Nga Lorenc Vangjeli
Mandati i parë i Edi Ramës në 2013-ën shpjegohet me epërsinë e strategjisë politike, sinergjisë njerëzore si dhe qortimit të gabimeve të së shkuarës. E majta mundi të bashkojë dy grupimet e saj më të mëdha, PS e LSI dhe rezultati ishte shifra prej një milion votash përballë një PD-je me individë të pasur, klane edhe më të ngopur dhe me shumicën dërmuese të ministrave që mezi prisnin të dilnin në opozitë për të shijuar jetën pa stres me çfarë kishin vjelë në pushtet. Veterani Sali përballë tij e Metës, injoroi atëherë këshillën e vjetër të gjuetarëve: Mos dil kurrë në gjueti me zagarë të ngopur e pa uri. Ata nuk vrapojnë kurrë. Berisha u mposht nga hesapi mbi logjikën, nga hilja e ekonomistit mbi veshjen e luftëtarit, nga egoizmi vetjak mbi vijimin e sakrificës për të tjerët.
Mandati i dytë i Edi Ramës në 2017-ën shpjegohet me një kryevepër vetjake taktike e tij. Në 2017-ën nuk i duhej të ishte as më i fortë dhe as më i bashkuar me pjesë e fraksione politike të së majtës. I mjaftonte ndarja, mosbesimi dhe paranoja mes kundërshtarëve të tij të paditur e naivë, egërshakë e të çoroditur. Miqtë dhe kundërshtarët e Ramës madje shkojnë dhe më tej duke lartësuar shefin e tyre si strateg që nuk ju desh më shumë se 12-13 milionë euro, sa kushton një gjyq arbitrazhi kundër Shqipërisë, për të “blerë” fitoren që meritonte dhe e shijoi vetë. Mos mposht gjithë ushtrinë armike, mjafton të bësh aleat komandantin e saj, këshillojnë strategët e luftës. Dhe kështu ndodhi. Rama kishte mësuar nga Sali Berisha që në Shqipëri nuk ka nevojë të jesh më i fortë se kundërshtari. Del e tepron që kundërshtari të jetë më i dobët!
Mandati i tretë i Edi Ramës në 2021-shin shpjegohet nga psikologjia. Atëherë kur më shumë se nikoqir i drejtimit të shtetit, punëve publike apo menaxhimit të parave publike, Rama u dëshmua kryemjeshtër i menaxhimit të dobësive njerëzore. Duke nisur e stisur beteja të rreme të përditshme, por gjithmonë i fokusuar në luftën finale në ditën e zgjedhjeve, duke afruar e mikluar me rradhë kundërshtarët dhe vanitetin e tyre, duke ju imponuar politikës lokale me politikën ndërkombëtare, ai afronte ndeshje ku të donte, si të donte dhe me mjetet që zgjidhte po vetë. Një pararendes i hershëm i tij si ish-mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu, pothuaj një shekull më parë, Rama bëri identik të njëjtën gjë kur ju imponua i vetëm gjithë Shqipërisë. Djegia e mandateve dhe bojkoti idiot i zgjedhjeve lokale dy vjet përpara zgjedhjeve të përgjithshme, nuk ishin qershia mbi tortë, por vetë torta me kopësht qershish rrotull, që Piter Pani i parritur politikës shqiptare Lulzim Basha, e dhuroi si prostituta virgjërinë e tjetrës.
Mandati i katërt i Edi Ramës në 2025-ën shpjegohet vetëm nga letërsia. Me një linjë zhvillimi ngjarjesh në kampin përballë që ai jo vetëm e parashikonte, por edhe ndikonte mbi to, si vullneti i shkrimtarit mbi personazhet e tij, me një aradhë matrioshkash të ngjashme në ngjyrë, formë, portret apo aromë në kampin e tij, gjithmonë e më i vetmuar dhe i larguar nga njerëzit me të cilët kishte nisur marshimin e tij për të marrë në fillim bashkinë e Tiranës, pastaj partinë e të majtës e më tej gjithë Shqipërinë, Rama morri i vetëm mandatin e katërt të personalizuar nën emrin e tij dhe pa bërë askënd bashkaksioner në triumfin e tij gjithashtu personal.
Si të gjithë shkrimtarët, më shumë se lexuesit të ditës, ai tashmë ka luksin të përfytyrojë fatin e tij si personazh i historisë. Një Fan Nol modern me atlete e kravatë në vend të veshjes asketike të Peshkopit gojëtar, Rama ka mundur të krijojë një realitet paralel mes të vërtetës me shumë fytyra dhe fytyrës së përditshmërisë. Dhe lumturia apo fatkeqësia e atyre që e dëgjojnë apo mohojnë, është zgjedhje individuale, varësisht se në cilin lloj realiteti zgjedh gjithkush të jetojë.
Në të tre këto beteja të përgjithshme elektorale, padyshim kishte dhe një mori faktorësh joelektoralë. Që nga ata që ndryshojnë rezultatin jo vetëm me presje dhjetore e deri tek filozofia e imponimit të garës së pabarabartë në ditën e finishit, që nga organizmi kapilar i një trupe të disiplinuar elektorale si PS-ja e deri tek rekrutimi part time i botës së errët dhe parave që kurdoherë nuk mbajnë erë. E mbi të gjitha, herë duke “blerë” qenin roje të kundërshtarit e herë duke e ushqyer atë me dorën e tij për të lehur më pak.
Ka një histori të jashtëzakonshme që ngjan si e dalë nga letërsia, por që është totalisht reale. Në fund të viteve 80-të, në një nga dimrat e egër me stuhi e dëborë në qytetin e Korçës ka pasur një seri të pabesueshme vjedhjesh në pastiçeritë e qytetit. Përdorej i njëjti truk gjithmonë dhe policia ishte e bindur se ishte një grup i vetëm autor i vjedhjeve sepse teknika e përdorur ishte gjithmonë e njëjta. Vjedhjet ndodhnin gjithmonë natën; thyhej vetrata e xhamtë me gur dhe pastaj grabiteshin ëmbëlsirat, që nga tortat e mbetura e deri tek ingranazhet pesëdhjetë qindarkëshe. Seriali i vjedhjeve vazhdoi deri sa rasti solli dhe zbulimin e fajtorit. Ishte një adoleshent me flokë të kuqe e quka në fytyrë, jo më shumë se 12-13 vjeç, që hynte natën si vjedhës në çdo pastiçeri, siç hynte ditën si klient i uritur. Deri kur ishte vendosur të hante ëmbëlsirat që kishte vjedhur pikërisht brenda dyqanit. Dhe, siç thuhej të nesërmen në çdo mëhallë të Korçës, kishte ngrënë aq shumë sa e kishte zënë sheqeri dhe më pas edhe gjumi i thellë në vendin e krimit. E kapën ndërsa flinte gjumin e thellë të mbingopjes.
Edi Rama ndoshta nuk e ka dëgjuar kurrë këtë histori të hershme korçare, e cila nuk shpjegon ende se kush ishte viktima e kush ishte agresori, kush kishte bërë faj e kush ishte fajtori. Detaje më shumë mund t’i tregojë Nikoja i Kuvendit, për shembull, nëse pyet edhe ai vetë shokët e tij të vjetër, por jo të rinjtë. E më pas, gjykimin përfundimtar mbi taktikat e strategjitë e mandatit të tij të katërt, Rama është i ndëshkuar t’i bëjë vetë. Gjenerali që ka fituar çdo betejë deri tani, i duhet të fitojë luftën finale të së nesërmes: luftën me vetëbesimin dhe bindjen se në Tiranë nuk mund të ndodhë gjithçka! Në fund, të fundit, pesha e një politikani matet me shumën e armiqve që ka përballë. Dhe për momentin, ata janë marshallah, madje gjenden më shumë në rradhët e miqve sesa në rreshtat e armiqve.
Rama ka një nevojë të dëshpëruar që të rigjejë neverinë e tij të djeshme prej artisti rebel ndaj analfabetëve budallenj, gëmushave e shkurreve pa rrënjë, gonxheve me gjëmba e mediokërve të padobishëm që e rrethojnë kudo. I nevojitet divorci me dashuritë e rreme dhe servilët e mrekullueshëm që dinë të thonë fiks atë që atij i pëlqen të dëgjojë për momentin. Politikani atipik dhe i fundit i këtij tranzicioni, që ai vetë do ta mbyllë më në fund mbas shpinës së tij, një rimishërim fantastik i Ahmet Zogut me Fan Nolin e Sali Berishën njëherësh, e di më mirë se kushdo, që kur gomerët hyjnë në tempull, shndërrohet tempulli në stallë dhe jo gomerët në profetë! Siç ka konvertuar ai vetë me dhjetra të tillë. Askush tjetër nuk ka mundur ta bëjë më mirë këtë lloj konvertimi të gjësë së gjallë sesa Edi Rama, ky iluzionist i jashtëzakonshëm i këtyre viteve drithëruese për Shqipërinë!
P.S., si Post Scriptum dhe jo si Partia Socialiste!
Po Enver Hoxha ku është? Ku është Enveri? Enverizmi nuk ka vdekur kurrë në Shqipëri. Enverizmi është gjallë; ai jeton i rimishëruar edhe tek antikomunistët më antikomunistë në Republikën e ZeqiLandit.