Tiranë – Pas atentatit në Rinas ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë agjenti i AMP-së Muçi Shaljani, debati politik ka shpërthyer me forca të reja. Ngjarja kriminale po përdoret si pikë referimi në akuzat e ashpra mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Debati nisi kur Berisha deklaroi publikisht se i vrari Gilmando Dani kishte shërbyer si bodigard i ministrit Gonxhja, një pretendim të cilin ministri e quajti “gënjeshtër të pastër” dhe paralajmëroi se do ta çojë në gjykatë.
Berisha: “Jam gati për gjykatë, Gonxhja ka lidhje me bandat”
I pyetur nëse do të përballet në gjykatë me ministrin, Berisha u shpreh prerë dhe vijoi me akuza edhe më të forta:
“Absolutisht. Gonxhe punoi me bandat, dhe një nga banditët ka qenë edhe ky. Kjo është e provuar.”
Ish-kryeministri e rriti më tej tonin politik, duke deklaruar se, sipas tij, ministri Gonxhja është një “produkt i bandave” dhe ka pasur lidhje të ngushta me grupe kriminale të Vorës gjatë fushatave në Tiranë:
“Gonxhe bashkë këtë dhe me bandën e Vorës ka qenë njeriu më i lidhur.”
Berisha gjithashtu pretendoi se ka dëshmitarë, të cilët do t’i paraqesë nëse çështja shkon në gjyq:
“Do t’i nxjerr dhjetëra dëshmitarë. Këto nuk bëhen me dokumente, por i dinë të gjithë.”
Gonxhja: “Akuza të rreme, do përballen me drejtësinë”
Nga ana tjetër, ministri Blendi Gonxhja i ka cilësuar të gjitha deklaratat e Berishës si shpifje politike, duke theksuar se do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për t’i hedhur poshtë këto pretendime në gjykatë. Ai ka refuzuar kategorikisht çdo lidhje me individë të përfshirë në ngjarjen kriminale të Rinasit.
Burime pranë ministrisë theksojnë se Gonxhja është duke përgatitur dokumentacionin për procedimin civil dhe penal ndaj ish-kryeministrit.
Pritet një betejë e fortë ligjore
Ky përplasja pritet të kthehet në një nga proceset më të shoqëruara me tensione politike të vitit, meqë përfshin:
- një ministër të qeverisë aktuale,
- një ish-kryeministër të opozitës nën hetime,
- dhe akuzat për lidhje me botën e krimit, të cilat mund të rëndojnë klimën politike në vend.