Vuçiç akuzohet se ishte pjesë e një grupi snajperësh që vriste civilë boshnjakë, shfaqen pamjet e tij gjatë Luftës së Bosnjës (VIDEO)
Presidenti i Serbisë është akuzuar për përfshirje në skandalin e njohur si “safari i snajperëve” në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjës, ku dyshohet se të huaj të pasur paguanin shuma të mëdha për të qëlluar mbi civilë.
Aleksandar Vuçiç dyshohet se ka qenë i pranishëm në një nga pozicionet ushtarake mbi qytet, nga ku thuhet se këta të huaj paguanin për të qëlluar banorët gjatë rrethimit të Sarajevës, nga viti 1992 deri në vitin 1996.
Janë publikuar edhe pamje video që pretendohet se e tregojnë atë si i ri, teksa udhëton me një automjet me katër rrota, në bagazhin e të cilit ndodhej një kafkë njerëzore me një përkrenare të kaltër të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.
Pretendimet kundër Vuçiç, të cilat ai i mohon kategorikisht, janë ngritur nga gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiç. Ky i fundit ka paraqitur një ankesë ndaj presidentit pranë prokurorëve italianë, të cilët tashmë po hetojnë akuzat se italianë, rusë dhe amerikanë kanë marrë pjesë në “safari me snajperë” gjatë konfliktit.
Margetiç deklaroi: “Kam informuar zyrën e prokurorit publik për të gjitha njohuritë e mia lidhur me përfshirjen e Aleksandar Vuçiç në safaritë njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës. Kam bashkëngjitur të gjitha provat: materialet video, dokumentacionin fotografik, audio dhe atë mediatik të asaj periudhe.”
Në parashtresën e tij, ai pretendon se Vuçiç ishte “anëtar i një njësie paraushtarake nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe gjatë viteve 1992–1993”. Sipas tij, njësia ishte e stacionuar në pozicion lufte pranë varrezave hebraike në Sarajevë, të cilat ishin përdorur si pikë snajperësh nga forcat serbe.
Gjatë rrethimit, më shumë se 10,000 njerëz u vranë nga bombardimet dhe zjarri i snajperëve.
Margetiç shton se informacionet “e vendosin Vuçiçin pa asnjë dyshim në kohën dhe vendin e këtyre krimeve”. Ai citon pamje filmike të vitit 1993 që, sipas tij, e tregojnë Vuçiçin duke mbajtur një pushkë. Ndërkohë, mbështetësit e presidentit serb i kanë hedhur poshtë pretendimet duke thënë se objekti në video nuk ishte armë, por një trekëmbësh kamere televizive, pasi Vuçiç në atë kohë punonte si gazetar.
Prokurorët në Milano hapën hetime pasi morën informacion se italianë të pasur ishin ndër të huajt që paguanin për të qëlluar civilë boshnjakë. Dyshohet se mbi gratë, fëmijët dhe burrat me uniformë vendoseshin edhe “shpërblime”.
“Turistët e luftës” dyshohet se organizoheshin nga milicitë serbe të Bosnjës nën komandën e Radovan Karaxhiçit.
Zëdhënësja e presidentit, Suzana Vasiljeviç, tha për The Telegraph: “Pretendimet e gazetarit Domagoj Margetiç përfaqësojnë një rast tipik të dezinformimit dashakeq, të ndërtuar me qëllim të cënimit të besueshmërisë institucionale të Republikës së Serbisë dhe presidentit të saj. Presidenti Vuçiç nuk ka marrë pjesë në aktivitete luftarake, nuk ka përdorur armë dhe nuk ka pasur rol në asnjë operacion lufte.” Ajo shtoi se akuzat janë “të motivuara politikisht” dhe synojnë të “minojnë reputacionin ndërkombëtar të Serbisë”.
Një dokumentar i publikuar në vitin 2022 nga një regjisor slloven, me titull “Sarajevo Safari”, ngriti akuza të ngjashme për të huaj që merrnin pjesë në “safari lufte gjatë fundjavës”.
Lidhur me videon e fundit që pretendohet se e tregon Vuçiçin me automjetin ku shihet një kafkë, një burim serb tha se makina nuk ishte e tij dhe se “automjete të tilla gjendeshin kudo në zonën e luftës”.
Pretendimet për ardhjen e të huajve të pasur për “safari snajperësh” janë mbështetur edhe nga ish-diplomati italian Michael Giffoni, i cili shërbeu si zëvendëskryetar i misionit diplomatik të Italisë në Sarajevë. Ai deklaroi se sapo mbërriti në qytet, në vitin 1994, iu tha: “Po organizohen safari. Shumë të pasur po vijnë këtu – disa janë gjuetarë, të tjerë biznesmenë. Ushtria dhe paraushtarakët i çojnë në kodrat mbi Sarajevë dhe ata paguajnë për këtë.”
Sipas tij, shërbimi italian i inteligjencës SISMI u informua për turizmin e luftës dhe, në bashkëpunim me inteligjencën boshnjake, arriti të ndalonte mbërritjen e italianëve. Megjithatë, autoritetet italiane nuk arritën të identifikonin asnjë shtetas të tyre që mund të ketë marrë pjesë në të shtënat ndaj civilëve. “Po të kishim pasur një emër, do ta kishim ndjekur penalisht,” tha Giffoni.
Ekspertë të Ballkanit thanë për The Telegraph se akuzat mund të jenë të vërteta, por kërkojnë trajtim të kujdesshëm. Dr. Helena Ivanov, nga Henry Jackson Society, deklaroi: “Shumë gjëra të tmerrshme ndodhën gjatë luftës, por pati edhe histori që rezultuan të rreme. Pretendime tronditëse duhet të hetohen plotësisht dhe me transparencë.”
Videoja ku duket Vuçiç me automjetin e zbukuruar me një kafkë u publikua nga eksperti i Ballkanit, Jasmin Mujanovic. Ai tha se ka “prova në rritje, përfshirë dëshmi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, për ekzistencën e ‘safarive njerëzore’ të kryera nga forcat nacionaliste serbe për llogari të turistëve të pasur të huaj”.
Mujanovic theksoi se akuzat janë “të besueshme”, por kërkojnë “prova të jashtëzakonshme” për t’u konfirmuar. Ai shtoi se çështja duhet të hetohet nga agjencitë italiane dhe ato ndërkombëtare: “Shpresojmë që këto të rezultojnë thjesht legjenda urbane, duke pasur parasysh tmerrin që nënkuptojnë. Por nëse janë të vërteta, duhet të ngrihen akuza të rënda penale ndaj të gjithë atyre që janë përfshirë.”
