Një atentat i rëndë kriminal ka tronditur sot kryeqytetin, ku në zonën e “Rinasit” u ekzekutua Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ndërsa mbeti i plagosur rëndë Muçi Shaljani, sheqeri, oficer i Shërbimit të Inteligjencës së Policisë së Shtetit. Ngjarja e ndodhur në një nga zonat më të sigurta të vendit ka ngritur dyshime të forta për përfshirjen e strukturave policore në këtë atentat.
Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi menjëherë përmes një postimi të fortë në rrjetet sociale, ku akuzoi drejtpërdrejt policinë si bashkëpunëtore në ngjarje.
“Miq, njëri nga banditët më të fortë të Milit të Partisë apo Emiliano Shullazit u ekzekutua sot publikisht para Komisariatit të Rinasit. Dani po vinte nga Spanja dhe pasi zbriti nga avioni ishte në makinë i shoqëruar nga inspektori i shërbimit inteligjent të narko-policisë, shoferini drejtorit të këtij shërbimi, Muçi Shaljani, i cili mbeti i plagosur rëndë. Ky ekzekutim publik ndodhi në vendin më të sigurt të Shqipërisë dhe nuk mund të ndodhte aty veçse me bashkëpunim të ngushtë të policisë me vrasësit,” shkruan Berisha, duke shtuar se “vrasësit dogjën makinën në Halil, por policia çuditërisht nuk mund të shkonte atje.”
Sipas tij, “roli i narko-policisë në këtë vrasje mbetet për t’u hetuar”. Reagimi i tij ka ndezur debat të gjerë politik dhe publik, ndërsa ngjarja po konsiderohet një ndër atentatet më të sofistikuara të viteve të fundit.
Atentati i përgjakshëm në Rinas
Ngjarja ndodhi pasditen e sotme, menjëherë pasi Dani kishte mbërritur nga Spanja me avionin e linjës së orës 13:55. Sipas të dhënave zyrtare, atentati ndodhi rreth orës 14:20, kur viktima dhe shoqëruesi i tij po dilnin nga zona e aeroportit në drejtim të Tiranës.
Gazetari Trashëgim Sokolaj deklaroi se ngjarja është zhvilluar brenda 25 minutash, me një organizim që ai e përshkroi si “krim afër perfeksionit”.
“Një person i maskuar është afruar te makina dhe ka qëlluar nga afër me një armë të shkurtër. Më pas u verifikua se ishte një pistoletë. Fillimisht makina është qëlluar me breshëri, duke bërë lëvizje të çrregullta, e më pas autori e ka afruar dhe e ka qëlluar për vdekje,” tha Sokolaj për mediat.
Sipas tij, autorët kanë qenë shumë të informuar për lëvizjet e viktimës, duke ditur saktësisht orën e mbërritjes dhe itinerarin. “Avioni mbërriti në 13:55 dhe vrasja ndodhi rreth orës 14:20, që tregon se ata e prisnin. Krimi është kryer në mënyrë shumë të organizuar, pa asnjë reagim nga viktima apo agjenti që e shoqëronte,” shtoi gazetari.
Pas atentatit, autorët kanë djegur automjetin e përdorur për arratisje në zonën e Halilit, ku policia mbërriti me vonesë, duke hapur sërish pyetje mbi mënyrën e reagimit të strukturave ligjzbatuese.
Hetimet dhe dyshimet
Policia ka ngritur disa pista hetimore, përfshirë konfliktet e vjetra të viktimës me grupe rivale kriminale, por nuk përjashtohet as mundësia e rrjedhjes së informacionit nga brenda strukturave të sigurisë.
Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja kallashnikovi dhe pistoletë, ndërsa pritet ekspertiza e kamerave të sigurisë së aeroportit dhe bizneseve përreth.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të vendit ku ndodhi — në hyrje të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit, i cili konsiderohet një nga zonat më të ruajtura në Shqipëri.
Hetimet vijojnë, ndërsa pyetjet për përfshirjen e mundshme të elementëve brenda sistemit të rendit dhe sigurisë mbeten ende pa përgjigje.