Historia e Kristit të vogël që arriti të mposhtë tumorin i emocionoi të gjithë shqiptarët këtë mbrëmje në ekranin e Top Channel.
Mes të tjerash ai rrëfeu se një nga personazhet që ka përzemër dhe që e ka bërë të qeshë në ditë të vështira është aktori i humorit Bes Kallaku. Ky i fundit erdhi në studion e një emisioni televiziv për ta surprizuar dhe për t’i kujtuar sa i fortë është dhe se kurrë nuk duhet të dorëzohet.
Ai e ka takuar Kristin edhe dy vite më parë kur ndodhej në spital. Kallaku i tha se do t’i qëndrojë sërish pranë atij dhe familjes, ndërsa mesazhet që përcolli sonte emocionuan publikun.
I përlotur Besi tha se njeriu përsoset në dobësi e se kurrë nuk duhet të heqë dorë nga ata që do dhe ëndrrat që ka. “Unë Kristin e kam qenë në spital para dy vite e gjysmë… Kristi është rritur shumë! Rasti i Kristit na bën të gjithëve të mendojmë sesa i fortë është njeriu, sesi njeriu duhet t’i hakërrehet dhimbjes, sesi nuk duhet të mposhtet. Njeriu përsoset në dobësi. Po flas për veten, që kur them njeriu përsoset në dobësi, do të thotë që dhimbja të afron më shumë me Zotin. Krisiti është shembull për secilin prej nesh. Unë në jetën time, festoj kur kam dhimbje dhe vishem me të bardha kur mbaj zi… unë dhe Kristi nuk heqim dorë, edhe kur na thonë të heqim dorë, sidomos për ata që duam. Ndaj ti mos hiq dorë nga ajo që kërkon të bëhesh, kurrë… mërzitemi ndonjëherë për gjëra koti kur në fakt ka halle më të mëdha”, tha Kallaku.
Në një emision televiziv kreu demokrat Sali Berisha shprehu bindjen se administrata e re amerikane do të korektojë shpalljen e tij “non grata” nga ajo që e konsideroi si një goditje puçistë nga grupet anti-demokratike.
Berisha tha se demokratët e vërtetë nuk pranojnë vendime të tilla. “E vërteta është se Donald Trump ka folur më shumë se askush tjetër për liritë, kundër censurës. Censura po shtrinte vellon e zezë të saj dhe po bëhej gjithnjë e më e trashë në SHBA dhe vendet e tjera”, tha Berisha.
Ai tha se standardet e lirisë do të njohin dimensione të tjera.
Në këtë kuadër Berisha tha se kjo administratë nuk mund të pranojë praktikat korruptive ndaj forcave demokratike në Europë dhe në Botë.
Sipas Berishës, reformat e thella që do të ndërmarrë Qeveria e Trump, do të parandalojnë dallgën e ekstremit të majtë, e cila degradoi me segmente drejtësie, si ato të cilat prokurorja bënte fushatë: votoni për mua se do të pjek në hell Donald Trump, apo Gjykatësin që vendoste gjoba 450 mln dollarë.
Berisha tha se këto modele u ekspoertuan edhe në Tiranë. “Këto qenie të shpifura dhanë dorëheqjen njëri pas tjetrit. Ku i ka akuzat Prokurori Smith për Trump? Këto reforma të qeversë TRump do t’i japë përgjigjen e merituar këtyre prokurorëve dhe gjykatësve. Prokurorët e George Soros kanë humbur kundër rivalëve të tyre në distriktet ku kandiduan”, tha Berisha.
Ai tha Partia Demokrate në SHBA do të nxjerrë mësime të mëdha nga kjo situatë, pasi ajo është një parti e madhe, e Rusveltit apo Kennedy.
E moshuara e cila u dhunua nga djali i saj rreth një muaj më parë, ka folur për herë të parë për mediat duke rrëfyer ndodhinë. Kjo ngjarje ka ndodhur në zonën e Zall-Dajt në Tiranë teksa skena e dhunës është filmuar nga fqinjët, ku shihet sesi 48 vjeçari tërheq zvarrë nënën tij dhe e fyen atë me fjalë ofenduese.
Ajo ka folur për emisionin “Me zemër të hapur” teksa kërkon që i biri të lirohet nga burgu. E moshuara thotë se e kam falur dhe se djali ka qenë i dehur atë natë që ka ndodhur ngjarja. Ajo rrëfeu se kishte dalë jashtë pasi i merrej fryma ndërsa djali e thërriste të shkonte brenda pasi do të kishte ftohtë por kjo nuk e dëgjonte.
Ndër të tjera e moshuara tregon se djali është i sjellshëm por ai vuan nga probleme psikologjike për shkak të situatave familjare që i kanë ndodhur.
“Unë vuaj nga shumë sëmundje. Jam keq nga të gjitha gjërat. Dola një natë atje së mërdhiva, çuni më thoshte hajde brenda. Hajde brenda se do mërdhish, kështu më thoshte çuni, se kalamajtë i kanë ikur. I kanë ik në Itali fëmijët. Ky i futej ndonjëherë rakisë. Çunin e kam të mirë. Kalamajtë ia kam pas të mirë…Ai më thoshte mua çohu, unë nuk ngrihesha. Dola vetë jashtë se mu ndalonte fryma. Për të marr ajër. Edhe unë nuk jam e urtë dhe çuni gjithmonë më bënte yzmet. Erdhi policia dhe i thashë e ka hedhur komshiu videon, ka vënë kamerat dhe it ha çuni mos i vendos kamerat që të shohë pallatin tim. Ka pas pi raki”, tha e moshuara.
Është shoqëruar me tensione procesi në Gjykatën Penale të Tiranës për Dan Hutrën, autorin e vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave.
Në seancën e së enjtes që u mbajt me dyer të mbyllura, u paraqit për të dëshmuar si dëshmitar Vladimir Kurti, një i dënuar përjetë, të cilit në Mars të vitit të kaluar Hutra i vrau të motrën.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se Kurti refuzoi të jepte deklarime, teksa iu drejtua të pandehurit, me të cilin dikur kishte ndarë qelinë, si monstër, duke paralajmëruar se nuk e fal vrasjen e motrës së tij.
“Gjakun e motrës sime nuk e than dheu, nuk e fal. Ai është vrasës, ka futur në dhe 4 gra, refuzoj të jap deklarime përballë këtij monstre”, ka thënë Vladimir Kurti.
Nga ana tjetër, Dan Hutra u shfaq i qetë.
Seanca u shty për në datën 5 Dhjetor në orën 12:30, ku do të vijojë procesi gjyqësor për autorin e vrasjes së trefishtë, ngjarje të cilën e kreu pak ditë pas daljes nga burgu, më 1 Mars 2023, ku ishte dënuar për vrasjen e ish-bashkëshortes.
Saga e sherrit personal të Edi Ramës me Francesco Becchettin, ka përfunduar me një fund shumë të hidhur për qytetarët shqiptarë.
Biznesmeni italian Francesco Becchetti, ka ekzekutuar gjobën 110 milionë euro të arbitrazhit në Belgjikë, duke marrë të gjitha paratë e hapësirës ajrore të Shqipërisë, të cilat mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol, që prej dhjetorit të vitit 2020.
Tre ditë më parë, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol se përmbaruesi i Becchettit ka ekzekutuar vendimin e arbitrazhit, pas vistos që mori nga gjykata belge.
Ndonëse njoftimi mbahet rreptësisht sekret, Kapitali e konfirmoi lajmin nga tre burime të pavarura në ministri të ndryshme, por edhe në Belgjikë.
Njoftimi i Eurocontrol për ekzekutimin e gjobës, ka ardhur si bombë në qeveri. E vendosur para faktit të kryer, qeveria ka tentuar të zbusë situatën duke shpërndarë në mënyrë të koordinuar në media një lajm se Becchetti, ka korruptuar gjykatësit e Arbitrazhit dhe vendimi është marrë me korrupsion.
Për këtë, qeveria ka shpërndarë dhe një investigim të kontraktuar nga ajo, ku shfaqen dëshmi të disa personave, të cilët thonë se Becchetti caktonte gjyqtarët e arbitrazhit dhe u ngrinte biznese familjarëve të tyre.
Por përtej këtij fakti, tashmë rezultati është përfundimtar. Me gjithë përbetimet e Edi Ramës dhe shpurës së oborrtarëve të tij se Francesco Becchetti nuk do të merrte asnjë qindarkë, biznesmeni italian i mori qytetarëve shqiptarë plot 110 milionë euro në këmbim të asgjëje.
Dëmi më i madh në histori
Fatura e kripur 110 milionë euro që Becchetti u mori qytetarëve shqiptarë, është dëmi më i madh në historinë e Shqipërisë.
Ky dëm ka përgjegjës me emra konkretë, të cilët gjenden të gjithë në vendimin e Gjykatë së Arbitrazhit. I pari është kryeministri Edi Rama, me deklarimet e tij publike kundër biznesmenit italian, të cilat gjykata i cilësoi si prova të persekutimit politik të Becchettit.
Deklarimet publike te Rames qe u perdoren si baze per vendimin e Arbitrazhit.
Por veç Edi Ramës, ky dëm ka dhe dy bashkëautorë të tjerë. I pari është Erion Veliaj, i cili dërgonte SMS kërcënuese, kur gazetarët e Agon i filmuan dasmën në Kalanë e Gjirokastrës.
SMS e Veliajt per gazetaret e Agon Channel qe u perdor si baze per vendimin e Arbitrazhit.
Kercenimi i Agacit qe u perdor si baze per vendimin e Arbitrazhit
SPAK hesht
Edhe pse bëhet fjalë për një nga abuzimet më flagrante dhe më të rënda në historinë e Shqipërisë, Prokuroria e Possacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk ka marrë asnjë veprim aktiv për këtë çështje.
Madje, edhe opozita duket e heshtur përballë këtij skandali të papreccedentë.
Por ndonëse SPAK hesht dhe opozita mund të jetë e tulatur, përgjegjësia e 110 milionë eurove bërtet me të madhe. Cdo qytetari shqiptar nga zero deri 100+vjeç, iu morën nga 50 euro secilit me një të rënë të lapsit.
Për tekat e Edi Ramës, Veliajt dhe Agaçit. Kjo nuk mund të mbetet pa përgjegjës. Ndryshe merreni reformën në drejtësi pastaj dhe pijini lëngun./Oranews
E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë gazetarja Klotilda Harka. Ajo ka folur më shumë mbi divorcet e bujshme të VIP-ave shqiptarë dhe të huaj, si dhe vëmendja që u kushtohet atyre. Cilin nga çiftet veçoi ajo?
Disa çifte mund ta përdorin këtë kur ka diçka reale dhe e kthejnë në një telenovelë për arsyet e tyre. Mund të jetë dhe rasti i historisë së Xhensilës dhe Besit, të cilët siç e kemi parë dhe në rastin e fundit të këngës që bëri Xhensila për djalin e tyre 1-vjeçar që erdhi në jetë pikërisht në momentin kur ata u përfolën se ishin ndarë. Ata të dy po e mbajnë gjallë këtë divorc dhe këtë problematikë në marrëdhënien e tyre, nëpërmjet këngëve, nëpërmjet fotove, nëpërmjet postimeve dhe në njëfarë mënyre po u shërben.
Në një rrëfim përballë Arbana Osmanit në emisionin “Mirëmbrëma yje”, Alban Skënderaj foli për sfidën e organizimit të koncertit të tij të madh në stadiumin “Air Albania’.
Megjithatë, mbështetja e fortë nga bashkëshortja e tij, Miriam Cani, kishte një rol vendimtar në këtë vendim. Për vite me radhë, Miriami kishte insistuar që ai të merrte guximin për të mbajtur një koncert në stadium, duke i qëndruar pranë me besimin e saj të palëkundur në talentin e Albanit.
“Ka katër, pesë, gjashtë vjet që më ka përsëritur këtë dëshirë dhe ka besuar tek unë 10-fishin e besimit tim,” shpjegoi Albani, duke shtuar se ishin të shumta bisedat dhe debatet që i çuan në këtë vendim.
“Vendimin për ta bërë koncertin në stadium e ka marrë Miriami, jo unë. Në fund, ajo kishte të drejtë – interesi dhe dashuria e publikut ishin jashtëzakonisht të mëdha,” u shpreh Albani me mirënjohje për përkushtimin e Miriamit, që e mbështeti në çdo hap.
Atentati mafioz i 30 Tetorit 2024 në Dobraç të Shkodrës, ku humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati mes tyre dhe dy njerëz të pafajshëm, çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha, tronditi mbarë opinionin publik.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, gazetarja Anila Hoxha, theksoi se jo zyrtarisht pranohet se personi që del në foto i gjakosur është Ibrahim Lici, një prej të shumëkërkuarve në vend.
Sipas saj, ka disa versione jo zyrtare se ai mund të jetë mjekuar nga mjekë në jug të vendit, por ka gjithashtu dyshime se aktualisht gjendet në Tiranë.
“Policia nuk ka dalë me version zyrtar se kush është personi që shfaqet në skenën e krimit, jo zyrtarisht nga autoritet e hetimit dhe drejtësisë shqiptare pranohet se ai është Ibrahim Lici.
Pas masakrës që tronditi vendin, janë kryer një sërë hetimesh, për të kuptuar se si ai u largua nga vendngjarja. Ka dyshime se ky shtetas mund të ketë qenë i plagosur dhe ndaj ka pasur disa verifikime të klasifikuara si të sekretit tepër të lartë, ku përfshihen vëzhgime dhe përgjime.
Policitë lokale po kryejnë veprime sekrete për të mësuar se kush janë personat që arritën ta mjekojnë atë. Ka disa versione jo zyrtare se personi ka ngelur i plagosur mund të jetë mjekuar nga mjekë në jug të vendit, por ka gjithashtu dyshime se aktualisht gjendet në Tiranë.
Duke iu referuar burimeve shumë të besueshme pranë grupit të hetimit, mund të them se është identifikuar edhe për një person të tretë që konsiderohet si ndihmës në këtë atentat”, tha gazetarja në emisionin Breaking të Top News.
Sipas gazetares, autorët kanë lënë gjurmë në vendngjarje dhe mund të ketë një emër nga policia, ndërsa hetimet vijojnë ende.
“Në automjet ai ishte me vëllanë dhe shokun e tij. Ndaj duhet të kemi parasysh grupet kriminale janë më të informuar se vetë institucionet kur bëhet fjalë për të kërkuar. Ky rast vërtetoi se grupet kriminale kanë informacione ‘ekskluzive’ për kundërshtarët e tyre.
Nuk mund të them nëse Ibrahim Lici po largohej nga Shqipëria për sa kohë ai kishte ardhur, por them me garanci se ky krim është i një natyre tejet të sofistikuar, por autorët kanë lënë gjurmë pas dhe mund të themi se do të kemi një emër“, theksoi gazetarja./TPZ
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se arrestimi i tij në prag të zgjedhjeve është politik dhe pa asnjë akuzë zyrtare. Meta në një intervistë për emisioni “Now” në Euroneës Albania nga burgu 313 se u pyetur lidhur me qëndrimin e prerë ndaj ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, të cilën ka refuzuar ta takojë në burg edhe pse kjo e fundit ta pranuar të marrë fajësinë ne vend të tij.
Meta u përgjigj duke thënë se qëndrimet e tij për çështjet parimore janë të prera dhe pakompromis. Sipas tij përgjegjësitë ligjore janë individuale dhe jo kolektive apo të transferueshme. Presidenti i PL-së shtoi se qëndrimet e saj mediatike dhe ligjore janë pjesë e konceptit të mbrojtjes së saj për mbrojtjen dhe nuk më shërbejnë aspak mua.
“Qëndrimet e mia për çështje parimore janë të prera dhe pakompromis. Lidhur me përgjegjësitë ligjore ato janë individuale dhe jo kolektive apo të transferueshme. Qëndrimet e saj mediatike dhe ligjore janë pjesë e konceptit të mbrojtjes së saj për mbrojtjen dhe nuk më shërbejnë aspak mua. Ajo që më shërben dhe më duhet mua është e vërteta dhe ajo është me mua,” tha ai.
I gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshje shiu dhe ulje temperaturash, ndërsa në Alpe në lartësitë 1000-1200m ka patur reshje bore me intensitet të ulët. Sinoptikania Anira Gjoni nga IGJEUM, zbulon se ky dimër do të jetë më i ftohti, ndryshe nga 5 vitet e fundit.
“Ky nëntor shënoi reshjet e para të dëborës më shpejt se vitet e fundit. Në Shqipëri për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes së motit, përgjatë viteve të fundit jemi përballur me faktin që nuk kemi patur reshje bore në dimër, dhe jo më në fundvjeshtë. Sipas parashikimeve afatgjata, presim që ky dimër të jetë pak më i ftohtë se këto 5 vite. Dimret e fundit janë shoqëruar me temperatura më të larta mbi mesataren shumëvjeçare. Ndërsa në këtë dimër 2024 -2025, presim që temperaturat të jenë më të ulëta.
Në këtë fundjavë dhe javën e ardhshme, reshjet do të vijojnë. Do të kenë një ndërprerje në disa prej qarqeve gjatë mesditën së të enjtes, por do rikthehen në mbrëmje për të vijuar gjatë ditës së premte” – ka thënë Gjoni.
Në gatishmëri janë mjetet për të përballuar çdo emergjencë, ndërsa Gjoni thekson dhe se më të rrezikuara nga reshjet janë qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës.
“Në zonat malore, reshjet do jenë në formën e dëborës, ndërsa pjesa tjetër e territorit pritet të ketë reshje shiu. Ato do jenë mesatare në Vlorë dhe Gjirokastër. Temperaturat do të jenë relativisht të ulëta. Për ditën e nesërme presim që temperaturat minimale të jenë 7 °C dhe maksimale 15 °C. Në zonat malore, temperaturat minamle do të jenë -1 dhe maksimale deri në 9 gradë. Pra në veri, verilindje dhe juglindje të vendit,
presim që temperaturat të jenë -1- 0 °C dhe reshjet do jenë në formën e dëborës mbi 800 m mbi nivelin e detit. Pjesa tjetër e territorit do të jetë me reshje shiu. Problematike mbeten qarqet e Gjirokastrës dhe Vlorës, kjo për shkak të intensitetit më të shtuar të reshjeve të shiut. Në këto zona, mund të ketë vërshime dhe problematika, kjo në varësi të sistemit të kanalizimeve” – shton Gjoni