Horoskopi për ditën e sotme, e shtunë, 23 Nëntor 2024

Dashi

Të lindurit e kësaj shenje mund të përballen me disa shqetësime gjatë kësaj dite. Këto shqetësime do të jenë të shtrira në sferën sentimentale, duke bërë që të përhumbeni në mendime.

Demi

Do të jeni nën ndikimin e favorshëm të yjeve, për shkak të pranisë së Marsit, i cili do e bëjë këtë të shtunë mjaft pozitive. Një e shtunë e favorshme parashikohet si në sferën sentimentale edhe në atë profesionale.

Binjakët

Hëna do të jetë e pranishme gjatë gjithë ditës tek të lindurit e kësaj shenje, duke e shtrirë praninë e saj si në sferën sentimentale edhe në atë profesionale. Do të jeni të mbushur me dyshime, lidhur me disa situata që vijojnë të mbeten pezull.

Gaforrja

Më në fund do të hyni në një periudhë të qetë sa i takon sferës profesionale. Do të tregoheni tejet pozitiv dhe gati për të lënë pas çdo problematikë, ndërkohë që sfera sentimentale do të jetë mjaft e favorshme.

Luani

Do të përjetoni një ditë e cila do të jetë e përqendruar kryesisht në gjëra të reja. Do të përfshiheni në sfida të cilat do ju rizgjojnë dëshirën për të vepruar, pavarësisht disa dyshimeve lidhur me të kaluarën.

Virgjëresha

Do të jeni nën ndikimin e favorshëm të yjeve gjatë gjithë kësaj dite. Pavarësisht ndonjë keqkuptimi në nivelin ndërpersonal, në sferën profesionale do të njihni vetëm sukses.

Peshorja

Do të përhumbeni në një sërë angazhimesh profesionale, të cilat do ju marrin shumë kohë. Pavarësisht gjetjes së bashkëpunimit në çift, do të hasni edhe në disa vështirësi.

Akrepi

Nën ndikimin e planetit Mars do t’iu duhet të përballeni me shumë sfida sa i takon sferës profesionale. Yjet këshillojnë që të braktisni çdo ankth dhe frikë, duke vlerësuar më mirë aftësitë tuaja.

Shigjetari

Do të përjetoni disa momente stresi si pasojë e disa fërkimeve profesionale dhe sentimentale gjatë kësaj dite, shkruan noa.al. Po ashtu do ju duhet të ndaleni më gjatë në zgjidhjet që duhet të jepni.

Bricjapi

Do të korrni një sukses të rëndësishëm sa i takon sferës profesionale. Po ashtu do të ndjeni nevojën për të vijuar me angazhimet e rëndësishme, të cilat premtojnë sukses.

Ujori

Gjatë kësaj të shtune do të jeni tejet dinamik! Mundohuni që të shmangni përfshirjen në diskutime në familje, por edhe në ambientin e punës. Gjithçka varet nga ju!

Peshqit

Do të jeni nën ndikimin e favorshëm të yjeve sidomos sa i takon sferës profesionale. Po ashtu duhet të tregoheni më të kuptueshëm në dashuri, me synimin e çuarjes përpara të projekteve të rëndësishme.

Putin: Asnjë komb tjetër nuk ka armë si tonat / Çfarë dimë për raketën ruse ‘Oreshnik’! Përgjigja e Moskës ndaj SHBA-së dhe Britanisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi dje se Rusia sulmoi Ukrainën me raketën me rreze të mesme veprimi të quajtur “Oreshnik”.

Putini tha se sulmi rus ishte përgjigje ndaj veprimit të SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, pasi këto të fundit i dhanë Kievit dritën jeshile për të përdorur armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi kundrejt objektivave ruse.

Lidhur me sulmin rus, i pari i Kremlinit dha dje detaje duke thënë se raketa “Oreshnik”, me të cilën sulmoi Dnipron ka një shpejtësi 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit.

Putini zotohet se “nuk ka mënyra në botë që të luftojmë këtë armë”.

Por përtej shpjegimit të presidentit rus duket se nuk ka një konsensus unanim lidhur me karakteristikat e kësaj arme, shkruan BBC.

Inteligjenca ushtarake ukrainase këmbëngul se raketa me të cilën u godit Dnipro, ishte raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) e njohur si Kedr (kedri).

Një analist ushtarak rus tha për gazetën Izvestiya se mund të jetë version i zvogëluar i kësaj.

Zyrtarët amerikanë, megjithatë, thonë se lëshimi i një rakete të tillë do të kishte shkaktuar një alarm bërthamor në Uashington.

Ndërkohë një tjetër ekspert thotë se raketa mund të ishte krijuar mbi bazën e raketave Iskander me rreze më të shkurtër veprimi – tashmë të përdorura zakonisht në Ukrainë – por me një motor të gjeneratës së re me karburant të ngurtë.

Nëse, siç thotë Putin, është një raketë me rreze të mesme veprimi, rrezja e saj do të ishte 2,500-3,000 km (1,550-1,860 milje), potencialisht duke u shtrirë në 5,000 km. Kjo do ta vendoste pothuajse të gjithë Evropën brenda rrezes.

Presidenti rus Vladimir Putin tha gjithashtu se do të vazhdojë të testojë raketat balistike hipersonike Oreshnik.

Raketa e lëshuar të enjten u testua “me sukses”, tha Putin, duke shtuar se asnjë komb tjetër nuk ka armë si kjo.

Duke folur në një takim me udhëheqjen e mbrojtjes dhe anëtarët e Këshillit të tij të Sigurimit, ai tha se zhvillimi i sistemit të raketave është jetik “pasi Rusia po përballet me kërcënime të reja”.

Udhëheqësi rus tha ndër të tjera se raketa nuk mund të kapet dhe se “Rusia disponon stok sistemesh të tilla gati për t’u përdorur”, duke shtuar se tani ai ka urdhëruar prodhimin serik të raketave.

Spektakël në ajër, pasagjerët shohin nga avioni shpërthimin e vullkanit (Video)

Një turiste nga Anglia përjetoi një moment të paharrueshëm teksa fluturonte mbi Islandë dhe pa shpërthimin e fundit vullkanik nga një lartësi e madhe.

Fluturimi i saj me avionin e kompanisë easyJet ofroi një pamje të jashtëzakonshme të kraterit Sundhnúks në gadishullin Reykjanes, ku lava e zjarrtë derdhej lumë.

Shpërthimi filloi në orën 23:14 të mbrëmjes së mërkurës pas një tërmeti të vogël, sipas Zyrës Meteorologjike Islandeze (IMO). Ky është shpërthimi i dhjetë në tre vite, duke shënuar një epokë të re të aktivitetit vullkanik në rajon.

Pavarësisht spektaklit mahnitës të parë nga avioni, shpërthimi është më i vogël krahasuar me atë të gushtit. Lava po lëviz me ngadalë dhe nuk paraqet rrezik për infrastrukturën.

Megjithatë, autoritetet kanë evakuuar zonat përreth, përfshirë qytetin e Grindavikut dhe atraksionin turistik Blue Lagoon, që do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri të dielën.

Video Player

E trishtë! Mbyll sytë përgjithmonë muzikanti i njohur shqiptar (Emri+Foto)

Një lajm i trishtë është mësuar në orët e para të kësaj të premte. Qytetari i mirë i Shkodrës, muzikanti dhe promovuesi i vlerave më të mira shkodrane, Karlo Radoja, ka ndërruar jetë. Ai jetonte në Itali prej më shumë se 25 viteve por mbajti përherë në zemër Shkodrën e tij.

Karlo Radoja ishte pinjoll i një familje shkodfrane, e cila kaloi një jetë mjaft të vështirë në diktaturë. ajo u persekutua nga regjimi i kohës dhe vetë Karlo, rrëfeu në një libër që publikoi, një pjesë të këtij kalvari.

Ai e nisi karrierën e tij si instrumentist në teatrin “Migjeni” por mbeti në histori edhe si tropmpetisti i orkestrinës fantastike të Kafes së Madhe, bashkë me emra të tjerë të njohur të artit shkodran.

Ai ishte mjaft aktiv edhe në rrjetet sociale, duke promovuar vlerat më të mira të Shkodrës e shkodranëve. Pushofsh në paqe “i fundmi i orkestrinës legjendare të Kafes së Madhe”.

Olta tregon historinë e dashurisë me Dorin: Ai më la sht atzënë

Aktorja e njohur Olta Gixhari ka rrëfyer detaje të panjohura për marrëdhënien e saj me Dorin, babain e fëmijëve të saj. Në një intervistë me Arbana Osmanin, ajo tregoi momentin e parë kur u njohën dhe historinë e veçantë që i lidh bashkë.

“Duke u parë në sy ndodhi një shkëndijë shumë e fortë,” tha Olta, duke kujtuar takimin e parë.

“Më ndodhi diçka në stomak. U takuam rastësisht dhe më pas ai iku. Propozimi i tij ndodhi në Romë, por ishte në Spanjë ku bëmë një bisedë shumë të rëndësishme.”

Aktorja zbuloi se, ndonëse ishin takuar vetëm disa herë, Dori i bëri një propozim të sinqertë:

“Ishim ulur në një banak në Spanjë. Nuk ishim puthur ende, nuk kishim bërë dashuri, por i thashë troç: ‘Të dy mund të kemi qejf të bëjmë dashuri me njëri-tjetrin, por unë nuk dua të zgjohem nesër dhe të mos e di se çfarë të kam.’ Ai më tha: ‘Mendoje mirë. Nëse vendos të vish në Romë në këtë datë, nuk ka më kthim pas.’”

Olta pranoi se Dori nuk është i pasur, por vjen nga një familje e thjeshtë dhe punëtore. Gjatë qëndrimit të tyre në Romë, Dori bëri hapin e madh:

“Ai më u ul në gjunjë dhe më tha: ‘A do të jesh gruaja ime?’ Nuk u martuam kurrë, por ai më la shtatzënë,”- tha ajo duke qeshur.

Nën çadrën e Belindës/ Çfarë tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin

Organigrama e grabitjeve të rilindjes nxjerr para kudo ku ta prekësh. Një herë një pastruese vjedh punëdhënësen e vet dhe nga tubi i aspiratorit derdhen “rastësisht” gjysëm milioni euro.

Një herë SPAK sekuestron celularët për tendera rrugësh dhe papritmas kap një vjedhje në KESH. Kështu ka ndodhur edhe herën e fundit, kur prokurorët e posaçëm po hetonin skemën e kompanive përmes të cilave dyshohet se bënte korrupsion ish-drejtori i rrugëve Evis Berberi.

Ish-krahu i djathtë i Belinda Ballukut, që shihej kudo pas saj në videot promovuese u arrestua në mars të këtij viti. Prokurorët që e akuzojnë për korrupsion dhe pastrim parash dyshojnë se nën ombrellën e zv kryeministres është ngritur një skemë tjetër e ngjashme me atë 5D duke u nisur nga fakti se Berberi u kishte dhënë tendera publikë të njëjtëve biznesmenë me të cilët kishte qenë edhe në marrëdhënie private, për shitblerjen e një kompanie. Këto hetime vazhdojnë ende, por e bukura është se si efekt kolateral i tyre duket se e ka pësuar edhe kryebashkiaku aktual i Shkodrës, Benet Beci.

Si është e mundur dhe ç’lidhje ka mund të pyesë dikush?

Historia është sa rastësore qa edhe qesharake. Sikurse e kanë bërë zakon agjentët e BKH ata ia behin për kontroll të befasishëm në shtëpitë dhe të afërmit e atyre që prangosin.

Kështu ka ndodhur dhe me rastin Berberi. Ata nuk kanë gjetur vetëm udhëtime turistike të paguara nga klientët për atë vetë, bashkëshorten e tij Adela Ruko dhe fëmijët e tyre të mitur, por për të zbuluar më shumë kanë sekuestruar edhe celularin e Adelës. Ashtu si i shoqi edhe ajo i kish pasur shpatullat të ngrohta për të siguruar një vend pëllumbash në administratën shtetërore. Pra, Belinda Balluku ishte kujdesur ti sistemonte si familje.

Adela në vitin 2020 kryente dhe detyrën e kryetares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të një tenderi në KESH. Bëhej fjalë për një garë të shpikur gjoja për të kontraktuar një kompani që do hartonte një studim për strategjinë e sektorit energjetik. Në atë kohë, kreu i KESH, aktualisht kryebashkiak i Shkodrës. Atij me sa duket i ishte propozuar  që studimi në fjalë do të bëhej nga një kompani me përvojë nga universiteti me famë i Harvardit. Sigurisht duke i njohur rregullat e lojës Benet Beci nuk mund të kundërshtonte.

Pikërisht kjo duket qartë në bisedat që janë ruajtur në celularin e sekuestruar. Celulari është i zonjës Adela Ruko, por atë e ka përdorur bashkëshorti i saj, Evis Berberi për ti shkruar në numrin e tij personal Benet Becit, shefit direkt të gruas që drejtonte komisionin e tenderit. “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë” i ka shkruar ai Becit.

Pra, fjala është për të ndarë mes tyre afro 40% të shumës 834 mijë euroshe. Ngjarjet e mëvonshme reagojnë se gjithçka është zhvilluar sipas parashikimeve dhe të gjitha gjasat janë që po ashtu të jenë ndarë edhe paratë.

Po a kemi të bëjmë këtu me një korrupsion të rastësishëm që u zbulua papritur nga marrja e një telefoni për arsye të tjera? Jo tamam.

Dokumenta të nxjerra në dritë nga media Kapitali.al kanë treguar se e vërteta e këtij abuzimi nuk fshihej vetëm në bisedat e koduara të aplikacionit WhatsApp të Adela Rukos. Ndarja e parave ishte një e fshehtë publike.

Që në vitin 2022 Kontrolli i Lartë i Shtetit pati hedhur dyshime për tenderin e zhvilluar në janar të 2021, e që ishte fituar nga kompania e vetme që garoi me 99.8 për qind e fondit limit. Sipas KLSH-së ky tender ishte fare i panevojshëm pasi tashmë ekzistonte një  strategji e sektorit energjitik e hartuar më parë, nga ministria e Energjisë me ndihmën e donatorëve të huaj.

E dyta dhe më qesharakja që del nga pjesët e KLSH që nga nxjerrë Genc Pollo, në dokumentin e përgatitur nga “profesorët e Harvardit” është se ata servirnin vetëm të dhëna nga institucionet tona publike si psh tatimet, INSTAT, Banka e Shqipërisë, të cilave këto informacione ia kishte dhënë vetë KESH.

Por, pavarësisht estradës, puna u krye dhe me siguri paratë u ndanë sipas planit.

Por, kjo histori tragjikomike, nxjerr në pah shumë më tepër se njollosja me vulën e mundshme prej hajduti të njeriut që u shndërrua në simbolin e rilindjes, në zgjedhjet e fundit lokale, për arsye se i ktheu asaj bastionin e Shkodrës.

Ajo shkon përtej marrjes së Benet Becit si i pandehur nga SPAK. Prej saj rrjedhojnë disa pyetje që flasin për batërdinë e abuzimit me paranë publike. Sepse aty përfshihet krahu i djathtë i Belinda Ballukut, Evis Berberi, që akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Por ky zyrtar i lartë kishte sistemuar dhe gruan, Adela Ruko, në vend pëllumbash në administratë. Pra, pa i mjaftuar paratë e rrugëve, gjithë familja qe rregulluar nën çadrën e Belindës. Edhe ajo qe drejtuese tenderash, aq e përfshirë sa, njeriu me të cilin ndante krevatin është kapur në allishverishe me njeriun që ndante zyrën. A dinte gjë Balluku për këto? Le ta zëmë se jo, se edhe asaj i hanin kumbulla dhe dardha pas shpine. Po çbëri ajo kur u njoh me raportin e KLSH, që fliste për tender fiktiv? A vuri ujin në zjarr prej dy vitesh? Apo mos qe dhe ajo një “e pashkollë”, me diploma fallco, që kishte pjesën e saj?

Fakt është se raporti i KLSH ra në vesh të shurdhër. Prandaj kjo ngjarje nuk është një rastësi e çuditshme e dalë në dritë nga një celular i kapur për arsye të tjera. Ajo është simbol i një rrjeti që vijon të punojë si sahat. / Burimi: Lapsi.al

Anëtarësimi në SEPA/ Nga paratë e emigrantëve, tek investimet e huaja. Çfarë fitojmë konkretisht?

Prej datës 21 nëntor, Shqipëria është zyrtarisht pjesë e zonës gjeografike të skemave të Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA). Megjithatë, përfitimet direkte do i kemi vetëm pas muajit prill të 2025-ës, kur të aderohen institucionet financiare shqiptare dhe Këshilli Evropian i Pagesave të japë një datë të dytë për gatishmërinë operacionale të tyre.

Por, çfarë fiton konkretisht Shqipëria nga ky anëtarësim?

Së pari, remitancat. Me Sistemin Unik të Pagesave në Euro (SEPA), një emigrant shqiptar në Evropë e ka më lirë dhe më të thjeshtë që të dërgojë para për familjen e tij në Shqipëri, sepse:

1) Transfertat e parave realizohen brenda 1 dite;

2) Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Evropë mund të transferojnë para në mënyrë direkte nga llogaria që kanë në bankat evropiane te llogaria e prindërve në bankat shqiptare;

3) SEPA eleminon nevojën e kryerjes së transfertave të parave përmes institucioneve financiare të transfertave, proces që kushtonte dhe ishte shumë më i ngadaltë;

4) Transaksionet me SEPA mund të realizohen edhe përmes aplikacioneve bankare, direkt nga telefoni;

5) Tarifat e transfertave janë 5 herë më të ulëta në krahsim me transfertat e kryera përmes institucioneve financiare tradicionale, të specializuara në shërbimin e transfertave të parave;

6) Nga kjo, parashikohet të kursehen rreth 20 milionë euro vetëm në vitin e parë.

Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës edhe në sektorin strategjik të turizmit, duke i dhënë mundësi turistëve evropianë të kryejnë pagesat në Shqipëri më shpejt dhe me kosto më të ulët. Turistët nga vendet që janë pjesë e SEPA, mund të përdorin llogaritë e tyre bankare në euro për të kryer pagesa në Shqipëri pa qenë nevoja që t’i konvertojnë ato në lekë. Kjo thjeshton transaksionet në hotele, restorante, e të tjera, brenda një dite. SEPA mundëson përdorimin e kartave të debitit dhe kreditit për pagesat në euro, duke eleminuar problemet me tarifat shtesë që shpesh lidhen me transaksionet ndërkufitare.

Nga ana tjetër, anëtarësimi në SEPA krijon një mjedis më tërheqës për investitorët e huaj. SEPA standardizon transaksionet në euro, duke ulur ndjeshëm kostot e transferimit të fondeve ndërmjet investitorëve evropianë dhe Shqipërisë. Tregu Unik i Pagesave në Euro bën të mundur që fondet të transferohen brenda një ditë pune, duke lehtësuar nisjen më të shpejtë të projekteve. Gjithashtu, investitorët mund të kryejnë pagesa direkte në euro pa u konvertuar në lekë, duke shmangur rreziqet e kursit të këmbimit dhe kostot e lidhura me të.

Duke pasur parasysh se BE-ja është partner tregtar kryesor i Shqipërisë dhe në kushtet kur rreth 60% e tregtisë kryhet me vendet e BE-së, përfitimet nga krijimi i lehtësirave financiare janë domethënëse për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Pjesëmarrja në SEPA i ofron bizneseve shqiptare qasje në tregun evropian prej 350 milionë banorësh, duke iu mundësuar zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe të fitimeve. Sistemi Unik i Pagesave në Euro, eleminon tarifat e larta të pagesave ndërkufitare, duke i mundësuar eksportuesve dhe importuesve që të kryejnë tregti në euro pa pasur kosto të konsiderueshme.

Pa SEPA-n, bankat kanë tarifa të larta për procesimin e pagesave ndërkombëtare. Me Zonën Unike të Pagesave në Euro, blerjet online ndaj shitësve evropianë nuk shoqërohen me kosto shtesë. Gjithashtu, për shqiptarët që punojnë si freelancer online, derdhja e pagës nga një kompani evropiane nuk shoqërohet më me tarifa.

Tregu Unik i Pagesave në Euro (SEPA) është një iniciativë e Bashkimit Evropian për të harmonizuar pagesat në Euro në vendet e BE-së. Megjithatë, ndër vite, ky treg është shtrirë edhe jashtë BE-së, duke numëruar aktualisht 36 shtete anëtare. Qëllimi i funksionimit të SEPA-s është t’i bëjë pagesat në Euro midis vendeve anëtare po aq të thjeshta dhe të lira sa ato vendase, duke krijuar një treg të vetëm për to.

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA është një mundësi për të integruar platformat e kryerjes së pagesave në euro dhe të tregtisë elektronike me tregun evropian, përpara anëtarësimit tonë në BE.

Skuadrat e mëdha italiane në garë për Cristian Shpendin, Fiorentina ka gati 10 mln euro

Fiorentina është në kërkim të një sulmuesi për të forcuar repartin e saj sulmues, me synimin për të investuar që në merkaton e janarit për zëvendësuesin e Moise Kean.

Në Itali mediat e bëjnë tashmë fakt të kryer se objektivi kryesor i klubit toskan është 21-vjeçari shqiptar Cristian Shpendi.

Sulmuesi është vëllai binjak i Stiven Shpendit, kartoni i të cilit është në pronësi të Empolit dhe aktualisht është bomberi i Serie B, duke shkëlqyer me Cesena-n.

Shpendi ka shënuar 20 gola dhe ka asistuar 6 herë në 32 ndeshje të luajtura në 15 muajt e fundit, duke treguar sy të mprehtë dhe shkathtësi të madhe para portës.

Fiorentina është e gatshme të ofrojë 10 milionë euro për të blerë talentin e ri të Kombëtares Shpresa, duke e vlerësuar si përforcimin e duhur për sulmin.

Në 15 ndeshjet e këtij sezoni, Shpendi ka shënuar dhjetë gola, tetë prej të cilëve në Serie B dhe dy në Kupën e Italisë.

Interes për të kanë shprehur edhe klube si Napoli, Lazio apo edhe Juventus.

Cristian Shpendi ka luajtur shtatë ndeshje me kombëtaren U-21 të Shqipërisë dhe ka shënuar një gol, por tekniku Sylvinho nuk i ka dërguar kurrë një ftesë për grumbullim me Kombëtaren A.

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, ambasadori i BE: Përmbush një nga objektivat kryesore të BSH për integrimin!

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti dje në një takim kortezie në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Gonzato për hapjen zyrtare të negociatave për Grup-Kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), që shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit me BE-në.

Gjithashtu, Guvernatori falënderoi z. Gonzato për asistencën teknike që BE ka dhënë për forcimin e kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë nëpërmjet fondeve IPA dhe programeve Twinning, në fusha të rëndësishme të bankingut qendror si stabiliteti makroekonomik dhe financiar, auditimi, mbikëqyrja dhe sistemet e pagesave, në mbështetje të përgatitjeve të saj për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe më pas në Eurosistem.

Guvernatori dhe Ambasadori diskutuan lidhur me progresin e bërë nga Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballen vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, duke skicuar, njëkohësisht, qasjen e Komisionit Evropian për të udhëhequr dhe mbështetur procesin e zgjerimit.

Ambasadori Gonzato përgëzoi Guvernatorin Sejko për pranimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA nën udhëheqjen dhe koordinimin e Bankës së Shqipërisë, si pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Ai theksoi se me këtë anëtarësim, Banka e Shqipërisë përmbush me sukses një ndër ambiciet e saj kryesore në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë bisedës, Guvernatori Sejko e njohu bashkëbiseduesin me panoramën ekonomike në Shqipëri, ku theksoi se pavarësisht situatave sfiduese, ecuria ekonomike në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me tregues mjaft të mirë.

Guvernatori Sejko theksoi se fokusi i politikave ekonomike gjatë kësaj periudhe ka qenë i orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, duke përshtatur qëndrimin e politikës monetare, si një parakusht për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit tonë dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend.

Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë gjykon se reformat e gjithanshme rregullatore, ligjore e institucionale të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një platformë të plotë dhe konsistente për adresimin e sfidave.

Ambasadori përgëzoi Guvernatorin Sejko për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë.

Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithëpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit.

Ai vlerësoi punën e bërë kryesisht për Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politika Ekonomike dhe Monetare”, të cilët drejtohen nga Banka e Shqipërisë, por dhe kontributin e kësaj të fundit në kapitujt e tjerë ku merr pjesë, si dhe nënvizoi vlerësimin e Komisionit Evropian në lidhje me procesin e përafrimit sipas kapitujve të acquis të BE-së, i cili konstatohej dhe në progres-raportin e fundit.

Ndër të tjera, Ambasadori Gonzato vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përballimit me sukses të sfidave dhe garantimit të stabilitetit financiar në vend, si një parakusht i rëndësishëm për investitorët, me synim zhvillimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja në Shqipëri.

Ambasadori Gonzato konfirmoi vullnetin për të rritur më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen e BE-së për Bankën e Shqipërisë nëpërmjet asistencës teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror dhe ndërmarrjes së projekteve të përbashkëta në të ardhmen./Monitor

Armando Broja lë pas dëmtimin, Everton ‘i ndryshon’ skuadër

Dëmtimi në tendinën e Akilit është lënë pas nga Armando Broja dhe Everton pritet ta ketë të gatshëm sulmuesin e Kombëtares për javën që vjen.

Trajneri Sean Dyche ka konfirmuar se 23-vjeçari është bashkuar në stërvitje të plotë me skuadrën, por këtë fundjavë ai nuk do jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Brentford, teksa do ‘jepet hua’ te 21-vjeçarët e Everton për të zhvilluar një ndeshje më të lehtë, kjo për të marrë minuta në këmbë.

“Ai ka bërë mjaft me ne këtu në stërvitje dhe ne nuk mund të përsërisim me të vërtetë ndjenjën e lojërave, kështu që unë do ta preferoja atë për te U-21 sepse të paktën do marrë minuta dhe ndihet si në lojë.

Tani vetëm po diskutojmë hapat e ardhshëm. Ai ka pasur një javë vërtet të fortë dhe një rehabilitim vërtet të fortë, kështu që shpresojmë që kjo të na lejojë ta përshpejtojmë atë pak më shumë sesa normalisht”, tha Dyche.

Everton ka një opsion për të nënshkruar me Brojën në një marrëveshje të përhershme verën e ardhshme nga Chelsea dhe kanë nevojë urgjente për më shumë fuqi në sulm.

Dyche shpreson se lojtari shqiptar dhe Youssef Chermiti, një tjetër sulmues që nuk është paraqitur këtë sezon për shkak të dëmtimit, do të jenë në dispozicion për të trajtuar këtë problem përpara Krishtlindjeve.

“Do të duhet të presim dhe të shohim. Nuk ka qenë e vështirë të jesh i duruar me këtë situatë, sepse nuk ke zgjidhje tjetër. Disa lloj lëndimesh mendoni: ‘Hajde, vërtet?’ Por me këtë ne duhej të ishim të kujdesshëm sepse ishte një dëmtim i tendinës”, tha Dyche.

Kështu, Broja është duke u kthyer dhe tifozët e Kombëtares shpresojnë që të marrë ngarkesën e duhur për të qenë gati edhe me kuqezinjtë.