Me kapuça në kokë, ja kush janë protestuesit që hodhën molotov tek Kryeministria (FOTO)

Protesta e opozitës ka pasur edhe një moment përshkallëzimi kur në drejtim të Kryeministrisë janë hedhur koktejle të molotovit.

Sulmet në drejtim të godinës së Kryeministrisë filluan me nisjen e fjalimit të mbajtur nga Sali Berisha, nga banesa ku ai ndodhet në arrest shtëpie.

“Të nderuar qytetarë, ruani qetësinë, ndërprisni sulmin me bomba molotov ndaj policisë dhe institucioneve. Organizatorët e protestës të marrin masa të largohen nga protesta personat e dhunshëm e të maskuar” ishte kjo thirrja që po bëhet nga policia me altoparlantë. 

Ndërkohë, në disa foto të siguruara nga Vox News duken protestuesit që hodhën bomba molotovi drejt Kryeministrisë. Ata janë maskuar me kapuça në kokë për të mos u identifikuar nga policia.

Meta sulmon sërish kreun e SPAK-ut dhe fton kosovarët për të rrëzuar Edi Ramën

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në fjalën e tij në protestën e opozitës te Kryeministria, sulmoi sërish kreun e SPAK-ut si dhe ftoi qytetarët e Kosovës për të rrëzuar Edi Ramën.

“Turp për të gjithë ata këshilltarë opozitarë që nuk janë në protestë te bashkia se kanë frikë SPAK-un. Më keni dëgjuar kur them regjimi i Dum Dumanit.

Ky (Edi Rama) e ka bazuar pushtetin e tij kriminal te Dum Dumanët, të cilët thonë afërmendsh që gjykatat do të vendosin atë që kërkon prokuroria. Duhet të mblidhemi të gjithë, t’i vëmë vizën një herë e përgjithmonë këtij regjimi që po zhbën identitetin tonë kombëtar dhe kulturor.

Që kur u çlirua Kosova, armiqtë tanë ndoqën një politikë shumë të mençur dhe ne nuk arritëm të kuptonim strategjinë. U përpoqën ta marrin kalanë nga brenda me Kalin e Trojës. Ai është armiku më i madh i Kosovës, nuk ia ka bërë asnjë Kosovës atë dëm të madh që i ka bërë Rama. Të bashkohemi me Kosovën për të shporrur armikun më të egër të Kosovës, që quhet Edi Rama. Të gjithë duhet të dimë që Rama lobohet në Bruksel e Uashington nga armiqtë e Kosovës, për t’i ngulur thika Kosovës.

Mos harroni se çfarë tha Rama në Kuvendin e Kosovës, tha se shikonte Shqipërinë e Kosovën me President të përbashkët. Ai donte të thonte atëherë që mos ta njihnin Kosovën, pasi në fund shtetet tona do të bashkoheshin. Kosova nuk ka asnjë njohje që kur është bërë Rama kryeministër, ka vetëm çnjohje. Është në shërbim të Serbisë”, tha Meta që sakaq sulmoi edhe drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin.

“Dum Dumani është 4 vjet me vonesë që nuk ka arrestuar Edi Ramën, që ka firmosur 17 vendime qeveria, ndërkohë që ka pasur ministra që i kanë kundërshtuar këto vendime. Filloi hetimi me 5D, por këtu i gjithë shteti është 5D. Erjon Veliaj është 4 vite me vonesë për në burg. Ka vjedhur kompetencat e Këshillit Bashkiak për të futur në borxh të gjithë Tiranën për një incenerator që nuk ekziston”, tha Meta.

E rrallë në Lezhë! Nëna lind beben e saj në ambulancë… “Një histori e bukur që nis me gëzimin e asaj dite”

Një histori e bukur dhe e veçantë ka ndodhur në Lezhë, aty ku një nënë ka sjellë në jetë fëmijën e saj në ambulancë.

Lajmi u nda nga Urdhri i Infermierëve të qarkut, ku shkruajnë se lindja në kushte jo normale u realizua nga mamitë e Maternitetit “Zef Zefaj”.

Siç edhe ata njoftojnë nëna dhe bebi gëzon shëndet të plotë, ndërsa kanë ndarë një foto pak pasi fëmija erdhi në jetë.

“Një histori e bukur që nis me gëzimin e asaj dite. Dhe ndërsa temperaturat e larta pushtojnë vendin, një nënë e re niset drejt Shkodrës për të lindur. Por ja që koha nuk pret për ta realizuar në kushtet normale të një Spitali.

Janë profesionistet mami te Maternitetit “Zef Zefaj” Lezhë, të cilat e realizuan këtë lindje në ambulancën që transportonte këtë nënë.

Gjithçka kaloi normalisht në kushte jo normale, falë kujdesit shëndetësor dhe profesionalizmit. Nëna dhe bebi gëzojnë shëndet të plotë dhe falenderimi shkon përtej përulësisë për këto profesioniste që gëzuan zemrën e Shërbimit shëndetësor dhe mbarë komunitetit!

Duart e arta që na dhurojnë jetë, faleminderit! “, shkruhet në postim.

PD e Himarës nxjerr zbuluar marrëveshjen Berisha-Dule: Nuk na pyeti askush për kandidaturën e Petro Gjikurias

Dega e Partisë Demokratike në Himarë duket se është injoruar tërësisht nga vendimmarrja për përzgjedhjen e kandidatit të opozitës për zgjedhjet që do të zhvillohen më 4 gusht.

Afrovita Dhimojani, kryetarja e degës së PD-së në Himarë, në një reagim në rrjetet sociale, thotë se si drejtuese e PD në Himarë, u informua si te gjithë qytetarët nga mediat për këtë vendimmarrje politike. Ndërsa thekson se dega e PD-së nuk është as informuar dhe as konsultuar përsa i përket kandidaturës, por është vendosur para faktit publik, duke nxjerrë zbuluar në këtë mënyrë se emri i Petro Gjikurias si kandidat i opozitës ka qenë një marrëveshje personale e Sali Berishës me Vangjel Dulen,

“Të dashur Himariot dhe Himariote!

Ditën e sotme u zyrtarizua kandidatura e Koalicionit BF, z.Petro Gjikuria për zgjedhjet e pjesshme të 4 Gushtit.

Si drejtuese e PD Himarë, u informova si te gjithë qytetarët nga mediat për këtë vendimmarrje politike.

Ndjej detyrimin dhe angazhimin për të sjell në vëmendje se ne si degë, nuk jemi informuar e as konsultuar përsa i përket kandidaturës, por jemi vendosur para faktit publik.

Nuk është e drejtë që lufta dhe angazhimi i PD Dega Himarë prej më shumë se nje viti intesiv, të shpërfillet pa u konsideruar, duke luajtur me Himarën dhe fatin e saj.

Konsesusi politik për të diskutuar me bazën kandidaturat potenciale është e vetmja rrugë për të vendosur në vend padrejtësinë e votës Himariote, që u mohua më Datën 14 Maj!

Duke mos e njohur, nuk dua të paragjykoj kandidaturën e zyrtarizuar si një alternativë për më të mirën e Himarës, jemi besimplotë për fitoren e Datës 4 Gusht.

Himara meriton vërtetësi!”, shkruan Afrovita Dhimojani, kryetare e Partisë Demokratike Dega Himarë.

Korridori 8 ‘nënshkruhet’ si rrugë e NATO-s dhe e BE-së: Shqipëria, Italia, Bullgaria e MV nënshkruajnë dokumentin

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nënshkroi gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Uashington, Letrën e Qëllimit për Sigurimin e Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë Korridorit VIII pan-Evropian, me homologët e tij të Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Përmes këtij dokumenti, shtetet angazhohen të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar maksimumin e fleksibilitetit të lëvizshmërinë ushtarake në territoret e tyre në mbështetje të implementimit të agjendës së NATO-s për shkurajimin dhe mbrojtjen në zonën euroatlantike.

Një angazhim i tillë do të shërbejë jo vetëm për misionet NATO, por edhe ato në kuadër të Bashkimit Evropian. Në thelb ky dokument i firmosur u jep mundësi trupave ushtarake NATO-s të zhvendosen shpejt dhe lirshëm nga deti Adriatik në Detin e Zi si dhe të depërtojnë në thellësi të Ballkanit, nëse do të jetë e nevojshme.

Ideja për të patur një dokument të tillë, i cili do të garantojë lëvizshmërinë përgjatë vendeve që preken nga Korridori VIII pan-Evropian është propozuar nga Shqipëria, e cila drejtoi të gjithë procesin e negocimit dhe koordinimit. Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, përgjatë të gjithë procesit ndërvepruan dhe u angazhuan për ta finalizuar këtë nismë gjatë punimeve të Samitit të Uashingtonit.

Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit vjen në mbështetje të vizionit që Shqipëria ka për Korridorin VIII si edhe të master-projektit për ndërtimin e Bazës Detare NATO në Porto Romano, që do të shërbejë si porta kryesore hyrëse në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, në Detin e Zi.

Korridori VIII është konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe pasagjerëve midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore. Ai nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Elbasanit, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.

Lajm i mirë për Gjasulën, vuloset e ardhmja e mesfushorit shqiptar

Klaus Gjasula rinovoi kontratën me skuadrën e futbollit të kategorisë së dytë SV Darmstadt 98. Mbrojtësi 34-vjeçar shqiptar, i cili shënoi një gol në Euro 2024, luan për “zambakët” që nga viti 2021 dhe është paraqitur në 63 ndeshje. Klubi nuk bëri asnjë koment në lidhje me kohëzgjatjen e kontratës së re.

“Klaus është një lojtar profesionist me të cilin ne kënaqemi shumë duke punuar dhe që është i rëndësishëm për skuadrën. Ai i ndihmon lojtarët më të rinj në integrim dhe zhvillim. Rëndësia e tij për një ekip ishte evidente edhe në EURO me Shqipërinë,” tha trajneri i Darmstadt, Torsten Lieberknecht.

Prosperiteti i vazhdueshëm i Klaus Gjasulës në futboll e shtyu atë të zgjasë marrëveshjen e tij me klubin gjerman SV Darmstadt 98, në Bundesligën e Dytë. Performanca e tij mbresëlënëse në EURO për Shqipërinë, duke përfshirë edhe shënimin e një goli në Gjermani, shfaqi aftësitë e tij në një skenë globale.

Pavarësisht se është 34 vjeç, Gjasula e ka treguar vlerën e tij në Hesse, pasi ka marrë pjesë në 63 ndeshje për Darmstadt 98 që nga ardhja e tij në vitin 2021.

Vin Diesel shqiptar? Rita Ora habit me deklaratën: Ai më ka treguar për ILIRËT sepse… (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka zbuluar një detaj interesant teksa ishte duke folur në një “podcast” në SHBA.

Ajo ka thënë se di pak për historinë e shqiptarëve, veçanërisht të ilirëve, dhe çuditërisht, këto histori ia ka rrëfyer aktori i famshëm amerikan Vin Diesel.

“Di një histori ilire, sepse ashtu nisi në Europën Lindore. Këtë gjë e mësova nga Vin Diesel çuditërisht. Disi çdokush lidhet me Shqipërinë, bëj shaka. Po më tregonte që ka shumë histori, dhe se ai kishte një farë lidhje, rrëfenjë të trashëguar”, u shpreh ajo.

Është interesant fakti se përse Vin Diesel është interesuar për historinë e Ilirëve.

Vin Diesel ka deklaruar se ai është “me etni të paqartë”. Nëna e tij ka rrënjë skoceze. Ai kurrë nuk e ka takuar babanë e tij biologjik dhe ka thënë se “gjithçka që di nga nëna ime është se kam lidhje me shumë kultura të ndryshme”.

Raporti i fshehtë – Shqipëria shkaktoi kolapsin energjitik në qershor

Më 21 qershor të këtij viti, papritur u shkëput energjia elektrike në pjesën dërrmuese të Shqipërisë për afro 30 minuta.

Ca më vonë u kuptua se diçka e rëndë kishte ndodhur, pasi e njëjta gjë kishte ndodhur dhe në Malin e Zi, Bosnje e në Kroaci.

Menjëherë në një dalje për mediat ministrja Balluku shpjegoi se kolapsi i ndodhur orientonte si shkak një problem në Malin e Zi, ndërsa shkaku sipas saj lidhej me mbingarkesën e rrjetit për shkak të temperaturave të larta dhe përdorimit të instrumenteve të kondicionimit etj.

Por një raport i hartuar nga vartësit e saj në OST dhe i siguruar nga Hashtag.al (lexoje këtu), sugjeron se  nuk është Mali i Zi, por është Shqipëria shkaktare e kolapsit dhe e efektit kaskadë të krijuar në rrjetin e transmetimit.

Madje raporti zbulon se  tre linja transmetimi në momentin që ndodhi ngjarja ishin jashtë funksioni, sepse në ato linja po bëheshin punime për ndërtimin e rrugëve të reja, përfshirë rrugën Kashar-Thumanë.

Si ndodhi ngjarja

Në momentin kur ndodhi kolapsi, Shqipëria ishte duke importuar sasi energjie nga Greqia, njëherësh duke eksportuar një pjesë të kësaj sasie në Malin e Zi.

Në orën 12:09 të mesditës në një linjë brenda territorit malazez u stakua përcjellja pasi u dyshua dëmtim i rrjetit nga pemët e larta ose një motiv tjetër.

Autoritetet malazeze njoftuan avarinë dhe vetëm 12 minuta më pas, në orën 12:21 ndodhi kolapsi i madh në 4 shtete ballkanike.

Raporti i OST-së thotë se 12 minuta pas ngjarjes në Malin e Zi, në Shqipëri u stakua linja që po importonte nga Greqia, OST-ja gjithashtu ja përvesh përgjegjësinë e këtij stakimi bimësisë, pra kur pemët e larta i afrohen perimetrit të kabllove përcjellës dhe automatikisht sistemi R/L ndërpret përcjelljen.

Por në raportin e vet OST-ja rendit dhe tre pika shumë interesante si shkak që ka nxitur kolapsin.

OST-ja pranon zyrtarisht se vendi ynë prej kohësh mban të stakuara tre kapilarë interkonjeksioni që lidhen me ndërtimin e rrugëve të reja, ato janë:

-Linjat që kalojnë pranë rrugës Thumanë-Kashar,
-Linja që kalon pranë rrugës së re që po ndërtohet në unazën e jashtme të Tiranës
-Linja Fier-Babicë

Nuk dihet nëse OST i ka raportuar në rrjetin energjitik rajonal këto stakime të linjave, por ajo që dihet me siguri është fakti se sistemet matriks të interkonjeksionit, kanë gjithmonë një plan B kur ndodh një avari diku.

Pra, pasi ndodhi avaria në Malin e Zi, OST-ja mund të aktivizonte planin B ose atë që quhet si mbrojtja e ‘nivelit 1’ nga avaritë dhe të kapilarizonte menjëherë rrymën në drejtime të tjera.

Por në momentin që ndodhi avaria në Malin e Zi, tre nga kapilarët kryesorë ishin jashtë funksionit.

“Është njësoj sikur të kesh një autostradë me 10 korsi, aty 10 makina kalojnë njëherësh pa problem. Por nëse papritur autostrada ngushtohet dhe bëhet me një korsi duhet kapilarizuar menjëherë diku tjetër rruga, përndryshe kolapson sistemi, fiket fare dhe rrjeti mbetet me zero energji”, – e shpjegoi me fjalë të thjeshta situatën një ekspert i linjave të transmetimit.

Pikëpyetje mbi punimet publike

Në momentin kur ndodhi kolapsi energjitik, në rrugën Kashar-Thumanë po punohej me ritme të shpejta për përfundimin dhe inagurimin e kësaj rruge.

Një burim jo-zyrtar i tha Hashtag.al se kishte disa javë që linjat e rrymës që kalonin pranë kësaj rruge kishin disa javë që rrinin stakuar.

Si rregull kur gjurma e një autostrade të re, imponon që të zhvendoset dhe linjat e interkonjeksionit, pra të zhvendosen shtyllat dhe kabujt, OST-ja ka një ndërrmarje të posaçme, që brenda 3 ose 4 javësh bën zgjidhjen e situatës me shtylla portative.

Pra instalohen dhe përdoren shtylla portative pranë trajektores së rrugës, me qëllim që kur të hiqen shtyllat e vjetra, të mos ketë stakim të kapilarit.

Të dhënat sugjerojnë se dhe në rrugën Thumanë-Kashar dhe punimet e rrugës së unazës së jashtme të Tiranës nuk është angazhuar kjo ndërrmarje e OST-së që vendos shtyllat portative, por nga OST-ja janë bërë dy prokurime në disa miliona euro, që dy kompani private ta kryenin këtë punë.

Me sa duket “puna” është kryer duke i stakuar fare linjat për një kohë të gjatë, çka dyshohet se solli kufizimin e kapilarëve dhe shndërrimin e një avarie normale në Malin e Zi, në një kolaps total në katër shtete./ Hashtag.al

Aktorja e njohur shokon Greqinë me deklaratën e saj: Shkova të rrëfehesha te prifti në klasë të gjashtë, por ai…

Aktorja e njohur greke Traiana Anania ka bërë një zbulim tronditës kur tha se ishte viktimë e ngacmimeve seksuale nga një prift tek i cili shkoi të rrëfehej kur ishte ende nxënëse e shkollës fillore.

Aktorja dhe këngëtarja e njohur greke, duke folur në podcastin “Dafni Karavokyris”, ka bërë rrëfimin e mësipërm, duke përshkruar me detaje rrëqethëse eksperiencën e tmerrshme që ka përjetuar nga duart e një njeriu që supozohej t’i shërbente Zotit.

“Në kuadrin e një rrëfimi, një rrëfimi normal, ku shkon dhe i rrëfehesh priftit, kisha përjetuar… një ereksion nga babai”, tha ajo, duke e lënë të shtangur gazetaren, e cila sigurisht kërkoi të dinte më shumë.

“Nuk ishte saktësisht prifti i shkollës, por i komunitetit përmes shkollës që kishte dalë, këtë e kisha përjetuar. Nuk më kujtohet si quhet. Nuk mbaj mend kush është, nuk mundem të them kush është, por u bë”, vijoi Traiana.

“Unë nuk isha brenda shkollës kur ndodhi kjo, isha në një aktivitet shkollor. Ishte edhe ai duke u rrëfyer, shkova të rrëfehem. Po i tregoja se si ndihesha për Dimitrakisin, se jam e dashuruar dhe prifti po më thoshte “Më trego më shumë, më trego më shumë”. Dhe kur më tha “eja të të rrëfej” dhe ma vuri kurorën mbi kokë, gjëja që ndjeva nuk ishte normale. Kështu ndodhi. Unë isha në klasën e pestë ose të gjashtë atëherë. Nuk i thashë askujt në atë kohë”, përfundoi aktorja e njohur në zbulimin e saj tronditës.

Lajm i TRISHTË, ndërron jetë papritur infermierja e QSUT!

Është ndarë nga jeta parakohe, infermierja e pediatrisë në QSUT, Liljana Veliaj, në moshën 59-vjeçare.

Lajmi i trishtë është bërë i ditur Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, përmes një postimi në Facebook, ku thuhet se Liljana Veliaj,  ka vdekur si pasojë e një arresti kardiak.

Njoftimi i Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”:

Infermierja e Pediatrisë, Liljana Veliaj, është ndarë nga jeta papritur si pasojë e një arresti kardiak në 08.07.2024 në moshën 59-vjeçare.

Lili, ishte shumë korrekte dhe puna për të ishte pasioni më i madh. Ajo i donte shumë pacientët e vegjël me të cilët punonte çdo ditë si infermiere.

Lili, ishte përherë e para që vinte në shërbim për të hapur dhomën e konsultës së endokrinologjisë me shumë dashuri e pa vonesa, por mëngjesin e 8 korrikut, ajo nuk mundi dot të mberrinte.

Lili la pas shumë dashuri, respekt dhe vlera njerëzore e profesionale.

QSUNT i shpreh ngushëllimet familjarëve të saj