SHBA i kërkon Greqisë të largojë kompaninë kineze nga porti i Pireut!

Administrata Trump i ka kërkuar Greqisë që të largojë pronarët kinez që kanë në zotërim portin e Pireut. Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, në një intervistë me televizionin lokal Antenna TV, deklaroi se është koha që Porti i Pireut t’i hiqet Kinës dhe të dalë sërish në shitje.

“Është për të ardhur keq, por mendoj se ka mënyra për ta anashkaluar këtë, që diçka të mund të zgjidhet, pavarësisht nëse ndjek një rrugë për rritjen e prodhimit në fusha të tjera ose ndoshta që Pireu të mund të jetë në shitje. Mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi infrastrukturë amerikane këtu për të ndihmuar në mbështetjen e rajonit. Ndoshta, në fakt, për të rritur prodhimin nga portet dhe zonat e tjera për të balancuar ndikimin kinez me portin e Pireut”, tha ambasadorja e SHBA.

Guilfoyle shtoi se Uashingtoni e sheh Greqinë si një qendër energjie në rritje, thelbësore për sigurimin e pavarësisë energjitike “për t’iu kundërvënë interesave ruse dhe kineze”.

Kina investoi shumë në Greqinë e mbytur në borxhe gjatë krizës së gjatë ekonomike të vendit, me qëllim që ta bënte atë një qendër për eksportet kineze. Athina e joshi në mënyrë aktive Pekinin, ndërsa kompanitë nga vendet e tjera perëndimore i kthyen shpinën Greqisë, të frikësuara nga problemet e saj financiare dhe burokracia famëkeqe.

Cosco, kompania shtetërore kineze e transportit detar, siguroi shumicën e aksioneve në portin më të madh të Greqisë, Pireun, në vitin 2016, duke e bërë atë një pjesë kyçe, të ashtuquajturën kokën e dragoit, të projektit të saj global të infrastrukturës, të njohur si Iniciativa “Një Brez, një Rrugë”.

Greqia shiti portin e Pireut nën presionin e kreditorëve evropianë të vendit dhe Cosco ishte e vetmja kompani që paraqiti një ofertë.