Ndryshon loja? Ukraina g*det fr*kshëm brënda në Rusi me raketat balistike amerikane, ATACMS, dalin detajet

Ushtria ukrainase tha të martën se kishte sulmuar caqe ushtarake në Rusi me raketa ATACMS të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar ngjarjen si “zhvillim domethënës”.

Ukraina më parë nuk ka deklaruar haptazi se e përdor sistemin e avancuar të raketave balistike për të vënë në shënjestër pika brenda Rusisë, edhe pse kufizimi i përdorimit të tyre ishte hequr nga administrata e ish-presidentit amerikan, Joe Biden, para një viti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Përdorimi i kapaciteteve sulmuese me rreze të gjatë, përfshirë sistemet si ATACMS, do të vazhdojë” – thuhet në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës të martën.

Kievi i kishte pranuar këto raketa në vitin 2023, por fillimisht ishte i kufizuar që ato t’i përdorte vetëm brenda territorit të Ukrainës.

Joe Biden, president i Shteteve të Bashkuara atë kohë, i kishte hequr kufizimet në nëntorin e vitit 2024, veprim që fillimisht ishte kritikuar nga pasardhësi i tij, Donald Trump.

Ukraina ka kërkuar raketa amerikane “Tomahawk”, të cilat kanë rreze veprimi prej 2.500 kilometrash, duke thënë se ato do ta ndihmonin që ta detyrojë Rusinë për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve.

Edhe pse Trumpi fillimisht e kishte lënë të hapur idenë e shitjes së tyre në Ukrainë, në nëntor tha se ai “nuk po e shqyrtonte vërtet” këtë veprim./Nacionale

Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë konfirmuar për herë të parë përdorimin e raketave amerikane Army Tactical Missile Systems (ATACMS) kundër objektivave ushtarake në territorin rus, njoftoi më 18 nëntor Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Konfirmimi vjen pas muajsh të tërë gjatë të cilëve një proces rishikimi në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së i jepte Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të drejtën të bllokonte goditjet me rreze të gjatë brenda Rusisë me raketa amerikane – çka në praktikë kishte penguar përdorimin e ATACMS kundër objektivave në Rusi që nga fundi i pranverës, raportoi The Wall Street Journal më 23 gusht.

Presidenti amerikan Donald Trump më 21 gusht deklaroi se Ukraina “nuk ka asnjë shans të fitojë” nëse nuk lejohet të godasë territorin rus dhe kritikoi ish-presidentin Joe Biden për faktin se nuk i kishte lejuar Kievit të “kundërpërgjigjej, por vetëm të mbrohej”.

Edhe pse kjo është goditja e parë e konfirmuar zyrtarisht nga Shtabi i Përgjithshëm, është raportuar gjerësisht se Ukraina kishte përdorur ATACMS në territorin rus më 19 nëntor 2024, kur goditi një arsenal rus në Karachev, një qytet në perëndim të Rusisë.

Shtabi i Përgjithshëm tha se goditja e 18 nëntorit ishte “një zhvillim i rëndësishëm që nënvizon vendosmërinë e palëkundur të Ukrainës për sovranitetin e saj”.

“Pavarësisht presionit të vazhdueshëm të ofensivave ruse, ukrainasit mbeten të palëkundur, duke treguar vendosmëri dhe qëndrueshmëri të vazhdueshme në mbrojtje të atdheut. Përdorimi i kapaciteteve të goditjeve me rreze të gjatë, përfshirë sistemet si ATACMS, do të vazhdojë,” thuhej në deklaratë.

Detaje të mëtejshme të sulmit nuk ishin dhënë në momentin e publikimit.

Kanalet ukrainase në Telegram, përfshirë Exilenova+, raportuan se banorët e Voronezhit në Rusi kishin dëgjuar shpërthime dhe aktivizim të mbrojtjes ajrore si pasojë e një sulmi me raketa.

ATACMS janë raketa balistike të furnizuara nga SHBA, me rreze veprimi deri në 300 kilometra. Ish-presidenti Biden kishte lehtësuar kufizimet për përdorimin e tyre në nëntor të vitit 2024, duke i lejuar Ukrainës t’i përdorë kundër objektivave ushtarake brenda Rusisë.

Ukraina mori versionet me rreze më të shkurtër të ATACMS në vjeshtën e vitit 2023. Në pranverën e vitit 2024, SHBA filloi furnizimin me modele të përmirësuara. Në atë kohë, Kievit i lejohej të përdorte raketat vetëm kundër objektivave në territoret ukrainase të pushtuara.