Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me banorët e njësisë nr. 2 në Tiranë, ka bërë me dije se qeveria e tij ka ngritur grupe negociatore me Greqinë për të njohur vitet e punës për emigrantët shqiptarë.
Rama ka thënë se pensionet për shqiptarët në Greqi ka qenë më e vështirë pasi në vendin shqip numri i emigrantëve është më i madh.
“Përmes njohjes së pensioneve me Greqinë, guri i fundit i mozaikut. Me Italinë ia arritëm. Kjo me Greqinë është e forta fare për shkak se Greqia nuk është Italia në kuptimin e mundësive dhe numri është shumë i madh”, ka thënë ai.
“Kemi filluar punën me Greqinë, janë ngritur grupet që diskutojnë dhe jam shpresëplotë që do ta arrijmë dhe këtë”.
Sakaq, tema ku u përqendrua më shumë diskutimi me qytetarët ishte lirimi i hapësirave publike – nismë e nisur nga korriku për t’i hapur rrugën Rilindjen Urbane 2.0, e cila ka arritur deri tani në çlirimin e 100 mijë metrave katrorë.
Rama në bashkëbisedim me banorë të njësisë 2 në kryeqytet, vuri në dukje se mungesa e e kopshteve dhe çerdheve aq sa janë të nevojshme ndodh për disa arsye duke renditur rritjen e popullsisë së Tiranës më shpejt se sa janë mundësitë për ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve.
Së dyti, sipas Kryeministrit Rama, problematikë mbetet hapësira publike.
“Ne po arrijmë të imponojmë hapësirën publike si një hapësirë ku pavarësisht titullit të pronësisë nuk mundet dot të zaptohet, të rrethohet, të përdoret për aktivitete të tjera, pa pasur një leje shfrytëzimi”.
E dyta, sipas Kryeministrit Rama është diçka e sanksionuar me ligj kur bëhet fjalë për një ndërtim në një pronë, si banesa, apartamente, jo shtëpi private.
“Pronarët bëjnë një marrëveshje me një ndërtues dhe gjithçka që është rreth ndërtimit nuk është më as e pronarit as e ndërtuesit, është e komunitetit dhe kështu duhet të ishte prej kohësh. Të dyja këto problem të trashëguara nuk janë zgjidhur me parë, edhe sot hasin në vështirësi për shkak të injorancës dhe korruptimit të gjykatësve. Sepse duhet të jesh o injorant ose i korruptuar që t’ia mohosh komuniteteve të drejtën që të kenë hapësirat e tyre, duke i njohur atyre që qoftë kur e kanë pronën e tyre ndërtojnë aty pa leje duke pasur një të drejtë që nuk u takon në kurriz të komunitetit”, vijoi ai.
Kreu i Qeverisë, u shpreh se nuk e cilëson normale veprimin kur një Kryeministër apo një tjetër funksionar publik tregon me gisht, apo tregon fotografinë e një gjykatësi duke thënë që ka bërë një akt armiqësor ndaj komunitetit.
“Por, për mua është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që ankohen në një komunitet të caktuar të mos mendojë se ai lokali nuk prishet se nuk do X-i apo Y-i apo është korruptuar inspektori përkatës. Ai nuk prishet sepse gjykatësi i ka dhënë të drejtë të bëjë biznes në një hapësirë që mund të jetë prona e tij, por ai s’ka të drejtë ta shfrytëzojë nëse nuk ka një leje ndërtimi, jo nga ato pseudolejet që i ka lëshuar minibashkia për pseudopunime të përkohshme që janë farsa të cilat duhet të marrin përgjigje në gjyq”.
Rama tha se “gjykatësit tani janë më të përmbajtur”.
“Nëse ne duam të ndërtojmë një shkollë apo kopsht, aty ku hapësira është e lirë dhe prona është private, atëherë duhet ta shpronësojmë. Nuk mund të jetë prona e pasistemuar aty për sa kohë është hapësirë publike kur pronari të marrë leje le të bëjë çfarë të dojë. Dje ishte arritur shifra e 100 mijë metra katrorë të liruara nga zaptuesit. Ku po bëhen projekte përkatëse për t’i kthyer në hapësira në dispozicion të komunitetit”.
Rama u shereh se asnjë metër katror i ndërtuar pa leje nuk do të lejohet dhe fenomeni i patolerueshëm i ndërtimit jashtë lejes do të vazhdojë të goditet.
Rama e bëri këtë deklaratë gjatë një dëgjese publike me qytetarët e Njësisë Nr.2 në kryeqytet, teksa risolli në vëmendje operacionin që ka nisur në Farkë për goditjen e çdo metri katror, të bërë siç tha Kryeministri nga “një lloj babëzie për të shitur më shumë dhe shumë shtrenjtë në kurriz të qytetit dhe komunitetit”.
“Nuk kanë për t’i gëzuar dot ata që i kanë bërë. Ose do shemben, duke hedhur në erë vilat, ose duke i shembur në mënyrë mekanike, ose do të merren mbrapsht dhe aty do të bëhen çerdhe, kopshte”, tha Rama.
Rama pohoi se sot është diskutuar mbi kthimin e një vile të madhe në çerdhe ose kopsht.
“Kudo ku ka mundësi ato metra katrorë të merren mbrapsht dhe të kthehen në hapësira që i shfrytëzon bashkia për shërbime publike apo zyra për institucione të Qeverisë”.
“Jam besimplotë që ky mandat me këtë fuqi që na kanë dhënë njerëzit që na kanë votuar, do të jetë mandati që do t’i vërë vulën shumë gjërave dhe do të vulosë pakthyeshmërinë e proceseve të nisura. Duke filluar nga kryefjala e të gjitha fjalive që është ulja e Shqipërisë në tryezën e BE-së si e barabartë mes të barabartëve”, tha Rama.