Qeveria daneze ka vendosur një “Night Watch” (roje nate) në ministrinë e Jashtme, jo për të mbajtur jashtë të egrit dhe “Walker”-at e Bardhë si në “Game of Thrones”, por për të monitoruar deklaratat dhe lëvizjet e Donald Trump teksa Kopenhageni fle.
“Roja e natës” fillon punën në orën 5 pasdite, sipas orës lokale, çdo ditë, dhe në orën 7 të mëngjesit harton dhe shpërndan një raport në qeverinë daneze dhe departamentet përkatëse rreth asaj që u tha dhe ndodhi.
Kuptohet se kjo lëvizje është bërë pas përplasjeve diplomatike midis Kopenhagenit dhe Uashingtonit mbi Groenlandën këtë pranverë, kur presidenti amerikan kërcënoi të merrte kontrollin e ishullit Arktik.
Gazeta vendase “Politiken” tha se iniciativa ishte një nga disa shembuj se si diplomacia daneze dhe shërbimi civil i vendit u detyruan të përshtateshin me realitetin e ri të administratës së dytë Trump.
Një burim pranë ministrisë së jashtme i tha “The Guardian”: “Është e drejtë të thuhet se situata në Groenlandë dhe ndryshimi kohor midis Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara ishin një faktor mjaft i rëndësishëm që çoi në këtë vendim gjatë pranverës.”
Roli i “Rojeve të Natës”
Sipas gazetës Politiken, qeveria daneze ka krijuar brenda Ministrisë së Jashtme një njësi të re, të quajtur “Rojet e Natës”, e cila ka detyrën të ndjekë deklaratat dhe lëvizjet e Trump në orët kur, për shkak të diferencës së madhe kohore, Danimarka mund të jetë më e ekspozuar ndaj nismave të papritura amerikane që mund të kenë në shënjestër Groenlandën.
Shërbimi funksionon çdo ditë nga ora 17:00 deri në 07:00 të mëngjesit. Në fund të çdo turni, hartohet një raport i brendshëm që u shpërndahet ministrive dhe institucioneve, me përmbledhjen e zhvillimeve të natës. Njësia u krijua pas tensioneve të forta mes Kopenhagenit dhe Uashingtonit lidhur me ofertën e Trump për të blerë Groenlandën.
Politiken shkruan se kjo është vetëm një nga mënyrat si diplomacia daneze është detyruar të përshtatet me realitetin e mandatit të dytë të administratës Trump. Një burim pranë ministrisë tha për The Guardian se “situata në Groenlandë dhe ndryshimi i madh i orës mes Danimarkës dhe SHBA-ve kanë qenë faktorë kyç” për krijimin e protokollit të ri që nga pranvera e kaluar.
Në vend që ministrat, zyrtarët dhe autoritetet civile e ushtarake të qëndrojnë gjithë natën duke kontrolluar vetë lajmet nga SHBA-të, Ministria e Jashtme ka ngritur një sistem kolektiv vëzhgimi për të qenë në çdo moment e informuar për Trump, thotë një burim qeveritar.
SHBA nuk është më aleati më i madh i Danimarkës
Sipas Jacob Kaarsbo, ish-analist i agjencisë së inteligjencës së mbrojtjes, kjo tregon se ideja e vjetër se SHBA-të janë aleati më i madh dhe më i rëndësishëm i Danimarkës “tashmë ka rënë poshtë”.
“Aleancat ndërtohen mbi vlera të përbashkëta dhe mbi një perceptim të përbashkët të kërcënimeve. Trump nuk ndahet në asnjërin prej tyre dhe e njëjta vlen edhe për pjesën më të madhe të vendeve të tjera europiane”, thotë ai.
Interesi amerikan për Groenlandën lidhet me pasuritë minerare të ishullit, përfshirë rezervat e çmuara të metaleve të rralla, si dhe me pozicionin strategjik në korridoret e Arktikut. Edhe pse SHBA-të kanë prej dekadash një bazë ushtarake atje, qeveria autonome e Groenlandës ka deklaruar vazhdimisht se “nuk është në shitje” dhe nuk ka ndërmend të bëhet territor amerikan.
Si anëtare e NATO-s, Danimarka është zyrtarisht aleate e ngushtë e SHBA-ve. Ndërkohë në Groenlandë ka parti që kërkojnë pavarësinë nga Kopenhageni, por jo që të përfundojnë si koloni e Amerikës. Dhe tani, mbi gjithë këtë çështje, vigjilojnë edhe Rojet e Natës.