20-vjeçari gjendet i pajetë në det pas ngjarjes së rëndë në familje, nëna në gjendje të rëndë
Djali 20-vjeçar Rikardo Merkuri është gjetur i pajetë në ujërat e portit të Civitanova Marche, pasi ishte larguar nga banesa e familjes pas një konflikti të rëndë me nënën e tij. Sipas mediave italiane, i riu dyshohet se është hedhur në det, ndërsa trupi i tij u gjet pas disa orësh kërkime intensive.
Si nisi tragjedia
Historia tragjike filloi të premten në mbrëmje, më 20 shkurt, në kohën e darkës në shtëpinë familjare në Pollenza.
Djali Rikardo Merkuri dhe nëna e tij, Albana Kastrioti, pronare e një salloni bukurie, ishin në shtëpi. Babai i tij, Mario Merkuri, një kontraktor i vogël ndërtimi, dhe djali i tij tjetër i madh nuk ishin aty.
Rreth orës 21:00, një fqinj, i alarmuar nga britmat që vinin nga apartamenti, thirri karabinierët.
Kur mbërritën oficerët, 20-vjeçari ishte larguar. E ëma u gjet pa ndjenja në banjo: me sa duket ishte sulmuar dhe rrahur për arsye që janë ende nën hetim. Këtë mëngjes, epilogu tragjik erdhi me gjetjen e trupit në portin e Civitanova Marche.
Hetimet
Ngjarja nisi më 20 shkurt, kur 20-vjeçari u largua me makinë nga shtëpia në Pollenza, në provincën e Maceratës. Sipas hetimeve paraprake, brenda banesës kishte ndodhur një përplasje e dhunshme me nënën 53-vjeçare Albana Kastrioti, e cila mbeti e plagosur rëndë dhe u dërgua në spital.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, i riu është filmuar nga kamerat e sigurisë në zonën e portit të Civitanova Marche. Pamjet tregojnë momentin kur ai hyn në zonën portuale dhe më pas hidhet në ujë. Në një moment ai shfaqet duke dalë në sipërfaqe, përpara se të zhdukej sërish në det.
Operacionet e kërkimit u zhvilluan nga zjarrfikësit dhe roja bregdetare, me mbështetjen e forcave të rendit, duke përdorur edhe dronë gjatë natës. Zhytësit rifilluan kërkimet në agim, derisa trupi i 20-vjeçarit u gjet rreth mesditës së së dielës.
Ndërkohë, nëna e tij ndodhet e shtruar në spital në gjendje të rëndë dhe mbahet në koma të induktuar nga mjekët, por sipas burimeve mjekësore nuk është në rrezik për jetën.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.