Tuneli më i gjatë dhe i thellë nënujor po ndërtohet në Norvegji që synon të shkurtojë distancën kohore midis qyteteve dhe të bëhet pjesë e një autostrade pa tragete përgjatë bregut perëndimor.
Tuneli 27 kilometra i gjatë quhet Rogfast (Rogaland fastforbindelse) sipas rajonit ku ndodhet dhe fjalës norvegjeze për “lidhjen e rregulluar”.
Në pikën më të thellë do të jetë 392 metra nën nivelin e detit.
Ndërtimi nisi në janar 2018, por u ndal në fund të 2019 për shkak të kalimit të kostove të parashikuara që sollën anulimin e kontratave ekzistuese dhe ristrukturimit të projektit.

Puna rinisi në fund të 2021 dhe tuneli pritet të përfundojë në 2033 e do të kushtojë përafërsisht 2.4 miliardë dollarë.
Duke zëvendësuar udhëtimet me traget, Rogfast do të pakësojë me 40 minuta distancën kohore mes Bergen dhe Stavanger.
Tuneli do të ketë dy tuba të ndarë, secili me dy korsi dhe do të ketë edhe një rrethrrotullim të dyfishtë në 260 metra thellësi që shkon drejt një tuneli lidhës me bashkinë më të vogël të Norvegjisë, ishullin Kvitsøy.
Ndërtimi i një tuneli me këtë gjatësi dhe nënujor ka disa sfida teknologjike. Për të po përdoren lazerë dhe pajisje të sofistikuara, do të ketë një sistem të përparuar ajrimi, sinjalizues që identifikojnë në kohë reale problemet ose trafikun, kamera dhe radarë për monitorimin e mjeteve.

Projekti Rogfast është pjesë e rimodelimit të autostradës bregdetare E39, një rrugë 1,100 kilometra nga Trondheim në veri dhe Kristiansand në jug.
Sot duhen 21 orë për ta përshkuar me makinë këtë rrugë ku përfshihen shtatë tragete. Synimi është që mos të ketë më tragetë duke ndërtuar tunele dhe ura. Përfundimi nuk pritet të ndodhë para 2050.
Sot, tuneli më i gjatë në botë me një pjesë nënujore është Seikan në Japoninë veriore që është tunel hekurudhor me gjatësi 53.85 kilometra, kurse seksioni nënujor shtrihet 23.3 kilometra.
Tuneli lidhës mes Anglisë e Francës (Channel) është 50.46 kilometra i gjatë, por seksioni i tij nënujor 37.9 kilometra është më i gjatë se Rogfast. Por Rogfast do të jetë më i thellë se të dy tunelet që janë 240 metra dhe 115 metra.
Galeria fotografike (
1 / 2
)



