Historia e rikthimit të Szczesny në futbollin profesionist është thuajse si një roman plot aksion e aventura, me kthesën klasike në fund. Pak ditë pasi kishte njoftuar publikisht lamtumirën dhe mbylljen e karrierës, u gjend i detyruar të rishikonte çdo plan personal, familjar e profesional. Ai u rikthye titullar te Barcelona, ku luan ende sot. Një vendim i marrë nga pasioni dhe dashuria për këtë sport, aq sa pranoi të luante pa fituar asgjë në sezonin e parë katalanas. “Ato që mora, ia dhashë të gjitha Juventusit.”
Lamtumira nga futbolli dhe kthesa për të luajtur te Barcelona
Ngjarjet janë tashmë pjesë e një prej historive më të çuditshme e befasuese të futbollit profesionist. Një kampion që zgjedh të mbyllë karrierën ngaqë nuk ka më hapësirë te klubi i tij i fundit, Juventusi. Kështu e ka shpjeguar gjithmonë Szczesny largimin. Sapo kuptoi se nuk ishte më pjesë qendrore e projektit, preferoi të ndërpriste kontratën, të tërhiqej dhe t’i përkushtohej vetes dhe familjes. Por fati ndërhyri. Dëmtimi i rëndë i Ter Stegen, Barcelona në kërkim të një zëvendësuesi urgjent, propozimi i dëshpëruar për Szczesny. Ai pranoi menjëherë dhe sot është ende titullar në një nga klubet më të mëdhenj në botë.
Szczesny dhe rrëfimi për Lewandowskin
Mes shumë anekdotave që rrethojnë ato ditë kur ai vendosi të ndryshonte jetën e tij përgjithmonë, ende ka disa të pashfaqura që portieri polak pëlqen t’i tregojë. Ai nuk e ka fshehur kurrë se një ndër arsyet kryesore pse Barcelona e kontaktoi ishte miqësia e madhe me bashkëkombësin Robert Lewandowski, edhe ai te Barça:
“Tre ditë para se të njoftoja zyrtarisht tërheqjen time, i thashë Lewy-t se nuk doja të luaja më për asnjë klub… përveç Barçës”, tregoi për GQ Polonia.
“Dhe kur më telefonuan, me siguri e dinin se mund të më bindnin shumë lehtë.”
“Praktikisht luajta falas”
Kështu ndodhi: Szczesny ndryshoi menjëherë vendim, por pasi u konsultua me familjen dhe të afërmit e tij. Pranoi të vishte sërish dorezat dhe të merrte një vend titullari te një klub prestigjioz, një ofertë që vetë ai e ka quajtur marrëzi ta refuzoje. Jo për para: “Nuk ishte se kisha humbur pasionin. Thjesht nuk isha i entuziazmuar nga ofertat e disa klubeve të mëdha. Nuk bëhej fjalë për të negociuar çmimin. Nuk doja të luaja vetëm për para.”
Dhe kështu erdhi zbulimi i ri: te Barcelona ai luajti një vit pothuajse falas. “Po, është e vërtetë, sezonin tim të parë te Barcelona luajta praktikisht falas. Çfarë mora nga klubi, ishte saktësisht shuma që duhej t’ia ktheja Juvens për ndërprerjen e parakohshme të kontratës.”
Ndërprerja e kontratës dhe klauzola: sa “i detyrohej” Juventusit
Largimi nga Juventusi u bë në mënyrë të njëanshme: Szczesny nuk do të pranonte kurrë të qëndronte si portieri i dytë pas blerjes së re, Di Gregorio. Pas 7 vitesh te klubi, 8 trofeve të fituar (3 kampionate, 3 Kupa të Italisë, 2 Superkupa), në verën e vitit 2024 ai njoftoi ndërprerjen e kontratës para afatit. Kontratë e rinovuar automatikisht deri në qershor 2025.
Asnjë penalitet, asnjë veto nga Juventus, por një marrëveshje “zotërinjsh”. Ndërprerja e parakohshme përfshinte një klauzolë prej 2 milionë eurosh. Një shumë që Szczesny nuk deshi ta linte pezull dhe që u mbulua nga paga e tij e re te Barcelona, po 2 milionë euro në sezon.