15 muaj pas vrasjes brutale të Egli Progës në Pogradec, sot asnjë prej 5 të akuzuarve nuk është në qeli.
Me vendim të Gjykatës së Korçës, 3 ditë më parë, kanë lënë qelinë edhe dy vrasësit e dyshuar.
Leonidha Guçe dhe Denis Meçe dolën nga paraburgimi, pasi prokuroria shkeli afatet, dhe Gjykata e Korçës caktoi ndaj tyre masën arrest shtëpie, deri në përfundimin e hetimeve.
Ndërkohë, Arjan Manellari, Voltan dhe Andi Shkullaku, të akuzuar për moskallëzim krimi, po hetohen prej kohësh në masën detyrim paraqitjeje.
Vrasja e Progës ndodhi më datë 10 gusht 2024, por Prokuroria e Korçës ende po vijon me hetimet.
Çështja ka “ngrirë” në zbardhjen e kamerave të sigurisë të sekuestruara në lokal “Stropcka” ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa pamjet filmike të fshira janë çuar jashtë Shqipërisë për ekspertim dhe për rikthim të tyre.
Por duket se vonesa në dokumentimin e plotë të ngjarjes është bërë shkak që pala mbrojtëse e Denis Meçes dhe Leonidha Guçes të kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë për ta.

Aktualisht pritet që ata të ndjekin vijimësinë e hetimeve jashtë qelisë, ndërsa ata akuzohen për vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim.
Leonidha Guçe fillimisht ishte hetuar vetëm për moskallëzim krimi, por 9 muaj pas vrasjes Prokuroria zbuloi se edhe ai kishte marrë pjesë në rrajën brutale të Progës, bashkë me Denis Meçe.
Çfarë ndodhi?
Pasditen e 10 gushtit në lagjen 1 të Pogradecit, 42 vjeçari Egli Proga baba i dy fëmijëve u dhunua për vdekje.
Jashtë lokalit ka qenë autori, Denis Meçe me dy të tjerë Arjan Manellari dhe Leonidha Guçe, ndërsa brenda lokalit ka qenë dhe një shtetas vetëm, edhe ai duke pirë.
Autori Denis Meçe u largua nga vendgjarja, por u arrestua vetëm disa ditë më vonë ndërsa në pranga përfunduan edhe 3 personat të cilët deklaruan se nuk kishin parë asgjë nga ngjarja e rëndë.
Bashkë me të, për moskallëzim krimi u proceduan edhe Voltan Shkulaku, Arjan Manellari dhe Leonidha Guçe.
Galeria fotografike (
1 / 4
)





