me pëlqimin e vetë Luanës dhe , ajo u strehua në qendrën tonë për një periudhë provizore dhe përjashtimore tre mujore, derisa institucionet përgjegjëse të siguronin një zgjidhje përfundimtare. Saktësojmë, se strehimi ishte i përkohshëm dhe përjashtimor sepse qendra “Streha” është e specializuar të punojë vetëm me individë mbi 18 vjeç. Kjo zgjidhje e përkohshmë erdhi me kërkesën e institucioneve përkatëse, të cilat ishin në pamundësi kapacitetesh për të adresuar menjëherë, në atë moment, nevojat komplekse të Luanës.
Në vijim, në bashkëpunim me autoritetet dhe zinxhirin institucional, ajo u transferua pranë qendrës “Tjetër Vizion”. Kjo qendër është një institucion i specializuar në punën me të mitur. Pjesë e planit individual të ndihmës për Luanën ishte edhe shkollimi i saj. Kështu, ajo është regjistruar në një gjimnaz të qytetit të Elbasanit.
Pas përfundimit të studimeve dhe pas arritjes së moshës madhore, Luana është paraqitur me vullnetin e saj të plotë disa herë në qendrën tonë për të kërkuar mbështetje, dhe çdo herë është trajtuar sipas protokolleve profesioniale të mbrojtjes dhe mirëqenies, përfshirë pagesën e një pjese të tarifave universitare që mundësuan shkollimin e saj. Ne kemi ofruar asistencë strehimi, mbështetje psikosociale dhe orientim drejt shërbimeve të tjera kur kjo ka qenë e nevojshme.
Theksojmë, se qendra “Streha” është e përkushtuar ndaj ruajtjes së konfidencialitetit dhe dinjitetit të çdo përfituesi, por në rastet kur informacioni publikohet vetë nga përfituesi dhe krijon shqetësim publik dhe indicie për fillim të ndjekjes penale, ne kemi përgjegjësi institucionale të japim sqarimet tona mbi mënyrën e trajtimit të rastit. Çdo veprim i yni në lidhje me menaxhimin e rastit është i dokumentuar detajisht në dosjen individuale të personave që marrin shërbime, i mbajtur në formën e kërkuar nga ligji dhe rregulloret e aplikueshme dhe lehtësisht i verifikueshëm.
Ne i qëndrojmë me rigorozitet të gjitha procedurave të ndjekura mbi menaxhimin e rastit E. Myrtollari dhe ftojmë Prokurorinë dhe organet e ndjekjes penale të nisin menjëherë hetimet e nevojshme, në mënyrë që transparenca dhe e drejta e personit të mbrohen plotësisht, por pa cënuar në asnjë rast sigurinë, seriozitetin dhe funksionalitetin e institucionit tonë. Qendra “Streha” do të vazhdojë të ofrojë mbështetje me profesionalizëm, në përputhje me detyrimet ligjore dhe pa paragjykim për çdo person LGBTI+ që ndodhet në situatë rreziku apo nevoje”, thuhet në deklaratë.