Zbardhen pyetjet që Strasburgu ka nisur në Shqipëri për rastin e Berishës

Gjykata e Strasburgut u është drejtuar autoriteteve shqiptare me tre pyetje në lidhje me padinë e ngritur nga Sali Berisha.

Pyetja e parë lidhet me parashikimet e vënies në lëvizje të kësaj gjykate, sipas të cilave paditësi si fillim duhet të ketë shteruar pretendimet e tij në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor shqiptar, në këtë rast meqënëse gëzon statusin e ligjvënësit, edhe Gjykatën Kushtetuese.

Në pyetjen e dytë, Strasburgu kërkon informacion nga gjykatat shqiptare në lidhje me masat e sigurisë ndaj tij dhe nëse këto masa janë në përputhje me nenin 5 të Konventës së të Drejtave të Njeriut. Berisha ka ngritur pretendime në Strasburg se masat e sigurisë ndaj tij janë të paligjshme, sipas pikës 4 të këtij neni.

Po në këtë pyetje, Gjykata e Strasburgut rendit katër nënpyetje të tjera. Së pari, Strasburgu pyet nëse garantohet paanshmëria në gjykatën e posaçme që dha vendimin e parë për masë sigurie ndaj tij. Berisha pretendon të kundërtën dhe ka akuzuar për këtë gjyqtaren Irena Gjoka.

Nënpyetja e dytë u drejtohet të gjitha gjykatave. Strasburgu u kërkon vënien në dispozicion të vendimeve që arsyetojnë mbajtjen e tij në arrest shtëpie. Në nënpyetjen e tretë, Strasburgu kërkon vendosjen në dispozicion të dokumentacioneve nëse Sali Berishës iu garantua një mbrojtje ligjore efektive. Për këtë pjesë, avokatët e kreut të PD-së kanë ngritur pretendime se gjykatat nuk kanë marrë në shqyrtim provat e depozituara prej tyre.

Së pesti, Strasburgu kërkon sqarime dhe vënien në dispozicion të afateve kohore të vendimeve të marrë, nëse Berishës i është garantuar një proces brenda afateve të arsyeshme ligjore.

Në fund, Gjykata e Strasburgut pyet nëse masa e sigurisë ndaj Sali Berishës shkelin nenin 3 të konventës së të drejtave të njeriut që lidhet me kufizimet e kryerjes së detyrave të tij si deputet. Kësaj pyetjeje i ka dhënë pjesërisht përgjigje Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Kushtetuesja mori në shqyrtim dy masat e sigurisë, atë të detyrimit për t’u paraqitur dhe ndalimit të daljes jashtë vendit. Sipas gjykatës, detyrimi për t’u paraqitur nuk e kufizon Berishën nga ushtrimi i detyrës si deputet, por ndalimi i daljes jashtë shtetit po.