
Marta Kos
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, në një intervistë për DW, foli në lidhje me hapjen e kapitullit të fundit të bisedimeve me Shqipërinë.
Ndër të tjera, Kos u pyet edhe për hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe arratinë e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Kos tha se “nuk është e lumtur që dëgjon këto raste”, por theksoi se ky është një hap përpara pasi këto çështje janë zbuluar, pasi kjo tregon se institucionet anti-korrupsion po punojnë.
DW: Ju përmendët SPAK, gjithashtu përmendët prokurimet publike. Të gjitha këto na sjellin në mendje rastin e zv.kryeministres aktuale që është nën hetim. Ka gjithashtu edhe një ish-zv.kryeministër në arrati. Në të dyja rastet kemi korrupsion të nivelit të lartë.
Marta Kos: Për mua është një hap përpara se këto çështje janë zbuluar. Nuk jam e lumtur që dëgjoj këto raste. E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, por kjo tregon se institucionet anti-korrupsion po punojnë. Siç e kam thënë më parë, ne gjithashtu kemi raste korrupsioni brenda Bashkimit Europian.















