U aksidentua me një motor tjetër, ndërron jetë në spitalin e Traumës këngëtari shqiptar

Ka ndërruar jetë sot Viktor Basha, një nga drejtuesit e motorëve që u përplasën më 7 shkurt në fshatin Dragushë të Lezhës.

Basha, i njohur edhe si këngëtari i zonës së Zadrimës po trajtohej tek Trauma në Tiranë.

Pavarësisht kësaj, ai nuk mundi të mbijetojë, pasi kishte marrë plagë të shumta në disa pjesë të trupit.

“Do ta shohim!”/ Zgjedhjet e 11 majit, Rama-Berishës: O buf dil tani, shaj e shpif. Tani ke edhe atë të Trumpit…

Kryeministri Edi Rama ka folur për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa i është drejtuar edhe kreut të PD, Sali Berisha.

“Tani këneta tani le të hidhet, u tërbua, u drogua. Hidhu kënetë kërceni bretkosa zhapa e zhpiqe, o buf dil tani e shaj e shpif. Tani ke edhe atë të Trumpit, do ta shohim”, tha ai.

Mero Baze: Ols Dado (me të cilin kemi qenë bashkë tek PD), i shtoi dy akuza Veliajt për hakmarrje të një shkrimi tim

Në këtë histori të sjelljes së politikës ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë së re në përgjithësi, janë vendosur dy standarde. Standardi i Sali Berishës, që i shan me libër shtëpie të gjithë prokurorët e SPAK dhe GJKKO-së, duke nxjerrë edhe fotot e grave në konferencë shtypi, dhe standardi i Edi Ramës, i cili e konsideron SPAK-un dhe drejtësinë e re arritje të tij dhe kërkon që ata të ruajnë integritetin dhe pavarësinë, jo vetëm nga ai, por edhe nga Sali Berisha.

E vërteta e hidhur është se SPAK dhe drejtësia e re, gjatë kësaj kohe që ka funksionuar mes debatesh të egra, ka provuar se është më e ndjeshme ndaj presioneve sesa ndaj respektit; është më e përulur dhe gojëmbullur ndaj shantazheve sesa ndaj atyre që e ndihmojnë të bëjë punën e saj; është më e heshtur ndaj fyerjeve direkte të Berishës, Metës apo kujtdo tjetër, sesa ndaj kritikave të Edi Ramës. Dhe jo vetëm SPAK, por e gjithë struktura e drejtësisë së re.

Unë mund të numëroj të paktën 100 konferenca shtypi të Sali Berishës dhe Ilir Metës që kanë sharë kryetarin e SPAK me libër shtëpie dhe gjyqtarët e GJKKO-së në breza, dhe nuk ka asnjë deklaratë të KLP apo KLGJ.

Kritikat e sotme të Edi Ramës ndaj SPAK dhe GJKKO-së, që lidhen me faktet e provueshme se ato institucione po i përdorin njerëzit e Berishës për llogari politike, shkaktuan menjëherë reagimin e tyre, duke deklaruar se nuk duhet cënuar pavarësia e tyre.

Problemi është se pavarësia e SPAK dhe GJKKO nuk cenohet vetëm nga qeveria, por edhe kur opozita i përdor ato për qëllime elektorale.

Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që është edhe drejtues politik i një të tretës së vendit, në fillim të fushatës elektorale, pa asnjë arsye thelbësore për t’u arrestuar, është përfshirje direkte e drejtësisë në politikë.

Dhe ashtu siç nuk është e ndaluar të protestosh kur politika merret me drejtësinë, ashtu dhe nuk është e ndaluar të protestosh kur drejtësia merret me politikë.

Nëse e heton me kriteret e krimit elektoral, përfshirja e prokurorit të SPAK dhe gjyqtarit të GJKKO në arrestimin e Veliajt për inate politike, është një krim i pastër elektoral, madje edhe i hetueshëm, sikur të kishim një drejtësi të pavarur.

Është nga rastet shembullore kur drejtësia merret me politikë dhe jo nga rastet kur politika merret me drejtësi.

Por është shumë mirë që reagojnë institucionet. Është shumë mirë që KLP dhe KLGJ reagojnë që politika të mos paragjykojë punën e tyre, por ata duhet të vendosin një standard kur reagojnë.

Është e lehtë të reagosh ndaj atij që të respekton dhe të konsideron si institucion të krijuar prej politikës së tij. Problemi është të reagosh për të ruajtur standardin e pavarësisë së drejtësisë nga politika dhe jo për të ruajtur pisllëkun e marrjes së drejtësisë me politikë.

Dhe po sjell këtu një rastin tim zhgënjyes me ta.

Unë mund të jem gazetari më konsekuent si mbështetës i Reformës në Drejtësi, qysh kur u ideua në vitin 2015. Madje në disa raste jam bërë qesharak duke mbrojtur edhe gjëra që nuk mbrohen në banalitetin e drejtësisë. E kam bërë këtë sepse e kam hequr në kurriz drejtësinë e vjetër; e kam hequr në kurriz Gjin Gjonin apo bandën e gjyqtarëve që këtej më dënonin mua për t’i bërë qejfin Sali Berishës, dhe nga ana tjetër lëshonin trafikantë droge për të mbushur xhepat me miliona, dhe ishin të justifikuar se kishin dënuar një armik të Berishës.

Sado e keqe dhe me të meta të jetë kjo drejtësi, as ka të krahasuar me atë qelbësirë që ishte.

Por për të kuptuar se sa të kompleksuar janë këta nga ata që i sulmojnë dhe sa serbes janë me ata që i mbështesin, e provova një muaj më parë kur akuzat ndaj Veliajt u bënë publike dhe unë bëra një editorial për të kuptuar se kush ishte ky Nesti Angoni, që di gjithçka për jetën e Veliajt dhe disa biznesmenëve, që ka akses në çdo dokument shtetëror dhe që SPAK e merr shumë seriozisht, sikur të ishte një institucion.

Njëri më thoshte se është shërbimi grek, se ka lidhje me Olsi Dadon; tjetri më thoshte është Belinda Balluku se ka sherr me Erion Veliajn; të tjerë më thoshin është vetë SPAK, por ka sajuar letër anonime.

Të gjitha mu dukën qesharake dhe nuk hyra në atë kurth, por thjesht kërkova të di kush është.

Dhe e di çfarë ndodhi?

Dy kolege gazetare më raportuan se Olsi Dado doli duke shfryrë nga zyra dhe i kërkonte këshilltarit të SPAK për shtyp, zotit Zhilla (të cilin nuk e njoh), të bënte një deklaratë për shtyp për marrjen në pyetje të Veliajt, dhe nga dy akuza, Veliajt t’ia bënte katër, “meqë e mbroka ky Mero Baze”.

U shokova.

Do të thotë që një gazetar që i ka mbrojtur 7 vite nga çdo sulm, përfshi edhe këta të SPAK kur i sulmonte Berisha kot, që i kam mbrojtur edhe kur kanë arrestuar të njohur të mi, ish-zyrtarë, mjaftoi që unë të pyesja kush është ky denoncues anonim dhe me arbitraritet SPAK t’i shtonte dy akuza në deklaratën për shtyp.

Kjo është e pabesueshme ta thuash, por është fakt publik. Është fakt publik procesverbali i marrjes në pyetje të Veliajt që i kanë komunikuar dy akuza, dhe fakt publik deklarata e SPAK pas shkrimit tim që i janë shtuar edhe dy akuza të tjera.

Nuk di çfarë ta ketë tërbuar prokurorin, përveç faktit se mund të jetë ndonjë prej atyre tre skenarëve që më thanë më lart se kush mund të jetë Nesti Angoni. Do të thotë ose ai skenari i shërbimeve të huaja, ose ai skenari i sajuar nga vetë SPAK.

Tani, nëse një politikani të lartë i shtohen dy akuza vetëm pse e ka mbrojtur një gazetar, atëherë këtu kemi një problem. Ose kemi një drejtësi të targetuar politikisht, ose kemi një drejtësi qesharake që ngre njëherë akuza, pastaj gërmon për fakte.

Dhe kjo më ka bërë të reflektoj për integritetin e tyre në tërësi. Jo për këtë Olsi Dadon, se këtë e njoh prej kohësh kur kemi qenë bashkë militantë të PD-së, dhe nuk pres ndonjë gjë tjetër prej tij. Por për logjikën se si të njëjtët prokurorë apo gjykatës sillen si mace me ata që i masakrojnë publikisht dhe si sillen si tigra me ata që i mbështesin, duke u përkëdhelur si të rrezikuar.

Dhe pas kësaj vrapojnë e raportojnë te Sali Berisha për t’u siguruar nëse janë në rregull me të.

Në rregull janë. Dhe mirë që kanë një kryeministër për të cilin mund të ankohen që nuk i lë t’i shërbejnë Sali Berishës, se do kishin vdekur pa ua dëgjuar zërin.

Bardhi denoncon: Policia e Shtetit braktis prokurorët dhe gjyqtarët! Nuk është e pranishme në protestën e paligjshme para SPAK-ut

Deputeti Gazment Bardhi denoncon Policinë e Shtetit duke thënë se ka braktisur prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK, duke mos garantuar protestën që po mbahet para ambienteve të kësaj ndërtese.

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, një grup i madh mbështetësish të Erion Veliajt po protestojnë para SPAK-ut, teksa aty nuk është vënë re prezenca e forcave të policisë gjatë gjithë ditës.

Bardhi thotë se protesta është pa leje dhe e organizuar nga punonjës të Bashkisë së Tiranës. Ai i bën thirrje policisë të refuzojë urdhrat dhe të gjenden në krye të detyrës.

Reagimi i plotë i Bardhit:

Braktisja nga Policia e Shtetit e gjyqtarëve dhe prokurorëve në krye të detyrës është krim i rëndë shtetëror!

Mosprezenca e Policisë së Shtetit në grumbullimin e paligjshëm të punonjëve të Bashkisë së Tiranës në GJKKO dhe SPAK, është një akt i paprecendent presioni nga pushteti.

I bëj thirrje punonjësve të ndershëm të Policisë së Shtetit, që të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm dhe jenë në krye të detyrës, me përkushtim ndaj Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.

Edi Rama duhet të heq dorë menjëherë nga metodat kriminale të presionit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë. Kjo është Republika e Shqipërisë, jo shteti privat i mafiozit Edi Rama! Fundin do e ketë, me apo pa presion, si çdo mafioz tjetër!

Momente tmerri për Kostandinos Argjiros, biznesmeni grek me “Bentley” për pak ia përplasi gruan dhe foshnjen

Momente tmerri ka kaluar familja e këngëtarit grek Kostandinos Argjiros, i njohur dhe i dashur edhe nga publiku shqiptar, pas një aksidenti të frikshëm ku është përfshirë gruaja e tij Aleksandra Nika dhe fëmija i porsalindur.

Një ditë më parë, Aleksandra Nika shpëtoi për mrekulli nga një aksident i frikshëm i ndodhur në Kolonaki në Athinë. Ajo ishte duke udhëtuar me fëijën e saj që ka vetëm pak muaj që ka ardhur në jetë, kur i ka prerë rrugën një makinë që dyshohet se ishte me shpejtësi.

Në këtë moment, bashkëshortja e Kostandinos, Aleksandra ka bërë një manovër të fortë për të shmangur përplasjen dhe ka përfunduar në bordurën anës rrugës. Për fat të mirë as ajo dhe as foshnja nuk është lënduar.

Mediat greke kanë zbuluar sot se shoferi që i preu rrugën asaj është një biznesmen i njohur grek, i cili po ngiste një “Bentley” luksoz. Ai madje ka ndaluar për pak çaste, ka dalë nga makina i nervozuar duke e sharë dhe është larguar nga vendngjarja.

Kostandinos Argjiros ndodhej pranë zonës dhe raportohet se shkoi menjëherë te gruaja dhe fëmija e tij. Ndërsa Aleksandra arriti të marrë targën e makinës dhe referoi në polici, por pa bërë denoncim.

“Makina po ngjitej Patriarchou dhe shkoi të kthehej në Lukianou. Gruaja u trondit, bëri një manovër për të shmangur përplasjen, por e goditi anash. Shoferi ndaloi për një pjesë të sekondës, dukej nervoz, por më pas u largua pa ofruar asnjë ndihmë”, tha një grua që ishte dëshmitare.

Mesazhi te telefoni i Ramës: Zbulohet kush është deputeti demokrat i lidhur me gjyqtarin e GJKKO, Erion Bani

Edi Rama duke lexuar sot para deputetëve të PD tekstin e një mesazhi të një personi brenda sistemit të drejtësisë, ka nxjerr një prej anëve të errëta të bashkëpunimit të gjyqtarëve të GJKKO me eksponentë të partisë Demokratike.

Rama lexoi sms: “Ky gjyqtar (Erion Bani, shen.red) e ka nisur karrierën si koleg zyre me X, emrin s’po e them se e keni në Parlament këtë, kur ishte ministër i Drejtësisë Eduard Halimi dhe pastaj përfundoi në GJKKO.

Ky X i njohur si ekstremist i djathtë ka trajtuar më shumë kërkesa për eksponentë të PS, në vendime e ka kaluar cakun e gjyqtarit dhe të ligjit, duke kërkuar ashpërsimin përtej asaj që kërkon Prokuroria.

I tillë është edhe rasti X, nuk po e përmend, që diskutohet shumë si një skandal në të gjitha rrethet e juristëve. Së dyti, i njëjti gjyqtar është gjyqtari paraprak për “Toyota Auris”, vetëm një fakt, ka urdhër ndalim të publikimit të vendimit të tij gjë që nuk e bën dhe bën të kundërtën kur duhet të përbalten njerëzit e PS, për shkak se aty përmenden shumë kolegë të tyre.

Por ama vendimin e pati në dorë prapë njëri që e keni në Parlament dhe tani e ka Bufi i Kënetës që ua lexon shqiptarëve komunikime nga EncroChati në Parlament, i ndaluar për të t’u përhapur dhe publikuar”.

Në fakt sipas denoncimit të bërë tek Rama bëhet fjalë për deputetin e Partisë Demokratike Gazmend Bardhin. Ky i fundit sipas shkruesit të mesazhit ka qenë koleg zyre me Banin në kohën kur Eduard Halimi ishte ministër i Drejtësisë në kohën e qeverisë “Berisha”.

Sipas pretendimit të shkruesit të mesazhit, edhe dosja Toyota Auris nga gjyqtari i GJKKO ka kaluar në duart e Gazmend Bardhit, i cili më vonë ia ka përcjellë kreut të PD, Sali Berisha.

Prej shumë ditësh, qoftë përpara selisë së SPAK qoftë edhe në parlament, Berisha lexon sms enchrochat që janë të përfshira në një dosje që me vendim gjykate është cilësuar sekrete dhe nuk është lejuar për publikim./tema

Grabiten mbi 100 mijë euro në banesën e një ish-mjekeje

Një shumë e madhe parash është grabitur këtë të mërkurë në banesën e një ish-mjekeje në lagjen “Ura Dervishbeg” në Shkodër.

Burime për mediat bëjnë me dije se shuma e parave është grabitur gjatë kohës që pronarët, burrë e grua, nuk kanë qenë në banesë, teksa kur kanë konstatuar vjedhjen, ata kanë shkuar dhe kanë bërë denoncim në Polici.

Dyshohet se shuma e vjedhur është mbi 100 mijë euro, të cilën e mbanin në një dollap të dhomës së gjumit.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autori, i maskuar, i është afruar në banesë me biçikletë, dhe po me të është larguar, e ka hapur derën me çelës, ka hyrë brenda dhe krejt i qetë ka mundur të marrë shumën e konsiderueshme të parave.

Dyshimet e hetuesve janë për njeri të njohur të familjes, bazuar në mënyrën se si ka vjedhur, pa thyerje, me çelës dhe me informacion të detajuar për vendndodhjen e parave.

Policia e Shkodrës po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Akuza për korrupsion dhe pastrim parash, ish-prokurori tregon sa vite burg rrezikon Veliaj: Proces që zgjat…

Në GJKKO ka vazhduar seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me akuzat për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Seanca e caktuar për në orën 08:30 u shty për shkak se avokatët kërkuan më shumë kohë për të njohur dosjen. Veliaj, i cili u arrestua më 10 shkurt, u shfaq sot për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Ish-prokurori Bledar Bejko tha në një intervistë televizive se nëse akuzat ndaj Veliajt provohen, ai mund të dënohet me 10-12 vjet burg, duke theksuar se kjo është një periudhë e mundshme dënimi për korrupsionin pasiv dhe pastrimin e parave, veçanërisht nëse akuzat për 5-6 episode janë të vërteta.

Ai shtoi se, megjithatë, ka mundësi që Veliaj të dalë i pafajshëm, por që ky proces mund të zgjasë shumë vite për t’u mbyllur.

“Deri në 12 vjet burg mund të dënohesh për korrupsioni pasiv, di që janë 5 ose 6 episode. Rrezikshmëria është shumë e lartë kur përsëritet, kemi edhe veprën penale të pastrimit të parave. Logjika është që është bëtë një veprim i paligjshëm që duhet të pastrohet në mënyrë që të përfitohet. Për këto të dyja kemi një marzh dënimi minimal 10-12 vjet, mund të dalë edhe i pafajshëm. Do jetë një rrugë e gjatë që do të zgjasë me vite”, tha ish-prokurori.

VIDEO/Mbështetësit e Veliajt i bllokojnë rrugën furgonit të policisë

Teksa kryebashkiaku Erion Veliaj ka lënë ambientet e GJKKO, për t’ju drejtuar Durrësit, dhjetëra mbështetës të tij kanë bllokuar mjetin në shenjë proteste ndaj vendimit për lënien e tij në burg.

Veliaj u arrestua të hënën (10 shkurt) pasi dyshohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërsa bashkëshortja e tij, e cila dyshohet për  kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, u la me masë “detyrim paraqitje”.